Ringjallja e shpresës-Dhurata Ndoni-Cela

Dhurata Ndoni-Cela

 
Në pragun e natës fjala u drodh,
heshtja u betua mbi gurë.
Një hije ka rënë mbi emra,o Zot,
para se vëllai të bëhet mur.
Humbi vëllai e besa u fik,
s’i gjen askund as edhe zvarrë;
Gjoni për Gjinin më nuk vajton .
Kostandini u tret thellë në varr.


Migjeni flet me zë të thyer,
poema e mjerimit vazhdon .
Shpresa humbet në rrugë të mërgimit ,
plaga e zemrës qan e pikon.


Fryn era e shpresës mbi gjethe e degë ,
besën e shpresën ringjall,
zogu heshtjen në këngë e kthen,
plagët zënë mbyllen ngadalë.


Besa e shpresa ngjallen sërish,
balada,mjerimi, mbaron.
Në fijet e diellit vajza që lyp,
me gishtat e hollë dëshirat
numëron.