SHI I BUKUR
Cikël Poetik nga Miltiadh Davidhi

1-AJËR
E erës
Së syrit tënd,
Jam ajër
I pafuqishëm
Të lëviz
Një gjethe
Gëzimi.
2-HAPËSIRË BOSHE
Më dhëmb
Kjo hapësirë boshe
Me Hënë indiferente,
Si kambanë e ndryshkur
Nga mosgjemimi,
Me zogj të hutuar
Që s’dinë
Nga vijnë
E nga venë!
3-SHI I BUKUR
Ka njerëz
Që e përshkojnë
Jetën
Si teh thike,
Si tytë arme,
Unë si shi i bukur
Për ta shënjtëruar
Këtë tokë
Me farëra jete.
4-LULET
Lulet i falën aromë
Gjithë pyllit,
E unë u shtriva i dehur
Mbi kurora ëndrrash
I shpuar nga hala kujtimesh:
Ti s’ma fale aromën tënde
Si lulet!
5-GJURMËT E MIA
Si zemra të vogla
Kudo ku kane ecur,
Kanë pulsuar
Nga dashuria
Për njerezit.
O mos m’i lini
Gjurmët të lagen
Në shiun e harreses!
6-PA MBËSHTETJE
Gjethet
Mbahen prej degëve,
Degët
Prej trungjeve,
Trungjet
Prej rrënjëve…
Ditët tona
Mbetën
Me këmbët
Në erë.
7-DASHURIA
O Zot,
Fytyrën
Tërë rrudha,
Si lëkurë
Peme,
Po sa dorë
Të butë,
Si gjethe
Të njomë!
8-MJEGULL DASHURIE
Ç’më shtyn
Drejt teje?
Ti si pemë
S’lulëzon?
Si i goditur
Rrufeje,
Digjem
Kur pranë
Më kalon.
9-NË ËNDRRËN TIME
Në ëndrrën time, mbrëmë,
Hija jote
Me mua fjeti.
Për të mos mërdhirë
Me lëkurën e bardhë
Të trupit u mbuluam.
Për jastëk
Të njëjtën shpresë patëm,
Meqënëse ditën
Ti m’i fsheh sytë.
10-ERA E DASHURUAR
Nuk e di nga cili vënd
Erdhi këtu,
Në dhe të huaj
Kjo erë,
Se dhe erërat
Janë pelegrine të hershme
Si njerëzit.
Por, kështu, ëmbël
E butë
Nëpër gushë e faqe,
Më përkëdhelje
Veç ti.
Kjo erë duhet të jetë
Fryma jote e mirë.