
AMANETI I MËMËDHEUT
Poemë
nga Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet
…Zgjohuni, o ilirjanë, nga gjumi i gjatë!
Era e maleve po ju thërret,
Nga Tomori në Shkodër, nga Epiri në Sharr,
Mos heshtni, se na kanë hyrë në hak.
Kufijtë e lashtë të Ilirisë ende flasin në gurë,
Në hartën e kohës, një vijë e artë rri pezull:
Nga Adriatiku deri në Danub,
Nga brigjet e Epirit deri në zemrën e Dardanisë,
Ende merr frymë një komb i lashtë, i patharë.
Natën më del Mbret Bardhyli:
“Mos harroni trojet ku kaluam me heshta!
Kufijtë tanë ishin dritë dhe gjak,
Ky vend i shenjtë, prush dhe flakë si jeta.”
Mbret Agroni afron dorën mbi supin tim:
“Çoni fjalën brezave që vijnë,
Se Iliria nuk qe vetëm një vend,
Por një nder, një besë, një këngë pa mbarim.”
Mbretëresha Teuta, me kurorë dallgësh në ballë, shushurit:
“Ruajeni detin, malin, gjuhën,
Se kush humbet gjuhën që ndrit,
E humb edhe kujtimin e të parëve ilir.”
Në ëndërr më shfaqet Skënderbeu,
Hije drite mbi kalë, dhe thotë:
“Amanetin mos e lini në heshtje!
Liria ka rrënjë të thella dhe i vjen era ar…”
Çdo pushtet që fryhet e tretet,
Por një copë atdhe ka mbetur,
Fuqitë e mëdha na i prenë krahët,
Na lanë gjysmën në pritje të ngrirë,
Gjysmën tjetër në heshtje e me mall.
Kur bishti bëhet më i madh se sqepari,
Historia na dhemb.
Amaneti merr shijen e varrit
Nëse nuk çohemi ta mbrojmë,
Jo me luftë, po me zemër si strall.
O shqipe që fluturon mbi mjegull,
M’i sjell fërfëllimë krahësh të lashtë,
Dhe më këndon këngë iliriane,
Se kombi mund të tretet në luftëra, po jo në paqe.
O bij të shqipes,
Ju që ju vlon gjaku i stërgjyshërve,
Mos flini më në ëndrra të thyera,
Shqipëria pret të hyjë në Europë
Jo si mysafire,
Por si bijë e shtëpisë së vjetër nga Iliria.
Tungjatjeta u themi fuqive të mëdha:
Na ktheni kombin që na morët në shekuj,
Na ktheni drejtësinë që koha e shpërndau në erë.
Se Iliria s’ka mbaruar kurrë,
Ajo s’ka vdekur;
Veç është fshehur në brezat që presin.
Të shkruajnë vijën e re të hartës,
Me dritë, me gjuhë, me besë,
Kufijtë e zemrës janë plagë e vjetër,
Por shpirtin ton se ndal askush përjetë.
Nga Çamëria në Mollë të Kuqe,
Rrjedhin hije dhe kujtime që s’u thanë kurrë,
Dua Shqipërinë lule në kufijtë etnike,
Në kufijtë e zemrës, lidhur si një urë.
E dua!
Që të mos qajë më Shkupi, Presheva e Bujanovci,
Të mos mbetet në mall Plava e Gucia,
As Ulqini, as Rugova, as Janina e harruar,
Dua të jetë e madhe Arbëria.
Jam ilirian i thekur,
Me gjak që më flet si bubullimë mali,
Si arbëror dola në Ohër e Podgoricë,
M’u mbushën mushkëritë me ajër të lashtë,
Me aromë gurësh e rrënjësh që s’vdesin.
Dua të marr frymë lirisht, dua,
Pa ndarje, pa dhimbje, pa kufij mes nesh.
E dua Shqipërinë si kënga dhe lahuta,
Siç e ruajti historia shekuj e shekuj.
E dua!
Siç e la Skënderbeu në amanet,
Siç e ndërtuan ilirët me punë e djersë,
E dua që të lidhet prapë me trungun e vet,
Që të mos jetë degë e prerë
Në oborr të fuqive të mëdha që zbresin.
Dua një tokë ku shqipet të mos fluturojnë të ndarë,
Ku çdo gur të flasë gjuhën tonë,
Ku çdo varr të ketë emër si star,
Ku çdo fëmijë të rritet me dritën e vet.
Dua një vend që mos e ndajë më asnjë teh harte,
Që amaneti i të rënëve
Të mos ngelet vetëm në këngë,
Por të marrë frymë,
Si ne,
Si një komb arbëror i lirë në rrënjë.
O Europë, moj gardian i fatit të popujve,
Ne trokitëm te porta jote me shekuj,
Me fjalën e Is Boletinit në duar:
“Shqipëria do të bëhet,
e duan apo s’e duan armiqtë.”
Në Londrën e ftohtë fjala u përhap si era,
Si flakë në stuhi, në errësirë ngritëm zërin,
E pyetën: Ku është drejtësia për një komb që nuk vdes?
Europa heshti…
Por zemra e shqiptarëve s’ka ditur të heshtë.
Dhe u bashkuan amanetet:
Të rilindasve që ndezën alfabetin,
Të Lidhjes së Prizrenit që u betua për tokën,
Të Ismail Qemalit që ngriti flamurin e tronditur.
Dhe u ngrit Adem Jashari me zërin e kodrave,
Me gjakun e Prekazit që nuk shuhet,
Me amanetin e fundit që jehon në oda:
“Liria nuk jepet, po merret e ruhet.”
O Europë, dëgjoje krismën që bëri dritë,
Se nuk ishte vetëm pushkë,
Por thirrja e një populli
Që mbante shekujt e robërisë në shpirt.
Dëgjoji fëmijët e Kosovës që këndojnë emrin e tij,
Si këngë e burimit që s’ndalet në gur.
Se kombi që lind nga gjaku,
As nga terri s’ka frikë,
Me zemër që rreh si mal i shkëputur,
Dhe shpirt me troje e fis që rritet përditë.
Shkja, o shkja, mos ma trazo plagën!
Jam në truallin tim të Ilirisë,
Ku gjaku i stërgjyshërve s’është harruar.
Të parët amanet na kanë lënë,
Të mos lëmë hijen të ketë frikë.
Çdo gur këtu flet, çdo varr ka zë,
Çdo fëmijë që rritet këtu mban dritën e tyre.
Shkja, o shkja, dëgjo, se nuk ka më heshtje,
Këtu nuk ka dorë që mund të shkelë besën e lirinë.
O Europë, mos e mjegullo hartën me heshtje,
Mos i lër rrënjët në shi,
Ky komb nuk kërkon dhuratë,
Por drejtësi.
Drejtësia është një hënë e bardhë,
Që s’e mbulon dot nata e padrejtësisë.
Na shih si qëndrojmë përballë stuhive,
Me një gjuhë që rri si shkëmb,
Me një besë që nuk thyhet,
Me një histori që djeg si prush i pashuar në rrënjë.