Erget Cenolli



-Sipas disa tezave të zonjës Tatiana Prifti Kurtiqi-
Lekë Matrënga është autori i dytë që përktheu një Libër Lutjesh në gjuhën shqipe, në vitin 1592, pas Bozukut në vitin 1555. Ky libër titullohet “E mbsuame e Krështerë” dhe është një përkthim i katekizmit të jezuitit Ladesma. Nevoja për përkthimn e librit të mësipërm ka lindur prej popullatës së madhe të shqiptarëve që banonin asi kohe në Jugun e Italisë, sidomos në Siçili. Studiuesit arbëreshë konfirmojnë se edhe Shkolla e Parë Shqipe është themeluar nga Matrënga në Horën e Arbëreshëvet më, 1587.
Pjesa më e madhe e tyre u shpërngulën nga Morea (Peloponezi) në fillimet e pushtimit të Gadishullit Ilirik (sot Ballkan), prej ushtrive osmane. Nga ajo kohë kemi këngën:
Moj e bukura More,
Kur të lashë e më s’të pashë…
Një pjesë e shqiptarëve shkuan aty prej viseve të tjera të Shqipërisë, sidomos nga qarku i sotëm i Korçës, ku pushtimi otoman u vendos që prej vitit 1390. Prej fundit të shek. 14- të nga kjo krahinë ka pasur shpërngulje të herë pas herëshme. Në një prej këtyre shpërnguljeve mund të kenë shtegtuar edhe paraardhësit e Matrëngave të Siçilisë. Vendi më i mundshëm është Vithkuqi ku motit kishte një lagje të quajtur Matrënga.
Kjo lagje deri në shek. XVI shtrihej buzë lumit Osum, ku përveç lumit i cili rridhte në Jugë e në Perëndim të saj, në Veri kufizohej me “rrugën e Kushgjinit”, ndërsa në Lindje me “Mëhallën Tataç”. (Nga vendosja pranë lumit mund të ketë ardhur edhe emri i kësaj lagjeje, pasi në Shqipen e moçme sipas Prof. Çabejt “mat” ka kuptimin “breg lumi”).
Vithkuqi ishte një qytet shumë i zhvilluar në periudhën Mesjetare e Pasmesjetare. Sipas studiuesit I. M. Qafzezi, para shkatërrimin përfundimtar ka pasur rreth 15 mijë dyer.
Vithkuqi ka qenë një vend me kulturë të gjerë, nga kanë dalë mjaft personalitete të shquara, madje ka të dhëna që piktori i shek XV i “Shkollës Shqiptare” në Venecia, Vitore Karpaçio e ka origjinën familjare prej Vithkuqi (shih Lucia Nadin “Shqiptarët në Venedik” shtëpia botuese “55”, Tiranë, 2008).
Në vitin 2020, nga “Botimet Finoku” doli studimi i zonjës Tatjana Prifti Kurtiqi me titull “Vithkuqi dhe Lekë Matrënga”, në të cilin shtjellohet gjerë e gjatë, me literaturë të bollshme, teza se fisi Matrënga ka emigruar prej Vithkuqit në More dhe nga Morea në Iltalinë Jugore. Nga Vithkuqi ata janë larguar në vitet 1532-1533, kur mendohet se u prish kjo lagje.
Në vitin 1981, në Vithkuq u zhvillua një sesion shkencor ku Prof.Selman Riza tha, se: “ gjen ngjashmëri në të folmet e Shqiptarëve të Moresë dhe Siçilisë me ato të Jugur të Shqipërisë, sidomos me të folmen e kohës së lulëzimit të Vithkuqit e Voskopojës.”
Në vitin 1997, Prof. Dhimitër Shuteriqi, ka shkruar: “Më 1627 në Shkollën e Himarës, ku mësohej Shqip Doktrina e Kërshtenë, kishte edhe vithkuqarë, pasi Vithkuqi nuk ishte më tepër se 5 ditë larg Himarës.”
Të dhënat gjuhësore dhe historike të deritanishme, na sjellin tek mendimi se paraardhësit e Lekë Matrëngës vijnë nga Lagjia Matrënga e Vithkuqit. Natyrisht studimi duhet thelluar për të gjetur të dhëna edhe më të shumta rreth kësaj prejardhje. Libri i zonjës Tatiana është një gur themeli në studimin e këtij problem, mbi të cilin duhen ngritur dhe zgjeruar studimet.
Së fundi, duke rikujtuar se Lekë Matrënga përveç të “Mbsuames së Kërshterë”, është edhe autori i parë shqiptar që ka lënë një poezi të shkruar në shqip, po sjellim këtë poezi në të folmen e asi kohe:
Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë
Të mirë të krështē, bura e grā
Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,
Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā
E lum kush e kujton se kā të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bīr të tij e për vëllā
Erget Cenolli d.v.
Korçë, 3.IV.2026