Blerta Basha

O ëndërr e bukur, erdhe kaq magjishëm,
E më zgjove ëmbël, zogj plot cicërima,
Mëngjes pranveror, një bust i lavdishëm,
Një lule në zemër, flet me psherëtima.
Në shpirt më strehove veç rrezet e diellit,
Fshehur midis buzëve, ti midis natyrës,
Syve mi dhe dritë, nga yjet e qiellit,
Fjala ime fshehur, mes tingujsh e ngjyrës.
Ah, ëndërr e bukur, mos ik kurrë nga unë,
Të shtrëngoj shumë fort, si retë një pikë shiu.
Të puth me mall shpirtin, fshehur nën një zhgun,
Të mbaj thellë në gjoks, si një jetë njeriu.