Cikël poetik nga Arta Tagani

Arta Tagani


  1. Krahët

Krahë të zhgënjyer
drejtuar qiellit
në perëndime të rozta.

Fluturime zogjsh
kthime në fole krahësh
në muzgjet që fillojnë të përgjumen.

2
Fusion

Degët pa gjethe
përkulen nën qiellin e rënduar,
derdhin lot petalesh mbi rrugë.

Rruga e lagur
përtyp lotët e qiellit,
përzier me lotët e degëve
dhe hapat e kalimtarëve.

Përzierje lotësh,
ngatërrim i qiellit dhe i tokës,
stinë qarjesh
ku flitet me pëshpërima.

3

Danza qiellore

U shkëput…
Dridhshëm,
dridhshëm…
Dridhshëm po bie nën erën e lehtë,
duke u rrotulluar rreth vetes.
Venera,
për të fundit herë!

Ju bashkua të tjerave
që më parë
u ishin bashkuar tokës,
afër trungut të mocëm.