


Dhe dëshmia e Safa Vlorës
Gëzim Llojdia
1.
Dita e flamurit kombëtar, kur u shpall independenca jonë, ka edhe shenjat e saj kryesore. Mes tyre, në vëmendjen tonë do të ndalemi tek tre: godina ku u ngrit flamuri, flamuri i ngritur më 28 nëntor, dhe akti me dy fletë i shpalljes së pavarësisë.Kur shkojmë në Vlorë, duam të kërkojmë dy nga tre këto shenja, ku gjenden dhe gjurmët e asaj kohe .
Që prej asaj dite historike, kur në qytetin jugor të Vlorës u ngrit flamuri, kombi shqiptar ka kaluar më shumë se një shekull jetë. Kur vizitojmë Vlorën, shpesh kërkojmë pikërisht këto shenja të historisë banesën ku u ngrit flamuri dhe çdo gjurmë të asaj kohe.
-Pra një pyetje e thjeshtë është kjo ku gjendet banesa ku u ngrit flamuri?
Sot, përveç ndërtesës në qëndër të E.Vlorës te sheshi i Flamurit dhe pranë detit, një ndërtesë e dytë që ka shërbyer si vendstrehim i qeverisë së Vlorës, e kthyer tashmë në muze kombëtar.
Kompleksi muzeal dhe historik i Vlorës ndahet në dy pjesë kryesore:
– Sheshi i Flamurit, ku ndodhet lulishtja e flamurit dhe varri i plakut të ndritur të shtetit, Ismail Qemalit, mbi të cilin ngrihet statuja e Flamurtarit, vepër e mjeshtrit Odhise Paskali.
Pikërisht në vitin 1932 u vendos varri monumental.
Sefa Vlora shkruan:
…“Në ceremoninë e përmotshme, kur u varros për herë të parë në Kaninë, as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpinë e tij. Të gjitha faqet e maleve dhe brigjeve përgjatë udhëtimit ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e popullit, dhe një kurorë që ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit, derisa dha frymën e fundit. Edhe transferimi i dytë i trupit të tij nga Kanina në Vlorë, në vitin 1932, pati formë zyrtare, por sërish populli i madh e i vogël u mblodh vetiu në Sheshin e Lirisë për të nderuar Birin e tij të Madh.
Varrimi në Lulishten Popullore të Vlorës ishte një mendim i drejtë, sepse kësisoj qeveria ia linte popullit detyrën për ta ruajtur, duke e pasur pranë vendit ku ai kreu veprën e tij historike.”
Në “Kalendari Kombiar” të vitit 1900, poeti i ri i kohës, Dulce J. Baba, i kushton këto vargje Ismail Qemalit:
Fryte, dritë e Shqipërisë,
Jashtë nga qytet i errët,
T’i veç dërmen dhelpërisë
E të gëzoc ne të mjerët.
Ti që kur dole në jetë,
Që kur bëri nëna djalë,
Kokën e mbajte përpjetë,
Edhe shpirtin zjarr e valë.
Dhe në këtë shesh gjënden edhe shtëpia që ka mbetur e Eqrem Beut.
2.
Po aty ndodhet edhe shtiza e flamurit. Ndërtuar në vitin 1937, kur poeti Ali Asllani ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në atë kohë u ngrit edhe “Shtylla e Flamurit Kombëtar”.
Duke vijuar rrëfimin historik, S. Vlora shkruan:
…“Ismail Qemal Bej Vlora ka lindur në Vlorë më 16 të Vjeshtës së Dytë, në vitin 1844, në shtëpinë e Familjes Vlora.
Vdiq në Perugia të Italisë më 24 janar 1919. Fillimisht u varros në avllinë e teqesë së Kaninës, sipas porosisë që kishte lënë vetë.
Më vonë, me vendimin e qeverisë Mbretërore të Shqipërisë, u varros në lulishten popullore të qytetit të Vlorës. Lulishtja, së bashku me ndërtesat që ndodheshin aty, kishin qenë prona të familjes së tij. Këto prona iu shitën Bashkisë së Vlorës në vitin 1919. Ismail Beu lindi në godinën e njohur si ‘Haremet’.”
