Vullnet Mato
KUJTESA E HARESHME…

Sa herë të kujtoj ty, për së largu,
hijeshia jote, mua sërish më deh.
Ndjej në frymë, aromë zambaku,
zemra si zog, fillon më rreh!…
Ti vjen befas, me të dikurshmet kujtime,
më mban gjallë, ëndrrat e përhershme,
më sjell ndërmend, të fshehtat takime,
kur ishe buzëqeshja ime e hareshme!…
Ti ishe kënga që më rrinte në vesh,
ishe bilbili, që ligjëronte në pyje,
ishe ylli, që me sy të kërkoja shpesh,
si nën qiellin, me miliarda yje.
Ishe zambaku im, brenda shpirtit,
që më ftoje zemrën për dashuri!…
Unë vija si dielli, në ditët e dimrit,
ëmbëlsoja buzët në nektarin, që pikoje ti.
I kam hedhur sytë, çdo bukurie në mote,
por tek ti mësova, për të dashuruar.
Mora zemër, nga ajo zemra jote,
të mbaj gjallë, kohën e shkuar…
Për ty, malli, më rri ende zgjuar,
dhe më bredh në ato përfytyrime rinore,
kur u shmangesha, syve të përgjuar,
mos pengonin bukurinë tënde vajzërore.
Në më kërkofshin sërish, vitet e kaluara,
më përpara, do të vij patjetër tek ti!
të puth fort, ato buzë të flakëruara,
një gllënjkë dashuri, tek ti të pi!…
Do vij sërish, me ato hapa shprese,
do vij, ashtu siç vija, krejt i qeshur,
të rrufis ato buzë, me piklat djerse,
që dridheshin, nga dëshira e fshehur!…
Ishe e bukur, perri, me etje të zjarrtë,
me sy, direkt në zemër, për të shigjetuar.
Ishe më tepër, se një mrekulli e shtatë,
po për mua, nuk ishe fat i shkruar!…