Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Esat Demo Breshanaj, një nga ushtarakët e lartë kallaratas që i shërbeu atdheut me përkushtim e devotshmëri-Nga Besnik Gjonbrataj

Esat Demo Breshanaj, një nga ushtarakët e lartë kallaratas që i shërbeu atdheut me përkushtim e devotshmëri-Nga Besnik Gjonbrataj

– Nga Besnik Gjonbrataj –

Janë të shumtë ata kallaratas, të cilët pas pjesëmarrjes me pushkë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit, zgjodhën profesionin e ushtarakut, aq të bukur por edhe të vështirë, fillimisht si ushtarakë të thjeshtë, e mandej duke kryer shkollat e akademitë ushtarake brenda e jashtë vendit, arritën të bëhen kuadro të zotë e të kenë një karrierë të suksesshme në ushtri e polici.

Një nga këta është edhe Esat Breshanaj nga Kallarati që e filloi karrierën ushtarake si partizan i çetës “Hajredin Tremishti ” në një moshë fare të vogël e më vonë zëvendës komandant toge e komandant kompanie në Bigadën e 12 Sulmuese duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e betejat e zvilluara brenda e jashtë vendit dhe më vonë kuadër i lartë ushtarak.

KALLARATI, VENDLINDJA E ESATIT

Kallarati është një fshat i Kurveleshit të Poshtëm i trevës së Labërisë, që ashtu si fshatrat e tjerë është i shquar për patriotizëm dhe atdhedashuri, pjesëmarrës në të gjitha luftërat e betejat kur interesat e krahinës e të atdheut e kanë kërkuar një gjë të tillë. Kallarati, edhe pse fshat i vogël, e gjen me luftërarët e tij pjesëmarrës, gati në të gjitha formacionet luftarake të luftës duke dhënë kontributin e tij modest.

Në këtë mjedis patriotik e atdhetar më 15 mars 1927 u lind edhe Esat Breshanaj, në një familje me ndjenja të larta patriotike dhe atdhetare. Babai i Esatit, Demo Hajdin Breshani, u martua me Dudi Mejdi Bushen, një grua zonjë, e cila rriti, edukoi dhe nxorri në jetë katër fëmijë: Asprinë, (e cila një javë para martesës vdiq pasi u rrëzua në mal, ku kishte vajtur me shoqet për të mbledhur bar për mbushjen e stromës së martesës), Esatin, Bilalin dhe Zenepen, e cila u martua në Radhimë.

Esati shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, Kallarat, së bashku me gjithë moshatarët e tij. Më vonë jeta e tij, si e shumë bashkëfshatarëve, mori drejtim tjetër atë të përfshirjes në lëvizjen nacionalçlirimtare.

KONTRIBUTI I ESATIT NË LUFTËN ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE.

Ashtu si shumica e popullit shqiptar pushtimin fashist e nazist e pritën me urrejtje e armë në dorë, duke përfshirë edhe të rinjtë kallaratas. Si shumë bashkëmoshatarë edhe Esati që në moshë krejt të re u lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare që me fillimin e saj. Kështu në moshën 15 vjeçare, në janar të vitit 1943, del partizan dhe inkuadrohet në çetën “Hajredin Tremishti”. Merr pjesë në të gjitha luftimet që zhvillon kjo çetë. Më 20 Maj të vitit 1944 Esati së bashku me kallaratas të tjerë si: vëllezërit Cane e Sinan Strataj, Razip Karabollaj, Sejdi Begaj, Islam Janjaj, Bilal Shakaj, Belere Shakaj, Nesim Gjonaj dhe Zagoll Demiraj rreshtohet në radhët e Brigadës së 12-të Sulmuese me detyrë komandant kompanie. Brigada kishte marrë për detyrë të mbronte dhe të siguronte zhvillimin e punimeve të Kongresit të Përmetit. Më vonë kjo brigadë zhvilloi luftime në zona të ndryshme brenda e jashtë vendit, deri dhe në çlirimin e Vlorës.

KONTRIBUTI DHE KARRIERA  USHTARAKE E ESATIT.

Me çlirimin e vendit, Esati si shumë ish partizanë, por edhe bashkëfshatarë të tij, qëndroi në radhët e ushtrisë. Ishte koha kur vendi kishte nevojë të konsolidonte dhe forconte mbrojtjen e vendit. Ishta koha kur ushtrisë i duheshin njërëz të besuar dhe të përkushtuar ndaj atdheut dhe kush më shumë se lebërit mund të tregonin besnikëri ndaj pushtetit të sapo dalë nga lufta!

Pushteti i asaj kohe, partizanët e rinj dhe ata më të zotë e trima i bëri pjesë të ushtrisë popullore të pasluftës dhe më vonë i dërgoi të shkolloheshin jashtë vendit, kryesisht në vendet fituese të luftës së dytë botërore. Kështu në vitin 1947, krahas shumë ushtarakëve të tjerë, Esati dërgohet për studime në ish Jugosllavi për 2 vjet. Pasi kthehet nga këto studime, tashmë me dije më të thella të artit ushtarak, emërohet me detyrë në  Forcat e Kufirit ku shërbeu në shumë qytete kufitare të vendit nga Gjirokastra, Delvina, Kavaja e Korça derisa në vitin 1958 shkon përsëri për studime jashtë vendit, kësaj radhe në Akademinë Ushtarake në Moskë.

