Sendërtimi i poezinë përmes hipër/realizmit, në poezinë e Faruk Buxhal-ës -Emi Krosi

Emi Krosi

Tema: Sendërtimi i poezinë përmes hipër/realizmit, në poezinë e Faruk Buxhal-ës 

Në kohën kur shkruan poezi pafund me mbi/stoqe botimesh, pak ka vlera dhe pjesa tjetër është “krunde”. Por si dallohet vlera? Nga mënyra, sesi autori e paraqet realitetin përmes vetëvetes. Pastaj, ata që arnojnë vargjet, që marrin diku ca dhe diku ca të tjera ose…ose ata/ato që mbledhin ca fjalë si poezi post/moderne me vargje të lira. Por, mirë se erdhët në hipër/realizëm. 

Në takimin poetik të Lezhës, poeti Faruk Buxhala, më dhuroj librin e tij “Flluska në erë” dhe më kërkoj një “premtim”: më premton se do ta lexosh?. Po; – iu përgjigja! Dhe libri i tij, që në titulli ka një ironi të thellë surreale deri në sarkazëm ose ( humor të zi) që herë kalon në bruleks dhe herë në absurd. Një poezi që na çon në hipër/realizëm, një trend i ri poetiko/letrar me vargjet: ironia plekset në fytyrë,/mendimet që moti janë ngërthyer,/ nga mediokriteti/…/ në sy shfaqen imazhe surreale,/ edhe pse në trend është hiperrealizmi! (2023: 75), nga poezia “Surreale”, sepse surrealja është tashmë hipër/realitet, ku dhe poezia e këtij libri është një” amalgamë fjalësh” ku sundon surrealja dhe hipër/realja. Fjalë që duken pa lidhje, pse me një “gjuhë” nga rrjetet sociale, ku imazhi i njeriut është një hipër/imazh. Njeriu nuk është njeri. Koha nuk është kohë. Poezia nuk është poezi. Fjala nuk është fjalë. Koha/fjala

/shpirti/mendimi/poezia/imazhi, janë “makina digjitale” që na çojnë drejt agjësë/kotësisë/boshit/ zbratësisë/ të panjohurës/ padukshmes/ të paditurës/ misterit/ frikës/ ankthit/ stresit/ depresionit etj.  

Poezia ka në qendër njeriun dhe antinjeriun. Ekzistencializmin dhe asurdin. S’ka më dashuri, humanizëm, falje, ndiesi, empati, emocione. Njeriu vetë është një AI. 

Libri është i ndarë në:

1. VARGJE TË VARURA NË VIG ,( poezi me tema universale ku koha dhe mitologjia herë kacafyten herë përqafohen) përmes poezive të shkurtra; muzat i erdhën/ poetit në pleqëri/ i dukeshin si shajnì ( 2023: 52) ku buron sarkazma e autorit për të ” vonuarit” të ashquajturit poetë. 

2. OFSHAMA TË NJË SHPIRTI TË MJERË, ( shpirti është në kërkim të vetëvetes), kur ndodhet mes botës së vdekshme dhe asaj të përtejbotës, pra në transhedencë. 

3. NË FESTAT E TYRE, TË DITËVE TË TYRE, ÇDO GJË U SHKONTE PËR FYTYRË, ( transhumanca dhe metamorfoza njerëzore), skajohet përmes vargjeve: nga asgjëkundi u paraqit një njollë,/ thithi gjithëçka në vete;/pastaj…/ mbeti një vrimë e zezë në askund (2023: 72), ku poezitë: “Luks dhe mjerim”, “Surreale”, “Frustrim çasti”, “Djajtë kapriçiozë”, “Përgjigje një poeti që shkroi poezi për poetët”, janë poezi ku ngasja surreale klithmon në tjetërsimin e njeriut. Madje në poezinë e fundit, hipër/realja është motivi ku arti/poezia/muzika/kultura/libri nuk janë më, janë vetëm degjenerime të marrëzisë së madhe të post/ modernizmit qëkur njeriu bëhet Nbinjeriu që di çdo gjë, por nuk di as të shkruajë dhe as të lexojë, por është thjesht: njeriu digjital!

4. NË MBRETËRINË E KORONA VIRUSIT, ( ku bota ndaloj dhe njeriu u bë maskë).

5. PËRFLAKJA FLUTURUESE E VARGJEVE, (duke prekur çdo ves dhe persevitet të njeriut dhe shoqërisë).

Poezia “Shtëpi e braktisur” në vargjet: degët e hardhisë zaptojnë qiellin,/tek porta e gurtë vitet mrizojnë,/ sa me vështirësi frymon shtëpi e vjetër,/ shpirtërat e braktisën që moti,/ mureve të saj, tani hijet lodrojnë (2023 :142), sendërtohet braktisja gjithëshqiptare e trojeve tona, ku varfëria dhe diferencimi klasor/ racor/ entik/ fetar po braktis trojet shqiptare në paqe, jo vetëm në Dardani. 

Poezisë mund t’i qasemi përmes:

– imazhit dhe imazhizmit,

-reales/surreales dhe hipër/reales,

– absurdit, neverisë dhe ekzistencializmit,

– arsyes, përtej/arsyes dhe dukjes e nihilizmit,

– moralit dhe antimoralit, korrupsionit dhe shbërjes së vlerave,

– mungesave dhe tepricave të shoqërive globaliste, ku njeriu i “vogël” është i padukshëm,

– përmes Mbinjeriut/ Zot dhe metamorfozës së hipokrizisë,

– përmes ironisë dhe sarkazmës, ku mirësia është “vkllavëruar” nga ligësia,

– përmes dritës/dhe errësirës së shpirtrave të revoltuar njerëzorë. 

Sëfundmi: për lexuesin e thjeshtë kjo qasje duket e pakuptimshme dhe duhet të lexohet si absurdi i kohës moderne. Nëse, mundoheni ta lexoni në mënyrë klasike si lirikë, do ta kuptoni se dhe post/modernizmi ka “vdekur”, ashtu si vetë liria dhe poezia e “lartë”.