3.
Banesat e familjes Vlora në atë kohë quheshin saraje. Këto banesa përbëheshin nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëk, siç na e sjell në kujtesë edhe Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij.Godina e flamurit, sipas fotografisë që qarkullon gjerësisht në botime dhe sipas skicës së ruajtur deri sot, duket një ndërtesë e madhe, si në lartësi ashtu edhe në gjerësi. Një maket i kësaj banese, ku u ngrit flamuri në Vjeshtën e vitit 1912, gjendet sot në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Skelë të Vlorës.
…Në fotografinë origjinale shfaqen tre nga katër katet e banesës, siç e përshkruan edhe Eqrem bej Vlora. Janë pikërisht këto tre kate të ndërtesës historike që u rrafshua rreth vitit 1925. Edhe vitin e shkatërrimit e sjell i njëjti dëshmitar. Ndërsa nga skica e sarajeve të familjes Vlora mendohet se ato janë shembur në vitet ’20.
Pozicioni i banesës historike.Ajo ndodhej pikërisht në vendin ku sot është Monumenti i Flamurit, i inauguruar në vitin 1972, një monument monumental 17 metra i lartë, i ndërtuar në bronz. Pjesa tjetër e sheshit shtrihet drejt lulishtes së flamurit, ku ndodhet varri i Ismail Qemalit, i shoqëruar me skulpturën “Flamurtari”, vepër e Odise Paskalit.
Eqrem bej Vlora shkruan:
…
“Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve që nga Rruga e Skelës të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure tetëmetërshe dhe me dy porta, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshirë haremin (banesa e grave) dhe selamllëkun (banesa e burrave).”
Përshkrimi i selamllëkut (banesa e burrave).Ndërtesa kishte tre kate, me një numër të madh dhomash, korridore dhe ambiente të tjera. Në pamjen e parë të fotografisë, në krahun e majtë, dritaret e çdo kati janë të dallueshme:
Kati i parë: dritare të vogla, të larta e të ngushta, të gjitha me hark. Në foto duken rreth 6, por në fakt kanë qenë më shumë.
Kati i dytë: rreth 7 dritare me forma të çrregullta. Aty ku u shpalos flamuri, dritarja është më e madhe dhe shërbente edhe si derë hyrëse. Përballë saj shihen qartë shkallët që zbresin drejt tokës.
Kati i tretë: dritare drejtkëndëshe, pa hark, rreth 8 në anën e majtë. Në anën e djathtë shihen tre dritare të vogla dhe një e madhe, me të njëjtën rregullsi.
Kjo ndërtesë ishte shtëpia e Xhemil bej Vlorës, kushëririt të Ismail Qemalit.
Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen e 28 Nëntorit mbështesin faktin se delegatët u mblodhën pikërisht në këtë shtëpi. Godina trekatëshe ndodhej në të njëjtin vend ku sot është Monumenti i Pavarësisë.
Duke iu referuar sërish Eqrem bej Vlorës, nga dëshmitë autentike kemi shprehjen:
“U mblodhëm të gjithë në selamllëk …”
çka tregon qartë se ngjarja është zhvilluar në sarajet e Xhemil beut.
Një maket i sarajeve Vlora ku u ngrit flamuri gjendet aktualisht në muzeun kombëtar të Pavarësisë në Skelë.Mirëpo ky maket ka paraqitur vetëm 2 kate të ndërtesës pra atje ku u ngrit flamuri. Në këtë maket të punuar pas çlirimit të vendit kur u shpallë muze kombëtar,shohim ndërtesën e flamurit e cila tregon vetëm dy nga tre katet të godinës së flamurit.
Kati i tretë paraqitet me 17 dritare të cilat sipas ideatorit përfundon secila me hark,gjë që nuk është në origjinalin e saj. Kati i dytë ,ai sipas këtij maketi ku u ngrit flamuri,ka 11 dritare dhe vend-hyrjen,çuditërisht këtu dritaret paraqiten drejtkëndëshe ku në të vërtetë në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullte disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë në formë trekëndëshi.
