– Duke lexuar librin “Shtjellë fatesh” të autorit Llesh Ndoj –
Nga Tone Nikolli

Duke qenë se kam prejardhjen nga ajo krahinë dhe duke e njohur Munellën e munellasit, daljen e librit të autorit Llesh Ndoj, “Shtjellë fatesh”, me subjekt atë zonë e njerëzit e saj, e prita me shumë kërkshëri për ta lexuar atë. Para leximit të librit, me vete mendoja: Munella mal është, e ç’të re mund të ketë sjellë autori rreth saj? Po munellasit, si do të vinin në këtë libër të ri, pasi autori kishte shkruar më parë edhe një libër monografik, titulluar “Domgjoni – Në dokumente, gojëdhëna e histori”, ku i kishte përshkruar me hollësi njerëzit dhe vendin ku kishin jetuar, duke tejkaluar çdo parafytyrim të mëparshëm e shtrirë studimin e tij deri në gjenezë, ndoshta dymijë vjet më parë?
A e mora një përgjigje nga leximi i librit të ri? Sigurisht që po! Bile edhe më shumë se aq. Ardhja e Munellës e munellasve përmes një rrëfimi artistik, duket se ia ka liruar krahët autorit të gjejë mjete shprehëse të ndryshme nga studimi i kryer e përmendur më sipër, duke sjellë formë e përmbajtje të re, që e bëjnë librin e tij jo vetëm të lexueshëm, por shumë të kandshëm, dhe prej të cilit ke çfarë të mësosh. Sidomos ne që origjinën e kemi prej asaj ane.
Konkluzioni i parë që më erdhi në mendje nga ky lexim është fakti se në librin e Lleshit, Munella nuk është thjeshtë një mal, por ajo frymon si njeri e këtë frymë e shkëmben me njërëzit e atij vendi. Ajo dhe njerëzit që jetojnë përreth saj identifikohen në një dhe të dyja bashkë, në libër naltohen si hyjni. Këtë e bën pena e ngjyer në shpirtin e autorit që, edhe pse vetëm fëmijërinë e ka jetuar plotësisht me to, zemra e mendja i rreh bashkë me to…
Libri “Shtjellë fatesh” me autor Llesh Ndojin, është një libër ku ngjarjet dhe përshkrimet aq solide e me një gjuhë të kandshme të përdorur nga autori, të bëjnë edhe ty si lexues të jetosh mes fantazisë dhe realitetit, por mbi të gjitha të bëjnë për vete aftësia e tij për të shpalosur në mënyrë të plotë e krejt natyrshëm, përmes personazheve e ngjarjeve ku rrjedh ligjërimi artistik i tij, normat morale dhe kanunore që rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve që kanë jetuar në këmbë të Malit të Munellës. Mundarët, apo mundëtarët, domgjonasit e sotëm, njëjtësohen me Munellën e Munella vjen në libër si ata, falë mrekullisë së rrëfimit e gjuhës së pasur të autorit të librit.
– Si lexuese që kam kaluar nëpër duar qindra libra artistike, qoftë edhe për shkak të shkollimit në këtë fushë, mendoj se banorët e kësaj zone janë aq të lashtë sa vetë “zanafilla” e njeriut mbi tokë! Të pamposhtur nga asnjë forcë natyrore e jetësore. Në kohë e periudha të ndryshme historike ata lindin e rilindin, jetojnë, madhohen, pleqërojnë e pleqërohen, largohen nga jeta e rikthehen nëpërmjet kujtimeve e fantazisë që personazhi i librit (ndoshta autori i tij!), Leks Ndreu, ruan mrekullisht nga nëna, Diellorja! Ata janë të lashtë sa legjendat, prehistorikë e historikë të vonë. Diellorja, dielli i fëmijërisë së Leks Ndreut, personazhit tonë të dashur, nëpërmjet kujtimeve, fantazisë, gojëdhënave e legjendave dhe realitetit të përditshëm, e lëviz Leksin në kohë e ngjarje të ndryshme jetësore, të dëgjuara nga të parët e saj, dhe përvojave jetësore të jetimes, me fat e pafat, siç e shoh unë! Ajo, nëna e tij, Diellorja, dielli i jetës i më të voglit Leks, tjerr leshin e deles në furkën e moçme të drurit, aq të lashtë sa legjendat për “kuçedrat”, dragonjt dhe Zanat e malit të Munellës, e bashkë me të i flet Leksit për gojëdhënat, historitë, ngjarjet e pafundme, normat e bashkëjetesës e gjithçka tjetër rreth atij vendi, rrëfime të cilat duket se ai i ka bërë të tija e i ka regjistruar thellë në memorie për t’i sjellë tash në një sërë botimesh kushtuar atij vendi e njerëzve të mrekullueshëm që kanë jetuar dhe jetojnë aty. Munella është jetë, është mundim por dhe krenari, si maja e saj që mban petkun e borës “rrokull vjetit” – si thoshin mundimtarët!
