
Collana e poezisë nga bota “Il tè nel deserto”
E prezantuar ditët e fundit, antologjia e kuruar dhe përkthyer nga Anila Dahriu, pjesë e collana dipoesia dal mondo “Il tè nel deserto”, paraqitet si një vepër me frymëmarrje ndërkombëtare, e lindur jo nga një projekt akademik apo klasifikues, por nga një nevojë e brendshme: t’i japë zë poezisë bashkëkohore në shumëllojshmërinë e përvojave, gjuhëve dhe ndjeshmërive të saj.
Ideja e antologjisë mori formë pas pjesëmarrjes së autores në disa konferenca ndërkombëtare, ndër to ato në Lasi dhe Craiova të Rumanisë. Pikërisht aty lindi një ndërgjegjësim i qartë: sot poezia praktikohet më shumë se kurrë, në një shumëfishim zërash, estetikash dhe brezash që e bën sfiduese çdo përpjekje për përzgjedhje.
Nga ky realitet lindi jo vetëm ankthi fillestar, por edhe zgjedhja vendimtare: të mos ndërtohej një antologji klasifikuese apo historike, por një “antologji e zemrës”. Një përzgjedhje e udhëhequr nga afria tematike, nga liria e shprehjes dhe nga ajo rezonancë e brendshme që na lejon të njohim veten në vargjet e të tjerëve. Siç shprehet vetë autorja, është “një zgjedhje autorësh dhe tekstesh në të cilat kam pasqyruar veten time dhe me të cilët jam ndjerë si motra e vëllezër”.
Puna e përkthimit — një akt njëkohësisht kulturor dhe njerëzor — është realizuar me përkushtim dhe me respekt të thellë ndaj origjinaleve, duke ruajtur identitetin e secilit autor, pa e përzier me zërin personal të përkthyeses. Synimi ka qenë të paraqitet çdo poet në autenticitetin e tij, pa e reduktuar në një interpretim të njëanshëm.
Në parathënien e tij, Dante Maffia e cilëson këtë vepër një pasuri të rrallë, duke theksuar se ajo ofron një panoramë autentike të poezisë bashkëkohore. Sipas tij, kriteri udhëheqës i përzgjedhjes është dashurimi me vargun dhe cilësia e tekstit, jo përkatësia në shkolla apo rryma të caktuara letrare. Ai vëren se në këtë antologji u është dhënë hapësirë e barabartë poetëve të afirmuar dhe zërave të rinj, pa u ndikuar nga pesha e biografive. “Është Poezia ajo që duhet të flasë”, thekson Maffia, duke e konsideruar këtë ndërmarrje një bast kulturor të guximshëm.
Në pasthënien e tij, Gennaro Mercogliano e përkufizon veprën si një paradoks frytdhënës: një antologji ndërkombëtare pa pretendime klasifikuese apo sistematizuese. Sipas tij, fjala kyçe që përshkon përzgjedhjen është “simpati” — një njohje e thellë shpirtërore dhe semantike mes poetëve, një vokacion i përbashkët që i bashkon në “detin e madh të qenies”. Ai nënvizon se rëndësi ka zgjedhja personale dhe përgjegjësia për tekstin “hinc et nunc”, këtu dhe tani, duke ia lënë lexuesit gjykimin përfundimtar.
Antologjia përmbledh një numër të gjerë autorësh nga hapësira të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, duke krijuar një hartë të vërtetë poetike ndërkombëtare.
Ndër autorët italianë përfshihen: Roberto Farina, Dante Maffia, Gennaro Mercogliano, Giovanni Pistoia, Serena Maffia, Antonella Rizzo, Claudia Piccinno, Lorenzo Patàro, Ilda Tripodi, Giuseppe Bova, Giusy Nisticò, Giuseppina Irene Groccia, Laura Garavaglia, Lorenzo Spurio, Michela Zanarella, Renato Fiorito, Maria D’Agostino, Antonia Tursi, Antonio Veneziani, Simone Longo dhe Salvatore Gucciardo.
Nga hapësira shqiptare dhe kosovare janë pjesë e antologjisë: Agim Gjakova, Jeton Kelmendi, Engjëll I. Berisha, Arjan Kallço, Anila Dahriu, Mujo Buçpapaj, Besnik Mustafaj, IlirianZhupa dhe Nikolla Loka.
Dimensioni ndërkombëtar pasurohet me emra si: Valerio Stancu, Ioana Diaconescu, Jon Deaconescu, Nicolae Corlat, Maria Ivanov, José Manuel, Muriel Augry, Bill Wolak, Christos Koukis, Maria Mistrioti, Mariko Sumikura, Julio Pavanetti, Annabel Villar, Kamma Sywor Kamanda, Vladimir Queiroz, Terane Turan Rahimli, Ma Yongbo, Helen Pletts dhe Ahmed Ibrahim.
Vendet e përfaqësuara në këtë përmbledhje janë: Shqipëria, Kosova, Italia, Rumania, Moldavia, Portugalia, Franca, Belgjika, Greqia,Anglia, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Uruguai, Kina, Japonia, Azerbajxhani, Egjipti dhe Republika Demokratike e Kongos.
Një konstelacion zërash që e shndërron këtë antologji në një hapësirë dialogu ndërmjet kontinenteve, kulturave dhe ndjeshmërive të ndryshme poetike, të bashkuara nga e njëjta etje për fjalën autentike.
Në një kohë fragmentimesh dhe mbylljesh, kjo vepër paraqitet si një akt besimi kulturor: në poezi si hapësirë dinjiteti, dashurie dhe bukurie; në përkthim si akt bashkëpjesëmarrjeje; dhe në mundësinë për t’u njohur tek njëri-tjetri, përtej kufijve gjeografikë, përmes fuqisë së fjalës poetike.
Falënderime speciale shkojnë gjithashtu për Antonella Rizzo, editore dhe redaktore e kollanës, poete, shkrimtare dhe gazetare, për mbështetjen e saj të palodhur dhe përkushtimin në realizimin e kësaj antologjie.