4.
Shtëpia e Vlorajve ajo që ka mbetur nga koha ndodhet vetëm disa 1metra larg Sheshit Historik të Flamurit dhe sot përbën pjesë të kompleksit muzeal-historik të qytetit. Ajo njihet zyrtarisht si Shtëpia e Vlorajve.
Sheshi i Flamurit, bashkë me monumentin e tij, ka pamjen muzeale që kanë objektet historike. Brenda sheshit ndodhen edhe godina të tjera, si ajo e bankës, rruga “Justin Godart”, sahati historik, godina e bashkisë, rruga e hebrenjve, etj.
Nga shtëpitë e fisit të Vlorajve një fis me shumë degë, prej të cilave njëra është edhe ajo e Ismail beut kanë ekzistuar disa ndërtesa.
Shtëpia e Xhemil beut, ajo e Syrja beut dhe ajo e Eqrem bej Vlorës.
Pikërisht në shtëpinë e Xhemil beut erdhi në jetë “engjëlli shqiptar”, siç e quajnë shumë historianë, Ismail Qemali. Këtë fakt e dëshmojnë si studiuesit, ashtu edhe kujtimet e Eqrem bej Vlorës.
Megjithatë, siç thekson studiuesi F. Shaska, pasardhësit e Ismail Qemalit edhe pse disa prej tyre banonin në Tiranë nuk janë ftuar asnjëherë të marrin pjesë në ceremonitë zyrtare të 28 Nëntorit.
Pasuria e familjes Vlora.
Sipas vajzës së Eqrem bej Vlorës, familja zotëronte koleksione të vyera të trashëguara brez pas brezi:25 sahate antike floriri, të cilat më pas u shitën,koleksione armësh, pistoleta të punuara me argjend dhe të zbukuruara me gurë të çmuar,një bibliotekë e pasur,antikuarë e xhevahire të rralla.
Këto dëshmi tregojnë jo vetëm pasurinë materiale, por edhe kulturën dhe historinë e vyer të familjes.
Sarajet e Vlorajve.Sarajet përbëheshin nga dy godina madhështore, pronë e Xhemil beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit. Ato ndodheshin në vendin ku sot është Sheshi i Flamurit, pikërisht aty ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e Madhe.
Kuvendi i 28 Nëntorit u mblodh në pjesën e sarajeve që quhej Selamllëku godina më e madhe e kompleksit, e cila sot përkon me pozicionin përballë hotel “Sazanit”.
5.
Ngritja e flamurit u realizua në dy momente.
…Fillimisht në ballkonin e katit të dytë që shërbente njëkohësisht si hyrja kryesore e godinës dhe më pas në një nga dritaret e të njëjtit kat. Pikërisht kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet “Shtiza e Flamurit.Nga ky akt historik nuk ekzistojnë fotografi, sepse në atë çast mungonin fotografët.
Por fotografia që njihet sot, ku Ismail Qemali shfaqet duke ngritur flamurin në ballkon, u realizua një vit më vonë, më 28 nëntor 1913, në godinën ku u vendos Qeveria e Përkohshme në Skelë.Sarajet e Vlorajve mbijetuan deri në vitin 1925, kur u prishën për t’i lënë vend ndërtimit të Lulishtes së Madhe në Sheshin e Flamurit.
6.
Zhvendosja e pasardhësve të Vlorajve.Pinjollët e familjes së njohur u sistemuan në banesa të tjera.Syrja Beu (babai i Eqerem bej Vlorës) u vendos disa metra më tej, në godinën që sot njihet si “Shtëpia e Beut”.Ndërsa Siri Beu u zhvendos në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot gjendet njëra nga vilat e shkatërruara të ish-udhëheqjes komuniste.
7.
Historia e Shtizës së Flamurit.Skema e Shtizës së Flamurit u konceptua dhe u ngrit pak vite më vonë, me nismën e Patër Anton Harapit dhe Don Markut. Ajo është ndërtuar dhe rindërtuar disa herë në pozicione të ndryshme, derisa vendndodhja e sotme u përcaktua pikërisht në pikën që përkon me dritaren ku Ismail Qemali ngriti flamurin më 28 nëntor 1912.
