Dikur në Jerusalem pas kangjellave kam parë Palestinën…
A mund ta shoh lirshëm tani?!?
pas arritjes së paqes mes Izraelit dhe Gazës:
Kozeta Zavalani

“Drita e Paqes”
Mbi rërat e nxehta të Gazës,
ku dikur frynte erë dhimbjeje,
tani ngrihet një rreze e re,
një zë që thotë: mjaft luftë, duam jetë!
Lotët shndërrohen në pikla shprese,
fëmijët sërish po qeshin në rrugë,
zemrat që dikur ndaheshin me urrejtje,
sot kërkojnë të bashkohen me paqe.
Në Tel Aviv e në Rafah,
në çdo shtëpi e në çdo shesh,
përzihen lutjet e nënave
me këngët e dritës që s’ka kufij.
Zoti i jetës dëgjon nga të dy anët,
fjalën e mirë, jo pushkën që vret.
Paqja s’ka flamur as ngjyrë,
ajo është dritë që lind në shpirt.
Le të lulëzojë ulliri i shenjtë,
në tokën që njohu kaq lot e gjak,
le të rritet dashuria ndër njerëz,
si shenjë që jeta triumfon mbi zjarr…