
MILITANTË & BUROKRATË
Keni hyrë nëpër zyra, keni hyrë, a s’keni hyrë?!
Keni parë ca fytyra, që qëndrojnë në detyrë?!
Shëmbëlltyra, aq të ndyra, pa lezet e pa yndyrë,
Sikur i ka bërë natyra, që tu presin si mënxyrë.
Ata janë atje për ju, gjoja në shërbimin tuaj.
E tu rrinë gatitu e tu thonë; “urdhëro e thuaj !”
Jo or jo nuk ndodh kështu, Shqiptar puno e vuaj!
Qajnë zyrat “uh” e “buh” qajnë qërre, qajnë buaj.
“Bla bla bla” e kuturu, të lexojnë nenet e ligjet.
“O bo bo” e “u bu bu”, ferr e tmerr i kanë përgjigjet.
Nëse do të rrish këtu, ata të tregojnë shtigjet.
Vendi im ç’po ndodh kështu, kurva krihet, fshati digjet?!
Të merr frika dhe paniku, me të katra e merr vrapin,
Kur në prag të zyrës “miku”, një më një, ta bën hesapin,
Në s’vjen shporta e s’vjen fiku, kot pret dyert të t’i hapin,
Ndryshe burokrat’ i ligu, për shpëtim të tregon trapin.
Shpinës suaj hidhen vallet, mbi kurrizin, që gërmuqet.
Gjuhë e tyre zë e tallet, pis nga goja dhe nga huqet,
Dhe surrati i tyre çmallet, bythëmajmur ndër kolltuqet
Gjoja djersitur nga hallet, qajnë mollaqet mbi ulluqet.
Sa me fat i kanë “menderet”, për karrige janë të prera,
Puna, rroga kurrë s’shteret, domosdo i kanë me vlera,
Marrin poste, gëzojnë nderet, sikur vëndi s’ka të tjera,
Ministritë e digasteret, po njëlloj u qelbet era.
Tregëtar, me ta mos luaj, në s’do gjoba e dënime!
S’durojnë vitin, s’presin muaj, të vjelin taksa e tatime,
Çast pas çasti qeth e rruaj, shkul e rruaj qime-qime,
Vuaj ti o popull vuaj, pjella jote sjell rrënime!
Nëse s’bën ç’të thot’ i pari e nuk bindesh si viktimë,
Shko e siĺllu te gjyqtari, që të bëjë në ujë, një vrimë
Të të fyejë, si qyqari, gjoja të jep drejtësinë,
Kesh, or kesh lypet Dollari, Lek, a Euro, ndaç Stërlinë.
Gjithë postet që u morën, gjoja me një farë testimi.
Pritën çastin edhe orën, n’ankand u vihet çmimi,
Si servilë e shtrijnë dorën, se i madh është tundimi,
Gjithë fitimet shpejt i nxorën, ja ky ishte gjithë qëllimi!
Edhe pse ngado u mburrën: “Po bëjmë vendin të begatë”.
Mëmëdheun e sëmurën, me një plehrë administratë,
Pa ju sulën, pa ju turrën, militantë e burokratë,
Prit e rip e ndaj lëkurën, eh Shqipëria jonë e ngratë!
Mirë ja bëni që ia mblidhni, se kjo nënë u mban me lek!
Ripni genin nga ku rridhni, vidhni, merrni xhep me xhep!
Këmbë e kokë po e lidhni, as e lini në hall të vet,
Veç premtoni e ja dridhni, sapo hipni në pushtet!
Ja këtu, ku keni lerë, shisni mënd e mbahi zot!
Këta xhepa, kaq të mjerë, qese mbushur djers e lot,
Për ju janë aviar e verë, ha e pi e s’dëndi dot
Ju të rroni përngaherë, populli të vdesë që sot!
E pastaj na shkelni synë: “ndryshe jo nuk bëhet shtet!”
Do flijohet brezi ynë, pa të rrojnë të tjerë si mbret
Vitet njëri-tjetrin shtyjnë, ikën, shkuan dhjetra vjet,
Flok’ i zi na zuri brymë, jeta jone u bë qamet.
Vate jeta jonë vate, që të rrojnë ca zotrinj,
Nëpër vilat kate-kate, shesin pordhë si gjeninj,
Mjaft o popull u rropate për hajdutë e delenxhinj!
Më mirë fat’ i udhës sate, të drejtohej nga barinj!