Elisabetta Bagli-Anila Dahriu

Anila Dahriu

Elisabetta Bagli

Poezia e Elisabetta Bagli-t lëviz përgjatë një vije të hollë kufitare mes intimitetit dhe universalitetit, mes kujtesës personale dhe ndërgjegjes kolektive. Shkrimi i saj, i kthjellët dhe vetëm në dukje i drejtpërdrejtë, ruan një tension të vazhdueshëm emocional që e shndërron përvojën individuale në simbol të përbashkët.

Dietro la Montagna, rrugëtimi ngjitës bëhet metaforë e rritjes, e trashëgimisë shpirtërore dhe e zbulimit të vetvetes. Figura atësore nuk është thjesht një prani biografike, por një parim themelor: rrënjë dhe horizont njëkohësisht. Mali përfaqëson të panjohurën, sprovën, por edhe mundësinë e autonomisë. Dashuria këtu është formim, kalim përmes përvojës, pushtim i një drite që lind nga marrëdhënia dhe mbërrin në vetëdije.

L’inferno senza colpe, kushtuar të prekurve nga tërmeti i Amatrice, zëri poetik bëhet koral. Ngjarja tragjike nuk rrëfehet me theksim retorik, por përmes një rrallimi që e thellon ndjenjën e humbjes. Pluhuri, heshtja, trupat e çliruar nga dhimbja: materia shpërbëhet, ndërsa dinjiteti mbetet i paprekur. Pyetja përmbyllëse — “Kush është ai që nuk fal? Natyra apo Zoti?” — pezullon gjykimin dhe e vendos lexuesin në një hapësirë etike reflektimi.

Sospesi nel tempo del në pah dimensioni kozmopolit dhe mesdhetar i autores: ullinjtë, era, yjet dhe deti bëhen koordinata të një peizazhi të brendshëm. Koha nuk është vijë lineare, por pezullim, mundësi, pritje zbulimi. Toni është elegjiak, por i përshkuar nga një besim i qetë: çdo çast përmban një univers.

Poetika e Bagli-t bashkon rrënjët dhe lëvizjen, dhimbjen dhe shpresën, kujtesën dhe hapjen ndaj botës. Zëri i saj dallohet për një lirizëm të matur, asnjëherë të tepruar, që ia beson thjeshtësisë së imazheve thellësinë e mendimit.

Pas malit

Çfarë
fshihet
pas malit?

U nisa ta ngjis
me krahët e mi,

të mbështetur
në të tuat,
pa e ditur ende
se sytë tanë së bashku
do të qanin,
do të gëzoheshin;
se duart tona
do të mbështeteshin,
do të goditeshin me grushta,
vetëm për t’u mbështetur sërish,
para se dielli të shfaqej në horizont
dhe nata të hynte përjetësisht
në gjymtyrët e tua si një prind.

Ecje pranë meje,
duke më zbuluar sekretet
e luleve, e yjeve,
të pemëve, të lumenjve,
duke shpalosur
dritaren e ditëve të mia
për mbarë botën.

Më mësove
të jetoj,
të dashuroj,
të pranoj të metat e mia,
të kuptoj se vetëm
mund të arrij deri në kupën e qiellit,
për të zbuluar
çfarë më pret
atë pikërisht pas malit.

Ferr pa faj


(për të prekurit nga tërmeti i Amatrice, 24 gusht 2016)

Nuk ka dritë, nuk ka ujë,
vetëm pluhur e gërmadha,
pa kujtime, pa erëra,
pa shije e pa ngjyra.

Zjarri shpërthen,
dhuna ashpër mbi tokë ulëret,
zemëruar, lëviz, shkund
zorret e veta të vrazhda dhe të thata,
duart e pafuqishme të burrave
që heshtin dhe dëgjojnë,
dhe shpresojnë për jetë.

Një këngë ngrihet
në errësirën më të thellë,
përkund emrat në lot,
në plagët e hidhura të çdo fryme,
ndërsa dihet: gjithçka është humbur,
por dashuria dhe dinjiteti triumfojnë.

Trupat çlirohen nga dhimbja,
nga mashtrimi i lëkurës,
nga mburoja ndaj botës,
nga zemërimi që zie.

Trupat çlirohen nga ankthi,
nga tmerri i fantazmave,
nga zbrazëtia e mendjes,
nga ferri pa faj.

Çfarë është ajo që nuk fal?
Natyra apo Zoti?

Fate të thërrmuara
në çastin e përjetshëm
nga tërbimi i erës,
në çastin e pafund
të sunduar nga vdekja.

Të pezulluar në kohë

Ndoshta
do të ritakohemi
mes gurëve të pezulluar të kohës,

ku era ruan sekretet
e qiejve të lashtë,

dhe yjet rrëshqasin si barka
mbi detin e ëndrrave.

Ndoshta
do të dëgjojmë jehonën
e ditëve të humbura,

me rrahjen e lumenjve
që rrjedhin nën lëkurë,

me vetëtimat që përshkojnë kujtesën,

dhe ndezin zjarre të heshtura
në zemër.

Ndoshta
do të ecim mes ullinjve të lashtë,

duke prekur fragmente ditësh
që nuk u jetuan kurrë,

dhe do të qeshim nën tingullin e reve
që përkulen për të dëgjuar
historitë tona të harruara.

Ndoshta,
në një jetë tjetër,

do të jemi udhëtarë pa frikë,

të lirë të lëmë kohën
të na rrëshqasë ndër gishta,

duke ditur se çdo çast
është një univers
që pret të zbulohet.

Biografia

Elisabetta Bagli, e lindur në Romë dhe me banim në Madrid, është poete, shkrimtare, përkthyese, eseiste dhe organizatore e veprimtarive kulturore. Ajo drejton Shoqatën Kulturore Latium, përfaqëson institucione të shumta italiane, spanjolle dhe ndërkombëtare dhe ka qenë gjithashtu korrespondente radiofonike.

Shkrimi i saj, me timbër të thellë dhe lirik, është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë. Autore e librave me poezi, përmbledhjeve me tregime, letërsisë për fëmijë, artikujve dhe eseve, mban detyra jurie në çmime të rëndësishme letrare ndërkombëtare.

Është përkthyese zyrtare për shtëpi botuese në Evropë dhe Amerikën Latine, si edhe kuratore e antologjive ndërkombëtare.

Ka marrë vlerësime prestigjioze, ndër të cilat Distinktivin “Grua e Kulturës” nga Foro Femenino Latinoamericano i Mar del Plata (2019), Çmimin për Italianitetin e akorduar nga Ambasadori Stefano Sannino dhe Çmimin Letrar Premio Letterario Naji Naaman (2020).

Ndër veprat e saj dygjuhëshe përmenden: Mucho más que el sol, Ακαταμάχητος έρωτας (2022), Lïre për të jetuar (2023), Las sombras amargas (2024) dhe БЕСПЛАТНО ДОВЕ (2024).