Lavdia e heshtur e mësuesit-Ferit Toma

Ferit Toma

Drita e dijes nuk shuhet kurrë; ajo jeton në sytë e atyre që mësuam.”

Prozë nga Ferit Toma

Ka një zë të heshtur që flet më shumë se fjalët – zëri i mësuesit.

Ai nuk ngrihet për të bërë jehonë, por për të ndriçuar mendje. Dhe ndonjëherë, pikërisht kjo heshtje e tij fisnike, bëhet shënjestër e zilisë.

Sot, më shumë se kurrë, vërej një dukuri të trishtueshme: disa njerëz, të lodhur nga mungesa e dritës në vetvete, përpiqen të zbehin dritën e të tjerëve.

Disa mendojnë se profesioni i mësuesit ka humbur shkëlqimin, se fjala e tij s’ka më peshë në shoqëri.

Por sa të gabuar janë!

Sepse asnjë profesion nuk lind pa mësuesin.

Nga dora e tij mori udhë mjeku që shpëton jetë, juristi që mbron drejtësinë, inxhinieri që ngre ura, piloti që fluturon, poeti që frymëzon, dhe vetë politikani që udhëheq – të gjithë, njëherë e një kohë, kanë qëndruar përpara një mësuesi.

Mësuesi është rrënja që nuk shihet, por pa të pema nuk do të jetonte.

Ai nuk mban tituj të mëdhenj, nuk kërkon duartrokitje, por në çdo brez që rritet, gjallon diçka nga përkushtimi i tij.

Kur të tjerët matin suksesin me fitime, mësuesi e mat me dritën që sheh në sytë e nxënësve të tij.

Ndaj, mos e urreni mësuesin. Mos e nënvlerësoni lavdinë e tij të heshtur.

Ai është themeli mbi të cilin ngrihet çdo njeri, çdo profesion, çdo e ardhme.

Dhe kur të tjerët lodhen duke folur për veten, mësuesi qëndron i qetë – sepse ai e di që ka folur përmes qindra zërave që dikur e dëgjonin me respekt.

Në heshtjen e tij fshihet lavdia më e madhe – lavdia e njeriut që ndriçoi botën pa kërkuar kurrë të ndriçohej vetë.

Si mësues që po i afrohem fundit të udhëtimit tim në tempullin e diturisë, ndiej me shpirt se lavdia e mësuesit nuk matet me çmime apo duartrokitje.

Ajo matet me kujtimet që mbeten në zemrat e nxënësve, me mirënjohjen që të vjen papritur nga një zë i rritur që dikur të thërriste “mësues”.

Në atë çast të thjeshtë e të madh, kupton se puna jote nuk ka qenë e kotë —

se lavdia e mësuesit vërtet është e heshtur, por e përjetshme.