Një këndvështrim ndryshe nga vëllimi “Vrima” i  trupit si diskurs te “Poema e mungesës” si kategori ekzistenciale-Nga Teuta Sadiku

Një këndvështrim ndryshe nga vëllimi “Vrima” i  trupit si diskurs te “Poema e mungesës” si kategori ekzistenciale.

Poezia bashkëkohore shqipe, sidomos pas viteve ’90, dëshmon një zhvendosje të thellë nga modeli përshkrues dhe normativ drejt një poetike që ndërhyn në mënyrë aktive në diskurset kulturore dhe sociale. Në këtë kontekst, krijimtaria e Rita Petro përbën një nga rastet më të rëndësishme të transformimit të figurës femërore nga objekt i përfaqësimit në subjekt të artikulimit. Nga vëllimet e hershme deri te Vëllimi Poetik “Vrima “(2014) dhe më i riu “Poema e mungesës”, poezia e Rita Petros ndërton një diskurs që sfidon normat patriarkale, estetike dhe morale të traditës shqiptare.

 Në poezinë e Petros kemi një dyzim të rebelimit, fillimisht si transgresion trupor (erotik) dhe më pas si ndërhyrje diskursive dhe ekzistenciale përmes kategorisë së mungesës. Në të dy rastet, kemi të bëjmë me një rimarrje të kontrollit mbi trupin dhe mbi kuptimin e mungesës.

Një nga elementët më të fortë të poezisë është trupëzimi i përvojës:

“Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon…

Këtu kemi një estetikë të anti-idealizimit të trupit, që sfidon normat klasike të bukurisë. Trupi nuk është më simbol i pastërtisë, por i përvojës, i mëkatit dhe i realitetit social.

Kjo mund të lexohet përmes perspektivës së Julia Kristeva dhe konceptit të saj të abjection “ Powers of Horror” ku  argumenton se ajo që përjashtohet (pisllëku, trupi, sekrecionet) është pikërisht ajo që na strukturon si subjekte.

Në këtë poezi, Petro e rikthen këtë “të përjashtuar” në qendër të diskursit poetik, duke e bërë trupin një akt rebelimi.

Këndova këngën tënde turmë,

Më shumë se këngën time,”

 Këtu krijohet një tension themelor mes zërit individual dhe zërit kolektiv. Subjekti poetik i nënshtrohet turmës, duke sakrifikuar autenticitetin e vet.

Kjo mund të lexohet në dritën e teorisë së Gustave Le Bon në “The Crowd .A Study of the Popular Mind”, ku turma përshkruhet si një entitet që zhvesh individin nga racionaliteti dhe e shtyn drejt një vetëdijeje kolektive impulsive.

Poetja e njeh këtë mekanizëm:

“Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga Manipulatorët.”

Këtu shfaqet një tjetër dimension: turma nuk është thjesht spontane, por e dirigjuar. Kjo përkon me analizën e Michel Foucault mbi pushtetin si një rrjet i shpërndarë që prodhon subjektivitet.

Një nga momentet kulmore është:

Po në vend të dashurisë më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë…”

Kjo është një metaforë e fuqishme e dhunës simbolike dhe sociale, që mund të interpretohet përmes konceptit të Pierre Bourdieu mbi dhunën simbolike, një dhunë e padukshme, e ushtruar nga strukturat sociale dhe e internalizuar nga individët.

Turma jo vetëm që e përdor subjektin poetik, por edhe e ndëshkon atë. Megjithatë, marrëdhënia mbetet reciproke:

“Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,

Kjo krijon një cikël të varësisë reciproke, që mund të lidhet me analizat e Georg Wilhelm Friedrich Hegel mbi dialektikën zot–skllav: subjekti dhe turma janë të ndërlidhur në mënyrë të pashkëputshme.

“Lakuriq para teje kam vendosur të jem,”

Lakuriqësia këtu nuk është vetëm fizike, por ekzistenciale. Ajo i referohet një ekspozimi total të qenies.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me filozofinë ekzistencialiste të Jean-Paul Sartre, veçanërisht me idenë e autenticitetit dhe përballjes me “të tjerët” (l’Autre). Subjekti poetik zgjedh të ekzistojë në të vërtetën e vet, pavarësisht gjykimit të turmës.

Vargu

“Duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati kundër frikës që na mban mbërthyer në vend.”

krijon një dualitet midis dy llojeve të frikës, frika morale (nga mëkati) dhe frika sociale (nga stagnimi, nga mosveprimi).

