Urbane-Preng Maca

Preng Maca

urbane

dera u hap dhe ajo hyri.

kishte flokë të verdhë kaçurrela,

ishte krejt si të kishte zbritur

nga kjo ditë e bukur maji!

sytë i kish, si ky qiell mëngjesi,

mbi dy këmbë të drejta

derdhej trupi i saj i përkryer

dhe mbi atë trup

rrinte koka e saj e bukur.

ishim aq pranë unë dhe ajo

u ndodha krejt pa qëllim, pa dashje

zemrës sime,

(që thuajse e kisha harruar, se ku ishte)

ia ndjeva rrahjen.

ndodhi në aq pak minuta.

ajo as që më vinte re

e vështroja tinëz,

por ajo ishte mospërfillëse,

si mëngjesi i një dite,

kur ne zgjohemi, duke rënë në gabimin,

e mendimit,

se ai mëngjes ka ardhur vetëm për ne,

ndërsa e nisim poezinë me fjalët;

” ah ky mëngjesi im!”

të gjitha këto mendime më erdhën,

kur ajo ndodhej aq pranë meje.

urbani ndaloi tek Medresea.

ajo zbriti,

duke e lënë autobusin bosh

dhe mua në dëshpërimin,

që më pushtoi,

gjë që më ndodh,

kur më braktisin, befas, bukuritë!