“TË MALLKUARIT ME ART” – BEKIMI I PËRJETËSISË
(Impresione nga promovimi i librit të Sadik Bejkos “Ad Infinitum”)
Nga Feti ZENELI



Ka njerëz që lindin për të parë më në thellësi të fjalës se të tjerët. Ata nuk shohin me sytë e zakonshëm të njeriut, por me sytë e shpirtit njerëzor aty ku drita e botës përzihet me errësirën e misterit. Frederik Rreshpja e kishte kuptuar këtë që “fëmijë”: se ishte “i mallkuar me art”, të shihte një tjetër realitet, një univers ku “…peshqit fluturonin drejt yjeve” dhe “zogjtë binin si borë mbi degë”. Kjo nuk është thjesht metaforë, por shenjë e atyre që mbartin në gjak e në shpirt, dritën dhe dhimbjen e krijimit artistik.
Të jesh i mallkuar me art do të thotë të jetosh në një kufi të përhershëm: midis qiellit dhe tokës, midis frymëzimit dhe mallit, midis dhimbjes dhe shpresës. Është një fat i rëndë, por edhe i shenjtë. Nuk është mallkim në kuptimin e zakonshëm; është flakë që të djeg për të ndriçuar të tjerët. Rreshpja e dinte këtë, ashtu siç e ndjen çdo shpirt që i flet botës me fjalë, me tinguj apo me ngjyra. “Mos e pastë njeri këtë fat!”, thotë poeti, dhe megjithatë ne, lexuesit, e kërkojmë këtë fat të tyre, sepse nëpërmes tij lind bukuria që na shpëton shpirtrat nga rëndomësia.
Në këtë radhë të parë të të “mallkuarve me art” qëndron dhe profesor Sadik Bejko; poet, studiues, eseist, një udhëtar i përjetshëm në horizontet e mendimit iluminues. Leximi i librave të tij është si një udhëtim pa bileta kthimi. Ai të fut në rrugë të atilla, ku fjala bëhet dritë, dhe historia e filozofia marrin frymë bashkë; ku gjuha shqipe, kjo “mbretëreshë e vjetër”, vishet me petkun e madhështisë e të shkëlqimit.
Sadiku nuk shkruan për t’u dëgjuar, por për të zgjuar; nuk shkruan për të dëshmuar dijen, por për të ndriçuar shpirtin. Ai është prej atyre krijuesve që e njohin heshtjen si bashkëbiseduese të fjalës. Ashtu siç thotë Stefan Cvajg, një njeri mund të bëhet filozof, historian e gjuhëtar pa hyrë kurrë në universitet, nëse ka fatin të lexojë libra të mirë. E librat e Sadik Bejkos janë pikërisht këta universitete të shpirtit, ku çdo faqe është një leksion për jetën, për kohën dhe për vetveten. Parë në këtë këndvështrim edhe “Ad Infinitum” nuk është thjesht një përmbledhje esesh, studimesh apo refleksionesh: është një udhëtim i gjatë në shtigjet homeriane të letërsisë sonë; nga vajtimi i Ajkunës që qan Omerin deri te zërat poetikë të ditëve të sotme. Ai nuk mbaron me faqen e fundit; përkundrazi, aty fillon udha e re e lexuesit; një rrugëtim në brendësi të mendimit, ku arti bëhet pasqyrë e shpirtit. Siç do të thoshte Emily Dickinson, “Për të udhëtuar larg, nuk ka anije më të mirë se një libër”. Dhe librat e Sadikut janë anije të tilla, që të çojnë në ato brigje ku heshtja flet dhe drita merr trajtë fjale. Sepse, duke perifrazuar Mark Tuein, me “miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e përgjumur…”, jeton një, “…jetë ideale”. Dhe në Sadik Bejkon, të gjitha këto gjenden bashkë: miku, libri dhe ndërgjegjja që zgjon shpirtin e fjetur të kohës sonë. Shekujt, nën penën e tij, nuk ndahen më: bëhen një frymë e vetme që endet në pafundësinë e fjalës.
Dhe në fund: a është mallkim, apo bekim të lindësh me art? Ndoshta të dyja. Sepse arti është kryqi i shpirtit të ndjeshëm, por edhe drita që s’shuhet kurrë. Dhe ata që e mbartin këtë aftësi janë dëshmitarë të përjetësisë, të mallkuar për të na bekuar ne të tjerët me bukurinë e fjalës.