Nga një këndvështrim antropologjik, kjo   lidhet me analizat e Mary Douglas në “Purity and Danger”, ku konceptet e pastërtisë dhe ndotjes janë mekanizma për të ruajtur rendin social.

Petro i përmbys këto kategori dhe e sheh “mëkatin” si një formë çlirimi, ndërsa frikën si një mekanizëm kontrolli.

Në poezinë e Rita Petros, erotizmi nuk funksionon si dekor estetik

 Në vargjet

“Me majën e gjuhës e lëpiva /
E thitha me buzët e etura”

gruaja nuk paraqitet më si objekt i dëshirës, por si subjekt që konsumon dhe artikulon dëshirën e saj. Kjo përmbysje e rolit tradicional përbën një nga aktet më të forta të rebelimit në letërsinë shqipe.

Në këtë kuptim, erotizmi tek Petro mund të lexohet në dritën e Michel Foucault, për të cilin seksualiteti është një fushë e kontrolluar nga diskurset e pushtetit. Duke e artikuluar hapur trupin dhe dëshirën, Petro e rimerr këtë diskurs dhe e kthen në hapësirë rezistence.Erotizmi  në poezinë e Petros është një akt i vetëdijshëm kundërshtimi.

Po ashtu, në kuptimin e Georges Bataille, erotizmi i saj është thelbësisht transgresiv: ai ekziston në kufirin midis të lejuarës dhe të ndaluarës. Sa më e fortë tabu-ja, aq më radikal bëhet akti poetik.

Në vëllimin poetik “Poema e mungesës”, ky rebelim nuk zhduket, ai transformohet. Ai zhvendoset nga trupi në një plan më të thellë: mungesën si kategori ekzistenciale.

Në vargjet:

“Më shfaqesh e më zhdukesh pas reve /
një lojë kjo pa mbarim: Jetë – Vdekje”

mungesa nuk është vetëm ndarje fizike, por një gjendje e ndërgjegjes. Subjekti poetik jeton në një hapësirë liminale midis pranisë dhe zhdukjes. Kjo mund të interpretohet si një poetikë e ndërmjetësisë, ku kufijtë ontologjikë destabilizohen.

Në këtë pikë, një lexim në frymën e Julia Kristeva na lejon ta shohim mungesën jo vetëm si ndjenjë, por si një formë e “abjektit” ekzistencial, ajo që nuk mund të përvetësohet plotësisht, por as të përjashtohet.

Për dashurinë / Që janë bërë luftëra…
Për dashurinë / Që na fut nën dhé /
Për dashurinë / Që na ngre mbi re”

Kjo strukturë poezisë  e çmitizon dashurinë si kategori romantike dhe e paraqet si forcë ambivalente. Në një lexim semiotik, në vijën e Roland Barthes, këto vargje prodhojnë një fushë tensioni ku kuptimet nuk stabilizohen, por mbeten në lëvizje.

Në poezinë:

“Ne jetojmë me vdekjen në një shtëpi / nuk e shohim…”

vdekja zhvendoset nga spektakli tragjik në një prani të heshtur të përditshmërisë. Metafora e shtëpisë sugjeron një bashkëjetesë të padukshme, ku fundësia është gjithmonë e pranishme.

Në një lexim kritik, kjo mund të shihet si një reflektim mbi mënyrën se si shoqëria e neutralizon vdekjen, duke e bërë të padukshme , një ide që lidhet drejtpërdrejt me analizat e Michel Foucault mbi disiplinimin e përvojës njerëzore.

Një nga momentet më të drejtpërdrejta kritike është:

“Politika – maskë e mirëqenies sociale
Religjioni – maskë e mirëqenies shpirtërore”

Këtu poezia kalon nga reflektimi në demaskim. Ndryshe nga një lexim moralizues, këto vargje zbulojnë strukturën e maskimit si mekanizëm pushteti. Diskurset institucionale nuk janë vetëm hipokrite, por funksionojnë përmes prodhimit të iluzioneve.

Një nga veçoritë më të rëndësishme të poezisë së Petros është konkretësia e saj gjuhësore.Petro me mjeshtërinë që e karakterizon përdor një leksik  trupor dhe material: “gjak”, “gjuhë”, “pluhur”, “hije”,ka një sintaksë të prerë, ritmike dhe metafora të forta.

Këto elemente eliminojnë distancën estetike dhe e vendosin lexuesin përballë një përvoje të drejtpërdrejtë. Gjuha E përdorur  nuk zbukuron realitetin, ajo e ekspozon atë.