Edhe lartësia aktuale e shtizës përputhet me lartësinë e katit të dytë të godinës së Vlorajve.
Shtiza e Flamurit, në formën e saj përfundimtare, u realizua nga Ali Asllani, i cili ka shërbyer dy herë si kryetar bashkie i Vlorës.
…Shtiza e Flamurit.Shtiza e Flamurit është vendosur në pikën që mendohet se përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut, aty ku u ngrit flamuri pasditen e 28 nëntorit 1912.
F. Paskali, e bija e skulptorit Odise Paskali, ka shkruar:
“A e dini që shtiza ku ngrihet flamuri kombëtar çdo 28 nëntor në qytetin e Vlorës është krijuar nga babai im, Odhise Paskali, në vitin 1932? Që memoriali i varrit të Ismail Qemalit, me figurën e Flamurtarit, është vepër e babait tim? Që këto dy vepra janë inauguruar më 28 nëntor 1932, pra 75 vjet më parë?”
6.
Historia e godinës në Skelë.Le të sqarojmë arsyen e ndërtimit të godinës dhe funksionin e saj gjatë periudhave të trazuara pranë Skelës. Deri në vitin 1932, ndërtesa kishte funksionuar si muze arkeologjik. Objektet e ekspozuara aty ishin kryesisht gjetje nga gërmimet e Leon Rey në qytetin antik të Apollonisë. Sipas burimeve historike, ajo vazhdoi të kishte të njëjtin funksion deri në vitin 1939.Në vitin 1939, pushtuesit italianë dogjën ndërtesën ku më parë kishte qëndruar Qeveria e Vlorës. Ndërtesa u rindërtua në vitin 1962, duke ruajtur stilin dhe pamjen e saj të mëparshme, para shkatërrimit të vitit 1939. Pas rindërtimit, ajo funksionoi si Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, ku u sistemuan fotografi, dokumente, armë, vepra arti dhe relike të personaliteteve të Rilindjes dhe Pavarësisë.
Kur u vendos Qeveria e Vlorës në këtë godinë?Kjo pyetje merr përgjigje nga Eqrem bej Vlora, një nga pasardhësit më të shquar të familjes. Ai përshkruan kështu mbërritjen e Ismail Qemalit në godinë:
“Në fund të marsit Ismail beu u kthye nga Londra, veçse nuk erdhi më për të banuar në shtëpinë e Xhemilit, por zuri në Skelë atë vilën e vogël, por shumë të këndshme të karantinës, që administrohej nga Komisioni Ndërkombëtar i Shëndetësisë…”
Në këtë ndërtesë është realizuar fotografia e përshkruar më sipër, si edhe fotografia më e njohur që ka qarkulluar në Shqipëri dhe jashtë saj, e cila dokumenton vitin e parë të Pavarësisë dhe qeverisjen e Ismail Qemalit në ballkon.
Në këtë godinë ndodheshin edhe zyrat e Lef Nosit, Mehmet Dërhallës, Luigj Gurakuqit, si dhe salla e kabinetit ministror, ku mblidhej Qeveria e Vlorës.
7.
Flamuri.Gazeta “Liria e Shqipërisë” e Sofjes.Një gazetë në gjuhën shqipe botohej në Sofje të Bullgarisë. Kjo gazetë dilte një herë në muaj, siç e shpallte edhe në ballinë, dhe emërtohej “Liri e Shqipërisë”. Numri i saj i datës 6 janar 1913, pra vetëm një muaj pas shpalljes së Pavarësisë, kanjë lajm që përbën rëndësi të madhe historike. Drejtor i saj ishte Kristo Luarasi.
Kristo Luarasi ishte një veprimtar i shquar i Rilindjes. Ai ishte ndër themeluesit e shtypshkronjës “Mbrothësia”, u angazhua në luftën kundër pushtuesve osmanë me çetat e Bajo dhe Çerçiz Topullit, mori pjesë në kryengritjet e viteve 1909-1912 dhe dha ndihmesë të madhe për përgatitjen dhe zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Vdiq më 8 korrik 1934.