E çfarë mund ta tërhiqte më shumë Leksin fëmijë? Ai duket se nuk përngjan me asnjë moshatar për nga mençuria e temperamenti, dhe ato që i tregonte nëna i ruan në kujdesë e i gdhend në fjalë! Dhe fjala gdhend dhe gurin!
I mbështjellë në cepin e këmishës së bardhë të nënës, i vogël por ëndrrimtar, kujtimet e çojnë Leks Ndreun përtej botës e cepi i këmishës së nënës i bëhej si “qilim fluturues” mbi majën e bardhë të Munellës, ku horizonti është i paanë, si mendja e nënës së tij, dhe pse ndoshta nuk e kishte kaluar ndonjëherë zonën ku jetonte. Nëna, Diellorja, zotronte gjithçka që i përkiste atij horizonti, që as mendja më normale nuk e imagjinonte ta kishte! Ajo gruaja e fisme dhe krenare dukej sikur i kishte rënë tej për tej botës mbarë ku, ndër të tjera, thoshte dhe rruzaren shenjte në latinisht e italisht, e këto ia mësonte edhe Leksit. Gjithçka Leks Ndreu e trashëgoi nga nëna e tij. Ai djali i vogël rritet dhe moshohet përmes kujtimit të nënës, Diellores e bashkëjetuesve të vet, duke iu bërë vend atyre afër zemrës e duke i përshkruar me më të mirat e tyre: Fisnikë, mikpritës, të besës, të qëndresës, të vuajtjeve që s’i mposhtën, e të pak gëzimeve, që kurrë s’i bënë “të fluturojnë”! Dhe mes atyre gëzimeve të pakta mbajnë gjallë shpresën për jetën dhe për ardhmërinë! Ai “qilimi fluturues” që e mbartte Leksin të eksploronte Munellën e historinë e munellasve, apo mundarëve, kur ishte akoma fëmijë dhe i pamundur fizikisht me i shetit vendet me këmbë, apo me “ekspluruar” historinë e tyre përmes librave, e bart atë përsëri në ëndërrimet për të ardhmen e atij vendi. Ai, në këto ëndërrime e sheh veten në Austri, në një muze ku figura e nënës fluturon si hyjni e zë vend në majën e lartë të Munellës, kurse figura e tatës, njëjtë si ajo, “fluturon” drejt Sukrrasës, që vijnë në libër si një shqetësim, dëshirë e urim i autorit që ai vend të mos braktiset përfundimisht e të mbetet i pajetueshëm, si thirrje ndaj domgjonasve, por edhe ndaj shtetit që të bëjnë diçka, e profecia e “ëndrrës zgjuar” të autorit të mos bëhet realitet. Figura e Marianne Graf , austriakes heroinë për mirditorët e sotëm, vjen aty si shembulli se të gjithë mund e duhet të bëjmë diçka për këtë.
– Mali i Munellës tradicionalisht i konsideruar si vendi i “kuçedrave”, idealizohet me legjendat e mbajtjes së ujit e ndërkohë uji “veq sa se merr atë vend”- çfarë ironie fati? Paralelizmi që gjendet mes emrit në gjininë femërore, Munella, dhe vetitë njerëzore që i vishen malit, bëjnë që ajo të përngjajë me nënën e Leks Ndreut.
