
Tetori muaj i letërsisë
E thënë ndryshe, muaj që përkon me lindjen e tre kolosëve të Letërsisë Shqiptare. Veprat e tyre madhështore janë ushqim dhe një bekim për shpirtin e mendjen tonë! Prej secilit kam shkëputur nga një copëz “shpirt” që të bën të reflektosh:
1.
Poeti i veprës: Pelegrini i vonuar, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo etj etj, i madhi Dritëro thotë: “Gabimi i një doktori varroset në tokë Gabimi i një arkitekti bie në tokë, ndërsa Gabimi i një mësuesi, ecën nëpër tokë.” Kjo e fundit është shumë më tepër e dhimbshme!
2.
I madhi Migjen thotë: “Kafshatë që s’kapërdihet asht,or vlla,mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi Kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin të tanë jetën e vet derisa të vdesin”
3.
I fundit, por jo për nga rëndësia, një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë dhe kombit shqiptar, Gjergj Fishta ka thënë: “Edhe hana do t’a dije, edhe dielli do t’ket pa, se përqark kësaj rrokullie, si Shqypnia vend nuk ka” Padyshim që nuk ka! Dhe sot, e thërrasim më fort se herët e tjera se duhet të lexojmë, duhet të lexojmë shumë. Leximi i një libri është përvojë që na ndihmon të rritemi emocionalisht duke zgjeruar intelektin, fjalorin, mënyrën sesi e shohim botën, sesi mendojmë, veprojmë apo edhe gjykojmë! Në fund, na ndihmon të bëhemi njerëz më të mirë. Kurioziteti, imagjinata, ndjesitë, shijet, kërkimi i diçkaje të bukur, përbën frymëzimin intelektual dhe shpirtëror jo vetëm të vetes tonë, por edhe vendit të cilit i përkasim. Duke lënë pas vepra të dashura, si një dritare me botën e kulturës. Se në fund, kjo është magjia e artit. Një vorbull e ëmbël, e butë, e cila të mbështjell në rrjedhën e saj për të na e veshur dhe zbukuruar shpirtin me ngjyra. Por fatkeqsisht teknologjia na ka mbërthyer aq shumë pas vetes, saqë duket se njerëzimi po shpallet përditë fajtor për “krime” ndaj librit.
Dashje pa dashje, jemi kthyer në armiq të tij. Janë të pakta herët, kur shoqërinë tonë e gjejmë të mbledhur në aktivitete kulturore apo artistike. Me keqardhje them se: Kemi humbur tërësisht interesin dhe ndjeshmërinë ndaj të bukurës. Kjo, është kriza më e madhe! Krizë, që rrallë herë dëgjojmë të flitet për të. Është për të ardhur keq, ku në tempullin që supozohet të gumëzhijnë zërat e të rinjve, studentëve, atje nuk shkel askush. Vetëm sytë e pikëlluar të zonjës pas banakut, të ndjekin me keqardhje, ndoshta për t’u shfajësuar për një “krim” që nuk e ka bërë dhe prej aty, me gjysmë zëri të uron mirëseardhjen!
Realiteti i hidhur ku përditë bërtitet për gjëra të pavlera, dhe LIBRIN, ai që është themeli i një shoqërie të emancipuar, e një shoqërie që synon të ketë standarte të larta, nuk e përmend askush. Kurrkund nuk bërtitet se duhet të jemi më tepër konsumator të tij dhe më pak të lokaleve, thashethemeve, jetës së natës, luksit apo makinave të shtrenjta. Se duhet të punojmë fort për të rritur numrin e bibliotekave, për të edukuar dhe mbjell brezave të rinj, dashurinë për librin dhe dritaren që ai të hap.
Se nuk duhet të hasim me kundërshtime të prindërve kur u kërkohet për të blerë një libër. Nëse duam që fëmijët të kenë mendje produktive dhe të ndritur, duhet t’i largojmë nga dukuritë negative të padobishme. Se është shoqëria jonë ajo që nuk ua hedh sytë tendave të librave dhe, është po prapë shoqëria jonë ajo, që rend si turmë mjeranësh drejt dyqaneve që shesin telefona dhe rroba të shtrenjta. Sa keq, sa keq më vjen për ne! “O, si nuk kam një grusht të fortë…” Një grusht të fort Migjenian, një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, ndaj prapambetjes së mendësisë së gurëzuar… Libri o njerëz, libri është dashuria e të gjitha kohërave. Ai që nuk të lë kurrë vetëm, ai që nuk të zhgënjen dhe që nuk del kurrë nga moda. Sepse edhe libri ka lule, ka plagë, ndaj pret ta bësh mik, për të udhëtuar së bashku. Nuk ka egzistuar dhe egziston asgjë që ia ul vlerën dhe rëndësinë e madhe që ai posedon. Ai nuk zbehet kurrë. Madje edhe mes këtij “pluhuri” teknologjik, shkëlqen si diamant. #paolamuçodemi