Ata na vranë…Diana Mehmeti

Ata na vranë…

Ata na vranë pa zhurmë,
si shiu që bie mbi gurë të mbyllur,
Na fikën zërin në fyt,
dhe e quajtën rend.
Na vranë ëndrrat në djep,
me duar që dridheshin nga frika e vet.

Na prenë krahët pa gjak,
Na mësuan të ecim në gjunjë.
Ata na vranë me heshtje,
Më shumë se me plumb.

Me fjalë të ndaluara,
Me libra të djegur në errësirë.
Na varrosën të gjallë në kohë,
Ku dita s’kishte fytyrë!

E vërteta vishej si krim
nën hijen e tyre të gjatë,
Por nuk na vranë dot kujtesën,
Mbeti si gur në gojë
Si një thirrje që s’pranon varr

Një dritë që s’di të shuhet.
Një fjalë që s’di të hajë
Sepse ne jemi ata që mbetëm,
plagë që mësoi të flasë.

Zjarr që s’u bë hi mbi bukën,
Emra që nuk i fshin as frika
Ata na vranë…
por nuk na zhdukën.

Autore Diana Mehmeti