Manushaqe Hoxha Laçi

Bulqizë,
vend i shkëmbinjve që flasin,
me pyje që marrin frymë në muzg dhe në ag,
me lumenj të kthjellët që rrjedhin heshtur
si lot gëzimi e dhimbjeje bashkë.
Bulqizë,
vend i rrëpirave që shkëlqejnë,
me erën që zbret si këngë e vjetër nga malet.
Në çdo shteg të rritet një kujtim,
në çdo gur jeton një zemër që s’ndalet.
Ty, Bulqizë,
malet të flasin me gurë,
këndojnë me degët, qajnë me reshjet e shiut.
Se pasuria jote është mallkim e dhuratë,
ku jeta matet me hapa të rëndë
nëpër galeri, ditë e natë.
Ehhh, ato të errëta galeri
që shpesh
marrin më shumë se hakun,
dhe kthejnë mbrapsht
vetëm jehonën e hapave…
ju thithin djersën e gjakun!
Bijtë e tu,
të fortë si shkëmbi,
të butë si buka e sapodalë nga saçi,
bujarë, të zgjuar, trima, mikpritës,
si flakë që nuk shuhet në më të ashprin dimër.
Ti Bulqizë
e thellë dhe e fortë, s’humbet
se njerëzit e tu janë dritë që nuk shuhet.
Minatorët zbresin si yje që humbasin dritën,
por e ruajnë brenda vetes si zjarr të shenjtë.
Por, ju bulqizakë të varfër,
mbani mbi supe një pasuri që nuk blihet:
dinjitetin, punën, shpirtin e pathyer
që as shiu, as bora, as errësira s’e rrëzojnë.
Dhe ty, Bulqizë, të uroj dritë:
dritë për t’i ndriçuar thellësitë e tua,
dritë për të kthyer mundin në mirësi,
dritë për njerëzit
që meritojnë më shumë se kushdo lumturi.