Do të kujtojmë-Shkelqim Selmani

Shkelqim Selmani

 
Toka të mori në prehër profesor Çapari,
si një nënë që e merr birin e saj në gji
dhe qielli hapi portën e tij të bardhë,
për një shpirt që su përkul kurrë, si ti.
Nga vatani në barot e sytë me lot,
u nise fëmijë pa e ditur ku po shkoje,
vetëm katër vjeç dhimbja ta mësoi,
se jeta rifillon edhe në të tjera troje.


Babai të mbeti në udhë…
një motër u tret në heshtje…
ti, një fëmijë i bukur, i vogël,
u rrite me ankthin e brishtësinë
e një gjetheje delikate vjeshte …


Tirana ti shëroi plagët, të rriti,
jo vetëm si njeri, por si krijues
ku me penel u dhe ngjyrë portreteve,
e me ngjyra u dhe jetë peizazheve.


I gjatë, simpatik, me buzëqeshje të qetë,
lis që durove stuhitë me kryet te retë,
nuk ankoheshe kurrë për lodhje e mundim
edhe pse jeta të dha më shumë trishtim.


Sot ikën… por jo si ata që harrohen,
ti je në çdo detaj, që ke lënë mbi telajo,
je në çdo sy, pikturuar me mjeshtëri,
je në çdo pikturë, ku ke falur veç dashuri.
Santi, do ta mbaj kujtimin tënd në zemër,
për të ti nuk je thjesht Didi, veç një emër,
u prehsh në paqe o engjëll i mirësisë,
arti për ty do flas në librin e përjetësisë …