Gazeta botohej nga Luarasi dhe anëtarët e shoqërisë “Dëshira”. Në programin e saj thuhej:
“Do të veprojmë me mish e me shpirt duke përhapur diturinë dhe ndjenjat kombëtare mbi kombin tonë të dashur, që të shpëtojë nga padija dhe errësira.”
Gazeta botohej rregullisht nga viti 1911 deri në 1916, dhe më pas në mënyrë të parregullt gjatë viteve 1916-1917. Në të shkruanin figura të rëndësishme të mërgatës shqiptare dhe arbëreshe, si: Asdreni, Luigj Gurakuqi, Jani Vruho, Adem Zhgaba, Zisi Ziko, Hil Mosi, Aleksandër Xhuvani, Agostin Ribeko etj.
Në numrin e 6 janarit 1913, faqen e parë e zë një fotografi me mbishkrimin:
“Të proklamuaret e vetëqeverimit të Shqipërisë më 15/28 Vjesht e 3-të 1912 në Vlorë.”
Në këtë pamje shfaqet flamuri i ngritur në Vlorë, ai me thekë dhe me shqiponjë, pra flamuri që Spiridon Ilo solli nga Bukureshti.
8.
25-vjetori i Pavarësisë ku ishte flamuri origjinal?Kur u mbushën 25 vjet nga shpallja e Pavarësisë, në vitin 1937, shumë delegatë dhe firmëtarë ishin ende gjallë. Por ndodhi diçka e papritur: nuk u gjendën flamujt origjinalë, as ai i Spiridon Ilos, as ai i Eqrem beut.
Studimet dhe faktet e deritanishme çojnë sërish tek flamuri që solli Spiridon Ilo nga Bukureshti.
Pse bie poshtë varianti i Eqrem beut?Sipas hulumtimeve, flamuri i Eqrem beut bie poshtë sepse ai ndodhej në Kurvelesh, në front përballë armikut, dhe mbërriti me vonesë në Vlorë. Ndërkohë, udhëtimi i delegacionit nga Bukureshti drejt Vlorës ishte i organizuar në mënyrë të përkryer, pasi ata e dinin se ceremonia e shpalljes së Pavarësisë kërkonte domosdoshmërisht praninë e flamurit kombëtar.Delegacioni kishte një mision të qartë, të menduar dhe përgatitur paraprakisht: shpalljen e Pavarësisë, ngritjen e qeverisë provizore, krijimin e senatit dhe të institucioneve të shtetit të ri shqiptar.
9.
Vështirësitë në gjetjen e flamurit pas 25 vitesh,Edhe pse kishin kaluar mbi 25 vjet, polemikat për flamurin vazhduan në shtypin shqiptar. Kjo sepse në kohën e ngjarjes mungonin mjetet e regjistrimit dhe dokumentimit.Në janar të vitit 1937, kur po afrohej festivali i 25-vjetorit, u kuptua se:
-flamuri origjinal nuk gjendej askund,
-ndërsa akti i shpalljes së Pavarësisë ruhej nga Lef Nosi.
Polemikat shtoheshin, dhe shtypi i kohës e ngriti shumë këtë çështje. Në një letër të botuar në gazetën “Drita” më 17 janar 1937, me titull “Hartuesja e flamurit që valoi në Vlorë për shpalljen e pavarësisë tonë”, Kristo Floqi jep të dhëna të rëndësishme që ndihmojnë zbardhjen e historisë së flamurit.
9.
Kërkimi për gjetjen e flamurit origjinal ka qenë një rrugëtim i gjatë. Flamuri i kuq, me shqiponjën e zezë hyjnore, u mbajt nga dora e Ismail Vlorës. Ai flamur ishte i shenjtë, gjeti shtigje, njerëz dhe miq për të kryer aktin e Pavarësisë. U bë shenjtor me gjak e kockë shqiptari të vërtetë.
