Instrumente fryme-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

Instrumente fryme

        (cikël poetik)

ZOGJ REFLEKSI

Dëshiroj ta njoh, 

më shumë ta këqyr

se sa ta shëtis Parisin …

Ne, njihemi pak, fare pak,

shpesh e me shpesh

pëshpërima dashurish vetes shëtisim.

Asnjëherë s’udhëtoj vetëm

edhe nëse njeri tjetër

s’më frymon përkrah,

Era më tund përqark fëshfërima

pendulin e saj të ndjeshëm,

plot cijatje, letra 

të shkruara –

vena për gjithçka.

Miqësisht Parisin dëshiroj,

nuk mund të zgjohem askund pafundësisht,

për në Shan’s Elize pak, 

i gjithi vonohem

s’mënoj

në flatrat e Dashurisë.

A mund t’i shëtit 

kryq e tërthor

sheshet, parqet, katedralet, muzetë…

A mund t’i  këqyr 

të gjitha pamjet

me aroma, topagjyle, zogj e refleks ?

Mbi krye përjetësisht 

me një kryq

afër e tej çdo sfinksi

Parisin përpiqem 

ta njoh …

por më shpesh

ne ende 

tek njeri – tjetri shëtisim…

PARIS

Vajza ime dashuron një të panjohur

të panjohur për mua ende,

në sheshin Concord 

në të gjitha sheshet

ata luajnë sy duar 

buzë Sene,

ledhatohen nën kullën Eifel,

qielli sikur po nxiton t’ulet

t’i kaltërojë më thellë,

Galeria e Luvrit

u jep atyre

një penel 

nga piktori i fundit.

Plot buzagaze u jep 

mbrëmja

admiruesja i tyre 

prej lumi, luleje.

Këtu të butë janë gjembat

të guximshëm ca nga trillet,

dashuritë vjedhin dhe vidhen.

Vajza ime dashuron 

një të panjohur

për mua ende,

Parisi mjaltohet,

pa të dashuruar

mund të çmendet…

RETINA 

1.

Vajza ime për hir të dashurisë

njëherë jeton në Nurenberg

njëherë në Montpelje

pyjeve pa re të pyllit “Shushurimë”,

dallgëve kurora blu

të detit “Hare.”

Vajza ime për hir të çdo gjelbërimi

vrapon në pyll me hap romantik,

përhera kurorave blu zgjohet 

më shpejt lundrimi 

i atyre qe duhen

njësoj 

jo njësoj të gjithë.

2.

Vajza ime për hir të kurorave

fluturon në qytetin breg 

breg afsh francez,

çuditërisht pa e ditur 

as vet dashuria

dashurisht paska ardhur 

tek ajo 

më shpejt ?

3.                                       

Ooo, kjo fantazi, fantazia ime

mpleksur kokë rrëmuje 

sa herë më nxiti përpara, 

gëzuar

rrebesh nën rreze

dallgëve më shumë se blu

drurëve të pyllit plot farëra.

Sot ngahera përkrah jush 

eci pa u dukur 

më i afërm

me veshin pak të shurdhët

retinën më të kthjellët, 

syrin më të pastër.

FAMILJARE

Në familje kam botën, shoh botën 

në familje, familja herët çohet 

lahet kreh flokët,

ushqehet me erëza

ndahet

me puthje intime

në gjys’ të jetës

jetë të fjollës.

Pastaj vet bota, bota aq e madhe 

na merr vetes qetë rrëmujshëm,

kondakët e saj na gungojnë

ne të gjallëve

tek pijmë ditën, e shterrim plot lutje.

Në familje 

njoh botën,

në botë gjej familjen.

SHIROKË 

Nuk çoj vetëm një zemër

me shkrimet e mia 

për vajzën,

motrën,

një zemër zemërake 

e marrin të këqijat

lukth për veten

jo kodrën.

Çoj plot zemra jo rastësisht

për shirokën dhe gurin

agmimet jo farsën,

në trupin tim 

kumbon një kishë

për vajzën dhe motrën

për motrën dhe vajzën. 

Nuk çoj vetëm dallgëz.

INSTRUMENT 

Fëmijtë e mi 

bukurive fëminore 

dy mençurive

nga mëma e tyre

më shumë se 

gruaja ime.

Më shumë sesa mua

ajo sikur i mban ende

harlisje në duar.

Përkrah meje 

fëmijnorët

mëndjemprehtit,

dhe mëma e tyre

trio 

instrumentale

më njerëzorja për mua

në të gjithë 

planetin.