Manushaqe Hoxha Laçi

Kur zemra flet pa fjalë
Si mollë tu ban faqet, t’qeshi syni blu
Kur të preka belin, ambël më pe mu
“Du t’jesh i imi”, kallxonin sytë e tu
S’ma thoje asnji fjalë, veç qeshje lehtë
Me sytë që t’shndrisnin, i largoje retë
Zemra i fliste zemrës: “T’du përjetë”
S’më doli asnji fjalë, u ndala n’at çast
Koha u përkul, si dallgë me tallaz
N’mend m’mbeti pyetja: ç’ka t’baj me t’pas?!
M’ngjall si pranvera, me tanen ngrohtsi
Sytë t’flasin pa zâ, zemra t’thot:“n’krah t’mi rri”
Ti je rrezja që dashnia e ban kang e poezi
Ti s’flet me fjalë, por zemra jep shenjë
Çdo prekje e jotja, qet dritë si qibrenë
N’heshtje m’thirr, n’andrrën plot ndjenjë
N’buzëqeshje gjej strehë, n’sytë e tu paqe
Krejt bahet ma e lehtë, bo me t’mbjell n’bahçe
Zemra kërkon zemrën, moj lule manushaqe
Erdhe pa fjalë, por n’shpirt m’the m’duj
M’ban me t’ndje, si me t’pritë n’nji andërr t’huj
Kjo dashni u rrittë pa mbarim, pa frikë t’askuj
Se ti je vargu jem…e un jam rima jote
S’më ndan prej teje asgja e ksaj bote
******
Kur zemra flet pa fjalë (toskërisht)
Si mollë u skuqën, dy faqet e tua
Kur të preka belin, ëmbël më pe mua
“Dua të jem e jotja”, flisnin sytë e tua
S’më thoje asnjë fjalë, vetëm qeshje lehtë
Me sytë që të shndrisnin, i largoje retë
Zemra i fliste zemrës: “Të dua përjetë”
S’thashë asnjë fjalë, në çast u ndala
U përkul koha, sapo erdhi vala
Në mendje më mbeti, ajo e zemrës, fjala
Si mollë në pranverë, më ngjalle me ngrohtësi
Me sy m’flet pa zë, me zemër m’thua “rri”
Ti je poezia që shkruhet veç në dashuri
Zemra të jep shenja, por s’më flet me fjalë
Prushin më ndez, me prekje pa ndalë
Nga ëndrra plot ndjenja, nuk më lë të dalë
Gjej strehë në buzëqeshje, gjej paqe në sy
Gjithçka është e lehtë, kur pranë të kam ty
Zemra-zemrës i flet, të jemi bashkë të dy
Erdhe si pa fjalë, por le gjurmë në shpirt
Çdo ditë m’bën t’ndjej, si n’ëndërr t’kam prit
Kjo dashuri, zgjattë pa mbarim, pa frikë
Se ti je vargu im…dhe unë jam rima jote
Nuk më ndan nga ti asgjë e kësaj bote