Balada e nënës dhe qenit besnik-Mina T.Qirici

Mina T.Qirici

Nga cikli “Nënat e kurbetllinjëve”

BALADA E NËNËS DHE QENIT BESNIK

Në një fshat të heshtur, mes kodrash të gjelbërta, jetonte një nënë e vetmuar.

Kishte shtatë djem!

Shtatë zemra që dikur i rriti me duar të plasaritura!

Me gjoksin plot këngë gjumi!

Me shpirtin e lodhur nga sakrifica!

Jeta ia mori djemtë larg, në kurbet.

Në qytete të huaja.

Në pasuri që nuk njihnin rrënjë.

Një ditë, si për të larë borxhin e kujtimeve, ata u kthyen.

Ndërtuan shtatë vila të bukura.

Me mure të lëmuara dhe dritare të mëdha.

Shtëpia e vjetër, ajo ku kishin lindur, mbeti siç ishte.

E rrënuar!

E harruar!

Si zemra e nënës!

Djemtë u larguan sërish.

Vilat mbetën bosh.

Nëna mbeti vetëm.

Në atë shtëpi të vjetër, ajo gjeti një këlysh të braktisur. E mori në prehër, e ushqeu dhe e rriti me dashuri.

“Djali im i tetë,”- i thoshte.

Qeni nuk fliste!

Por e dëgjonte!

Qeni nuk kishte fjalë!

Por kishte sy që kuptonin dhimbjen!

Një natë, fshati u zgjua nga një angullimë që s’kishte qenë kurrë më e thellë.

“Ka vdekur nëna!”- tha dikush me dhimbje.

Pleqtë e fshatit e varrosën nënën me nderime të heshtura.

Qeni e ndoqi kortezhin.

I heshtur!

Qante me lotë njeriu!

Angullinte si të thërriste djemtë që nuk erdhën.

Kur të gjithë u larguan nga varri, ai mbeti aty.

Të nesërmen, e gjetën të ngordhur.

Me kokën mbështetur te guri i varrit.

Si një roje e fundit!

Si një bir i vërtetë!

Në fshat, vilat janë ende bosh.

Varri i nënës ka dy emra: të saj dhe të qenit.

Të vetmit që nuk u ndanë kurrë.

Rrugtarët që kalojnë atypari, dëgjojnë një histori që nuk është vetëm për një nënë dhe një qen.

Është për dashurinë që nuk kërkon lavdi!

Është për kujtimin që nuk vdes!

Është për pyetjen që mbetet pezull:

” Mirënjohje për gruan që i rriti, po shtatë djemtë?”

Mina T.QIRICI

Tiranë, e mërkurë 1 tetor 2025