
Kur gjelbëron fisnikëria
(baladë e njëkohshme me ullirin )
Qëndroj para teje i heshtur,
si para një gjyshi që s’ka vdekur kurrë.
me rrënjë që nuk lodhen, së mbajturi
një legjendë të gjallë , gjelbërimi .
Para teje fjalët më bien nga duart,
si kokrra të paarrira, pjekurimi.
At i lashtë, falmë,
që s’të ngrita dot një monument njeriu,
ashtu siç të përket:
me përunjësi, me djersë ,
si bir i të njëjtit dhe.
Faraonë , mbretër, perandorë
që aq shumë e deshën përjetësinë,
ndërtuan piramida,
me kocka e gurë
që të flisnin për ta,
kur vetë s’do kishin më,
as fron e as zë.
Turistë që vijnë, ngado
besojnë se prekin historinë
teksa bëjnë foto,
me sozitë e tyre, statuja në gurë – gri,
besojnë në trillin , e artit të ngrirë,
e pastaj , mashtruar paditurisë ,
ikin nëpër shi…
Por ti,
rojtar në këmbë i mijëra moteve,
rri këtu, përkundur erërave të Mesdheut,
me trupin, si një hartë plagësh,
degë përshkëndritur , nën diell ,
si kumte të dheut.
Gjenerali im , i thjeshtësisë,
me mantel të gjelbër mbi supe,
brenda çdo rrethi të trungut tënd,
me gjak, e me limfë prej drite,
përtërihesh në çdo stinë moti ,
me paqen e klorofiltë që ofron ndër vite,
kurorëzuar nga Zoti.
Kalojnë e s’të venë re ,
(madhështitë vishen me petk të padukshëm)
mashtruar nga shkëlqimi i botës së rremë .
Por ti, perandori im i gjallë,
-monument i tokës .
prej shekujsh ,në rrënjë ,
me degë që të gjelbërojnë në erë,
ruan arshivën e botës .
Kronikat , legjendat, flenë
nën lëkurën tënde,
si këngët e atyre që s’janë më.
E unë — kalimtar i një çasti që qëndron
para teje , i heshtur,
para fisnikërisë që gjelbëron,
e qetë,
përkundur erërave të Mesdheut ,
zë e flas me vete ,
me gjuhëz të blertë .
Tetor, 2025
—————————-