Mun– Munella, vendi që do shumë mund e djersë për ta jetuar e kthyer në të mira për vete, e nëna Diellore që mundohet e rrit familjen e fëmijët dhe është një fisnike që rrallë gjendet në kto anë, jo rastësisht identifikohen së bashku! Diellorja është një Munellë e mban mbi supe gjithë historitë e vjetra e të reja në stërmundimet e pacak të jetës! Ajo është piedestali i vazhdimësisë së jetës në vendin më të bukur që gjendet mbi dhé, Munellë! Ato mbajnë në gjirin e tyre njëra – tjetrën, ashtu të forta, të fisme, bujare e zemërake kur duhej, por edhe jetojnë në përjetësi së bashku! Leks Ndreu është i “lashtë “sa zanafilla e mundarëve të tij andej nga ka prejardhjen, ëndrrimtar i letrave, i pari në të gjithë, vazhdimësi e traditës së të parëve dhe krenaria e tyre. Ai duket se vazhdon të jetoj në mes të dyzimeve! Pyetja që i vjen atij është a janë të lashtë sa vetë malet domgjonasit? E përgjigja, duke i njëjtësuar ata, vjen pozitive nga autori.
Jo vetëm kjo, por edhe shumë pyetje të tjera lindin e marrin përgjigje nga rrëfimi artistik i Llesh Ndojit në librin “Shtjellë fatesh”, e jo vetëm aty, të tilla si:
- A janë domgjonasit të ardhur për shkaqe historike, fetare e jetësore në atë vend të mundimtë dhe përrallor njëkohsisht!
- Po nga erdhën ata?
- A ka mbetur akoma ky një vend i mundimshëm për tu jetuar, përderisa banorët janë paksuar sa një ”grusht”, të ekzaltuar nga qyterimi urban model i kohës së tashme?
- A do të vazhdojnë ky “ grusht banorësh! – “të munit e të munemit”- të mundit e të stërmundit, ta përballojnë joshjen urbane që ka mbërthyer pothuajse krejt botën?
Leks Ndreut i duhen shumë përgjigje që ndoshta do të na i tregojë edhe në epopetë e ardhshme. Personalisht jam e bindur se tema e Munellës e mundarëve, në rrëfimet e Llesh Ndojit, nuk mbaron këtu!
Ky libër për mua është shtjella e fateve sa të ndryshëm, po aq edhe të ngjashëm, të domgjonasve, e “lnurur” herë – herë nga gërhanët e nënë Diellores, e tjerrur në furkën e drurit, që është po aq shekullore, dhe që do të shterrohen në penën e autorit Llesh Ndoj.
Në një moment të vjen mendimi sikur Leks Ndreu është njëkohësisht i pari i Mundarëve dhe vazhdimi i tyre, aq fort sa ai i mëshon dashurisë për tokën, malin, bjeshkën, vrrinë, stanin, dashurië për tatë Merin, nënën, vllezërit, motrat, bashkëmoshatarët! Dhe ata nuk janë thjeshtë njerëzit e tij, por të përzgjedhurit e tij për të lartësuar figurën e të gjithë atyre që kanë jetuar, jetojnë e do të jetojnë në atë vend. Përshkrimi i figurës së burrit të pashoq, Martinit, me gjithë karakteristikat më të mira të malësorit fisnik e zemërbardhë, është real e madhështor njëkohsisht! S’ka sesi të jetë ndryshe pasi autori është i dhënë jo vetëm pas natyrës përrallore të bjeshkës po dhe natyrës humane të banorëve të asaj ane! Sepse ata “Edhe kur kishin vajtur në të sosur kërcenin përreth pusit vallen e jetës, e nxirrrnin jetesën mbi gur e nga guri, prandaj ata janë gjodhi”…. – shkruan autori. E jeta e Tefë Frashnit vazhdon në jetën e familjes së Martinit, të tatë Merit, Martinës, Diellores dhe vetë Leks Ndreut e të gjithë pasardhësve të rinj domgjonas! Ndoshta edhe do të vazhdojë në jetë të jetëve, besim që na ngjallet edhe nga rrëfimi i bukur i autorit Llesh Ndoj në librin “Shtjellë fatesh”.
Nga ky libër mund të gjeshë e të trajtosh një pafundësi temash, aq sa ndoshta do të duhet të shkruhet edhe një tjetër libër si ky, rreth tij, por unë përzgjodha të ndalem këtu, duke i uruar shumë suksese autorit e përjetësi Domgjonit!
Tiranë, prill 2026