Me kthimin nga studimet nga Moska Esati përsëri shërbeu në disa qytete kufitare si Sarandë, Korçë, Pukë e derisa kthehet në Tiranë në Ministrinë e Brendshme në detyra të ndryshme derisa doli në pension në vitin 1984.

MARTESA, FAMILJA DHE SAKRIFICAT E PROFESIONIT USHTARAK

Në vitin 1949, Esati u martua me Bejushe Çelën, bijë nga fisi i njohur i Çelajve të Terbaçit. Ata lindën dhe rritën me sakrifica pesë fëmijë: Bedriun (ndarë nga jeta), Maksin, Nikon, Robertin dhe Shqiponjën.

Rast i rrallë që të pesë fëmijët kanë lindur në zona dhe qytete të ndryshme kufitare. Të qenit ushtarak, aq më tepër oficer kufiri, jo vetëm përballte Esatin me sakrifica të shumta, por i bënte ato pjesë të jetës së përditshme të gjithë familjes.

Jeta e ushtarakut është e lidhur me fatet e atdheut dhe me lëvizjen aty ku ai ka nevojë — prandaj familja nuk e ka kurrë të garantuar një qytet të vetëm për të jetuar dhe për fëmijët të rriten të qetë e të qëndrueshëm.

Pikërisht për këtë arsye, djali i madh Bedriu lindi në Jorgucat, Maksi në Delvinë, Nikua në Kavajë, Roberti në Bilisht dhe Shqiponja në Korçë. Ky udhëtim i shpërndarë në gjithë hartën e Shqipërisë është dëshmi e qartë se sakrificat e profesionit ushtarak i mbante mbi supe jo vetëm ai që vishte uniformën, por edhe familja që e ndiqte besnikërisht.

Të gjithë fëmijët u edukuan me ndjenjën patriotike dhe atdhetare. Bedriu trashëgoi profesionin e të atit, Niku shërbeu për shumë vite si ushtarak, ndërsa Shqiponja punoi si civile në një repart ushtarak. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe — ushtria kishte nevojë për njerëz të besës dhe me karakter të fortë, cilësi që Esati arriti t’ua përcillte fëmijëve të tij.

TRANSFERIMI NË TIRANË I ESATIT, DALJA NË PENSION DHE KONTRIBUTI I TIJ NË ORGANIZATAT SHOQËRORE.

 Pas më shumë se 30 vjet shërbimi si ushtarak anembanë Shqipërisë nga jugu në veri, në vitin 1973  Esati familjarisht do të transferohej nga Puka e do të vendosej në Tiranë, në detyrën e komandantit të Brigadës së Kufirit në Ministrinë e Brendshme, afër miqve, shokëve, të afërmve, por edhe bashkëfshatarëve dhe pas daljes edhe në pension në vitin 1984 do të kontribuonte edhe më shumë ndaj shoqërisë si veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe si ushtarak veteran me një eksperiencë të madhe, por edhe ndaj vendlindjes së tij Kallaratit, të cilin e kishte mjaft për zemër, dashuri të cilën e kishte kultivuar edhe te fëmijët.

VLERËSIMI I KONTRIBUTEVE TË ESATIT PËR SHËRBIMIN SI USHTARAK NDAJ ATDHEUT.

Një jetë e tërë për Esatin duke kontribuar për mbrojtjen e vendit, kryesisht në frontin më të vështirë, në kufi, atje ku duhej më tepër përkushtim e sakrificë, duke i marrë me radhë gati të gjitha qytetet nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Por e gjithë kjo punë e sakrificë e Esatit në mbrojtje të vendit nuk ngeli pa u vlerësuar, të paktën moralisht. Për punë të mirë dhe besnikërinë ndaj popullit dhe Atdheut Esati është dekoruar me urdhera dhe medalje të ndryshme nga Kuvendi Popullor si: Medaljen e Trimërisë, Kujtimit, Çlirimit, Urdhërin e Trimërisë “Skënderbeu” të Klasit të I-rë dhe të II-të, e të tjera.

Përveç dekoratave e medaljeve, vlerësimi më i madh mbetet vlerësimi dhe besimin që kolegët dhe vartësit kishin për të, vlerësim i cili buronte nga sjellja, kultura, edukata, profesionalizmi dhe përkushtimi që ai kishte ndaj detyrës. Ky vlerësim i njerëzve të thjeshtë mbetet ai që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës, biles edhe pas ndarjes nga jeta.

NDARJA NGA JETA E ESATIT DHE BASHKËSHORTES BEJUSHES.

Esati pas daljes në pension, në kohën më të mirë që duhej të gëzonte, në vitin 2002 pësoi një paralizë, ku me gjithë kujdesin shëndetësor të shtetit dhe të familjes më 27 shtator 2007 u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare. Edhe bashkëshorta e tij Bejushja, edhe pse jetoi disa vite më vonë, më 12 shkurt 2016 u nda edhe ajo nga jeta, duke lënë të dy si prindër trashëgim te fëmijët, dashurinë dhe respektin ndaj njerëzve, ndaj shoqërisë dhe ndaj atdheut.

Do të kalojnë vite dhe Esati së bashku me bashkëshorten, Bejushën do të kujtohen nga fëmijët, nipërit e mbesat, por edhe nga bashkëfshatarët e tyre si njerëz me vlera të larta morale, shoqërore dhe intektuale.

 Shënim: Në përgatitjen e këtij shkrimi u shfrytëzuan të dhënat e dërguar nga njëri prej djemve të Esatit, Maks Breshanaj.