Emi Krosi

Tema : “Rilindja shpirtërore” në kohën e algoritmeve.
Një reflektim mbi esenë filozofike “Në emër të përjetësisë” të Robert Martiko.
Koha e leximit apo koha e reflektimit është shumë e çmuar. Një kohë që kushton shumë shtrenjtë, por që vlen shumë, sepse rivlerëson jo vetëm kohën, por edhe vetë njeriun, i cili rikonceptohet jo thjesht si qenie, por si mendim. Kjo mund të tingëllojë si filozofi, por autori Robert Martiko, në veprën e tij filozofike “Në emër të përjetësisë”, përmes teorisë së tij mbi Rilindjen Shpirtërore, na përball me faktin se njeriu ka humbur “kohën” dhe “veten”, duke u zhvendosur nga thellësia drejt sipërfaqes.
Eseja vendoset në muzeun e Luvrit në Francë, ku dy personazhet, Eliora dhe Soreni, dy shqiptarë me mendim të thellë dhe të preokupuar për të ardhmen e vendit të tyre, përjetojnë një udhëtim që është njëkohësisht estetik dhe filozofik. Shqetësimi i tyre është i dyfishtë:
– së pari, sepse në Shqipëri historikisht ka munguar ideja e një Rilindjeje Shpirtërore, -së dyti, sepse edhe vetë Perëndimi sot përballet me një krizë të re, atë të pushtetit të pakufizuar të makinave dhe algoritmeve, ku njeriu rrezikon të humbasë jo vetëm kontrollin, por edhe kuptimin.
Përmes imazhit dhe dialogut, autori krijon një hapësirë ku figurat historike dhe filozofike “dalin” nga veprat e tyre, duke rritur tensionin dhe duke ndërtuar një rrëfim që lëviz mes imazhizmit, ekzistencializmit dhe post/modernizmit.
Ndërthurja e poetëve, shkrimtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj nuk është thjesht një listim emrash, por një përpjekje e rrallë për t’i vendosur ata në një dialog thelbësor. Këtu marrin përparësi figura si Kant, Bergson, Husserl, Arendt, Simone Weil, Merleau-Ponty, pa përjashtuar Sartre, Camus, Heidegger apo të tjerë, por gjithnjë duke e lënë mendimin të hapur, në lëvizje dhe pa përfundime të mbyllura. Kjo është një nga arritjet më të veçanta të veprës: të krijojë një tribunë mendimi ku filozofët nuk përmenden, por ballafaqohen.
Në këtë rrjedhë, autori përpiqet gjithashtu të thellojë në mendimin shqiptar një traditë të ndërprerë, atë përpjekje të madhe të intelektualëve të parë shqiptarë që, para vendosjes së komunizmit, synuan të sillnin në kulturën tonë frymën e qytetërimit perëndimor dhe mendimin kritik. Këtu mund të përmenden figura si Gjergj Fishta, Migjeni, Etëhem Haxhiademi, Lasgush Poradeci, Lazër Radi, Faik Konica, Fan Noli, Ernest Koliqi, Mid’hat Frashëri, Arshi Pipa etj., të cilët në mënyra të ndryshme kërkuan të ndërtonin një urë midis Shqipërisë dhe mendimit evropian.
Në këtë kuptim, vepra e Martikos nuk është thjesht një reflektim individual, por një vazhdimësi e munguar, një përpjekje për ta rikthyer këtë traditë në një formë të re, në një kohë tjetër.
Ky libër lexohet si një tekst me disa shtresa, ku koha dhe hapësira ndërthuren në mënyrë organike. Koha nuk është vetëm dimension kronologjik, por përvojë e brendshme, një zë që duhet dëgjuar, ndërsa hapësira nuk kufizohet brenda Luvrit, por shtrihet në ndërgjegjen e njeriut dhe në historinë e tij kolektive. Njeriu shfaqet si një qenie në kërkim të përhershëm të Dritës dhe Dijes së Epërme, por njëkohësisht si një qenie që ka humbur orientimin, duke u përballur me një realitet ku liria shpesh reduktohet në iluzion dhe ku teknologjia rrezikon të zëvendësojë përvojën.
Në këtë kuptim, vepra nuk është vetëm një reflektim filozofik, por edhe një kritikë e heshtur ndaj kohës sonë. Përballja mes përvojës njerëzore dhe inteligjencës artificiale, mes mendimit të thellë dhe algoritmit, mes shpirtit dhe mekanizmit, bëhet boshti i saj i padukshëm. Vetëm kujdesi ndaj botës së kuptimeve të thella mund t’i shpëtojë shoqëritë, jo vetëm atë shqiptare, por kudo në botë, nga rreziku i një bote të sunduar nga teknologjia dhe automatizimi.
Motivi i vetmisë shfaqet si një dimension i domosdoshëm i kësaj përvoje. Arti, në këtë roman, nuk është dekor, por përvojë e shpirtit njerëzor, një hapësirë ku vetmia nuk është boshllëk, por mundësi për reflektim dhe krijim. Njeriu modern, i rrethuar nga rrjete/ ekrane/ zhurmë, shfaqet më i vetmuar se kurrë, dhe pikërisht në këtë vetmi lind mundësia e një rilindjeje të brendshme.

Ndërtimi romanor, përmes dialogjeve dhe sentencave filozofike, krijon një rrëfim që nuk kërkon përgjigje të menjëhershme, por kërkon përfshirje. Ai i drejtohet një lexuesi aktiv, një lexuesi që mendon, që ndalon dhe që reflekton, i aftë të hyjë në këtë univers ku mendimi është gjithmonë në lëvizje.
Vetëm leximi e mundëson kuptimin e kësaj vepre. Është një tekst që nuk mund të përmblidhet lehtë, sepse kërkon përjetim. Duke qenë se leximi sot është bërë privilegj i pak njerëzve, mbetet që koha ta “gjykojë”: ta ruajë si një zë të nevojshëm apo ta lërë në harresë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e saj; në guximin për të folur në një kohë që nuk dëgjon.
Sëfundmi: kjo vepër është një “luftë” historike, për të promovuar në mendimin shqiptar modern, një koncept çlirues për shoqërinë, siç është “Rilindja shpirtërore”. Një teori që autori e ka shpalosur në çdo studim folozofik. Nuk është vetëm teori. Është mendim! Është filozofi mendimi, me vlerë praktike, saqë nxorri me miliona njerëz nga mesjeta dhe ferri i vetëvetes, në rrjedhën e kohës, sidomos në botën e sotme globale. Ky është një shërbim patriotiko- filozofik, që mund t’i bëjmë shoqërisë shqiptare, ku demokracia e deformuar, ka “fshirë” çdo gjurmë jo vetëm të ringjalljes filozofike shqiptare ( duke patur parasysh brezin e mendimtarëve të viteve’20-’30 të messhekullit XX), por sot në kaosin e një bote që nuk e “dëgjon” më, klithmën e shpirtit të lirë të njeriu shqiptar, që zhytet çdo ditë në kaos dhe errësirë mendimi.
©Copyright EMI KROSI.