Një shekull e ca pavarësi u tret, por ne ende e kemi në mendje flamurin që ngriti dora e tij, atë flamur që ndriçoi shpirtrat atë pasdite kur u valëvit nga dritarja e mesme e divahanit të Xhemil Vlorës, dhe pas tij Spiridon Ilo nxitoi ta mbërthente në parmak.
Ai është udhërrëfyesi ynë në kohë luftërash, në mot të lig, në paqe të brishtë. Për atë flamur jepej besa, bëheshin betime burrash. Për ty, flamur!
Një shekull e ca u tret që nga ngritja e tij. Zgjoheshim nga një gjumë i gjatë, në një “det pa rërë e guaska”, në një “natë pa hënë e yje”.
Ku ndodhet flamuri ynë që u ngrit më 28 Nëntor? Cila dorë ia vuri flakën? Kush do ta shpëtonte këtë vend që akoma i nxinte fytyra nga “kroma otomane”?
Ka të dhëna se për flamurin janë bërë kërkime që prej ditës kur ai u zhduk. Hulumtimet kanë vijuar për dekada. Janë hedhur ide të panumërta për flamujt që u ngritën në Vlorë, dhe shumë pretendime për secilin prej tyre si flamuri origjinal. Në studimet e kohës, rrethi i kërkimeve u ngushtua deri në tre variante kryesore. Por, gjatë gjithë kësaj periudhe, mungoi një kërkim i thelluar dhe i specializuar nga ekspertët.Për të gjetur një objekt historik të humbur, duhen hapur arkiva, duhet studiuar çdo objekt që qarkulloi në atë kohë kur mungesa e lajmeve ishte e madhe sidomos gjatë periudhës 1945-1990, kur nga jeta u larguan shumë firmëtarë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjes.
Kartolina, dokumente postare, gazeta, monedha, pulla postare, rodhanë, koleksione, botime, kujtime të gjitha duhen hulumtuar. Nga shtypi i kohës janë hedhur tre variante për flamurin origjinal. Por dëshmia që përputhet më shumë me dokumentet dhe faktet historike është se flamuri që u ngrit në pasditen e 28 Nëntorit në sarajet e familjes Vlora, për shpalljen e Pavarësisë, ishte flamuri i Spiridon T. Ilos.
10.
A gjendet flamuri origjinal?Flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 nuk ekziston më. Ai është djegur nga armiqtë e kombit shqiptar. Edhe dy flamujt e tjerë që përmenden në gazetën “Dielli”, sipas shkrimit të Qerim Panaritit, nuk ruhen më. Q.Panariti shkruan:
“Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz një vit më parë se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë. Detyra e mbajtësit të flamurit iu ngarkua z. Naçi Nuçi, ish-mësues i gjuhës shqipe në Korçë.”
Sipas kujtimeve të Eqrem bej Vlorës, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 ishte flamur personal dhe pronë private e Ismail Qemalit, të cilin e ruante në shtëpi si kujtim. Ai ishte dhuruar në vitin 1909 në Paris nga një pinjoll i familjes Kastrioti, don Aladro Kastrioti.
Gjurmimi i të dhënave nga shtypi shqiptar tregon se i biri, Vangjo Ilo, ka bërë të ditur se Spiridon T. Ilo e mori flamurin që zbukuronte sallën në mbledhjen e 5 Nëntorit 1912 në Bukuresht dhe e solli në Vlorë më 27 Nëntor 1912. Sipas tij:
“Spiridon Ilo qëndroi në shtëpinë e vajzës së tezës, Marigo Posio, e cila i qepi flamurit një radhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912.”
Ky është flamuri origjinal që ngriti Ismail Vlora në pasditen e 28 Nëntorit 1912. Thekët i janë qëndisur nga Marigo Posio, dhe ky flamur është udhërrëfyesi për vendndodhjen e tij historike: dritarja e mesme e divahanit të Xhemil Vlorës, nga ku u valëvit flamuri.
Spiridon Ilo vetë shpjegon:
“Flamurin që përgatitëm në Bukuresht unë e mbajta në gji nga Bukureshti deri në Vlorë, dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak.”