Binça – e vërteta e harruar e Fushë- Kosovës-Feri Arifi

Feri Arifi

BINÇA – E VËRTETA E HARRUAR E FUSHË- KOSOVËS


Sipas rrëfimeve të lashta dhe kujtesës së trashëguar brez pas brezi, fusha e vërtetë e betejës së Sulltan Muratit të Parë nuk ishte në Gazimestan, siç e përshkruajnë burimet serbe të mëvonshme, por në Binçë, në rrafshin e Anamoravës.
Në këtë vend, sipas shumë shenjave arkeologjike e gojëdhënave popullore, janë gjetur eshtra të vjetra me ngjyrë të kaltër, që besohet t’u përkasin ushtarëve arabë që morën pjesë në ushtrinë osmane të Muratit I.
Vetë vendi ruan toponime të vjetra si “Luzinat e Nivës”, që lidhen me drejtimin e sulmit të ushtrisë turke – “nga ana ku lind dielli”.
Rrëfimi popullor tregon se qyteti i vjetër i Binçës kishte qenë i rrethuar për ditë të tëra, dhe se popullsia e mbrojtur në kala kishte rënë vetëm pas tradhtisë së një plake që, e zënë rob, tregoi se sulmi duhej bërë nga lindja e diellit.Ky detaj, i përmendur në dorëshkrime të vjetra (faqet 179–180), përkon me përshkrimet e disa kronikave osmane që flasin për një “qytet të fortifikuar në lindje të Kosovës”, që ra pas një rrethimi të gjatë.
Këto dëshmi e bëjnë Binçën një kandidat të fortë për të qenë vendi i vërtetë i betejës së famshme të vitit 1389, ku ra Sulltan Murati i Parë. Për më tepër, në Gazimestan nuk është gjetur asnjë provë arkeologjike që të dëshmojë zhvillimin e një beteje të madhe – as varre masive, as mbetje armatimi, as shtresa hiri a guri lufte.
Në Binçë, përkundrazi, dëshmitë janë të gjalla: toka flet, eshtrat flasin, dhe kujtesa popullore ende ruan rrëfimin e asaj përplasje të madhe që tronditi Ilirikun.
Prandaj, historia ndoshta duhet rishkruar:
Beteja e Fushë-Kosovës nuk ndodhi në Gazimestan – ajo ndodhi këtu, në Binçë, aty ku dielli lind mbi gjakun e të rënëve.
Shkroj: Feri Arifi.