Miltiadh Davidhi

O JU,VJOLLCËZA ERËMIRA!
O ju,lulet e fëmijërisë sime të shenjtë
Mbjellë nga dora e nënës sime ikur qiejve,
E që tani s’jeni më, ndjej mall t’u marr erë
Në atë shtëpi lulesh!
O ju,fijëza bari të kopshtit tim të braktisur,
Atje,në fshatin e lindjes, në Krutjen time,
Gjurmët e blerta kërkoj të luaj me to dhe njëherë,
Por s’po i shikoj!
Kam qenë refugjat në vendin tim.
O ju,vjollcëza ndjenjash erëmira të dashurisë
Së tim eti përkëdhelur e ujitur nga gishtërinjtë
E butë të shpirtit të tij,
Me ngashërim qaj, se nuk ju gjej!
O ju,zëra shokësh e shoqesh tretur në grimca ere e resh,
Që më lagin me shiun e kujtesës, ju them sërish,
Se ju kam dashur shumë!
O ju,dallgët e detit të dashurisë së kaltër njerëzore,
Që hidheni përpjetë të gëzuara për gjithçka
Të bukur të njeriut,e që mbyteni në ujëra trishtimesh
Mbi pllaka varresh të vdekura e kujtimesh,
Për të krijuar sërish dallgë të reja
Plot valëza të bardha lumturie e shprese,
Po ju them, se në ujin e ëndrrave tuaja
Dua të mbytem e të vdes!
O ju,duar të bukura vajzash e nënash të mira
Me ndjenja e dëshira të ylberta,
Me gjak e limfë dashurie të pashoqe,
Që gjalloni nëpër rrathë drite e rrathë ferri
E sërish na falni dashuri,
Me krenari ju them, se jam loti i gëzimit
E i dhimbjes suaj,
Prej materie të pavdekshme!