Analiza stilistike e poezisë së Rita Petro kërkon një vështrim të ndërthurur midis leksikut, figuracionit dhe funksionit të tyre në ndërtimin e kuptimit poetik. Poezia e saj është një poezi e trupit, e mungesës, e intimitetit dhe e tensioneve ekzistenciale, ku gjuha nuk është thjesht mjet shprehjeje, por vetë përjetimi.

Një nga tiparet më të dallueshme është përdorimi i një leksiku të thjeshtë, konkret dhe shpesh trupor. Poezia shmang retorikën e rëndë dhe përdor fjalë të përditshme që marrin ngarkesë të re poetike.

Fjalë si trup/lëkurë, frymë/mungesë, heshtje/ natë krijojnë një univers intim.

Ky leksik konkret e afron lexuesin me përvojën, duke e bërë poezinë sensore, pothuajse të prekshme.

Nga teoria letrare, kjo lidhet me konceptin e “materialitetit të gjuhës”, ku fjala nuk është abstrakte, por trupëzohet në përvojë.

Metafora trupore  dashuria dhe mungesa shprehen përmes trupit p.sh. mungesa nuk është ide, por “zbrazëti në trup”

Metafora e mungesës,ku  mungesa trajtohet si prani paradoksale

 mungesa “jeton”, “flet”, “prek”

Metaforat  e zhveshura pa zbukurime të tepërta, të drejtpërdrejta, shpesh janë goditëse.

Në këtë aspekt, ajo i afrohet konceptit modernist të metaforës si strukturë ontologjike, jo si ornament (si tek T. S. Eliot apo Sylvia Plath).

Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i antonimeve dhe kontrasteve, që krijojnë tension emocional dhe filozofik.

Shembuj tipikë janë prani / mungesë,trup / shpirt,dashuri / dhimbje,afërsi / largësi.

Këto nuk janë thjesht kundërvënie gjuhësore, janë  boshti i konfliktit të brendshëm në poezi.

 Nga teoria, kjo lidhet me parimin e dualitetit strukturor, ku kuptimi lind nga përplasja e poleve (strukturalizmi).

Në analizën e sintaksës dhe ritmit kemi thyerje të rrjedhës klasike.Vargjet herë janë  të shkurtra, të ndërprera, me pauza të forta emocionale.Vihet re përdorimi i  Elipsës (mungesa e qëllimshme e elementeve sintaksore), çka krijon ritëm të fragmentuar , pasqyrim të gjendjes shpirtërore, ndjesi intimiteti dhe rrëfimi të brendshëm.

Kjo lidhet me poezinë bashkëkohore që synon subjektivitetin e drejtpërdrejtë, pa filtra formalë.

Në “Poemën e mungesës”, mungesa bëhet subjekt, përvojë trupore, gjendje ekzistenciale.Këtu metafora dhe antonimia bashkohen,çka krijon një paradoks poetik, ku kuptimi ndërtohet mbi të pamundurën.

Në poezinë e Rita Petro leksiku konkret  e bën përvojën të prekshme,metafora e shndërron përvojën në mendim poetik antonimia , krijon tension dhe thellësi kurse sintaksa , pasqyron psikologjinë e subjektit.Pra, stili në poetikën e Rita Petros  është vetë struktura e mendimit poetik.

Leximi i Klevisa Bardelit ofron një interpretim të ndjeshëm dhe të strukturuar të veprës, duke theksuar dimensionin meditativ dhe ekzistencial të saj. Megjithatë, ai mbetet kryesisht përshkrues dhe nuk e zhvillon plotësisht një aparat teorik që do ta vendoste poezinë e Petros në një kontekst më të gjerë kritik ku të tregojë se mungesa  është  strukturë diskursive,erotizmi është  akt pushteti.

Në krahasim me poezinë e Luljeta Lleshanakut,në poezinë e  Rita Petros kemi një trup biologjik, eksplicit, transgresiv.Në poezinë eLleshanakut trupi është simbolik, introspektiv.Poetika e Rita Petros performon përvojën. Poetika e Lleshanakut analizon përvojën.

Ky dallim e vendos Petron në një linjë më të drejtpërdrejtë rebelimi diskursiv.

Poezia e Rita Petro përfaqëson një nga format më të artikuluara të ndërhyrjes poetike në letërsinë bashkëkohore shqipe. Duke kaluar nga erotizmi si akt transgresiv në mungesën si kategori ekzistenciale, ajo ndërton një subjekt poetik që nuk pranon të jetë as objekt, as viktimë, por një qenie që artikulon, zgjedh dhe sfidon.

Në këtë mënyrë, poezia e saj nuk është vetëm estetikë , është një formë e mendimit kritik.