Ilirian Ali
Bujar Asqeriu !
Memorje !




Ne erdhëm njëri pas tjetrit, vit pas viti, në teatër. U bëmë një grup artistësh të rinj, me individualitete dhe karaktere të ndryshme, plot humor e veçanti, që u harmonizuam në mënyrë organike me brezin e aktorëve paraardhës, duke sjellë një frymë dhe atmosferë që i shërbeu ardhmërisë së teatrit tonë.
Skena është një vend ku koha ndalon, dhe kur dritat fiken, mbeten kujtimet.
Duke shfletuar albumet e rrugëtimit tim në skenë, më dolën përpara shokë e kolegë, me të cilët ndaj copëza kujtimesh, të cilat i ruaj me fanatizëm si dëshmi të miqësisë sonë.
Kështu, në një ditë të bukur prilli, në kohën kur lulëzonin firmat piramidale dhe gjithçka dukej në “duar të sigurta”, një mik i përbashkët dhe dashamirës i teatrit na ndihmoi që unë, Bujari dhe Vasua të shkonim për një vizitë në Bullgari, për t’u lidhur me një teatër atje.
Ishte një udhëtim i bukur, plot humor dhe aventura. U sistemuam në një hotel shumë të mirë, shëtitëm natën nëpër kryeqytet dhe, vonë pas mesnate, u qetësuam në dhomat tona.
Të nesërmen na pritën dy miq, personalitete të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, të cilët na shoqëruan dhe na sajdisën me ngrohtësi, siç e kanë zakon vlonjatët. Por teatri ku do të zhvillonim takimin ishte i mbyllur, dhe kështu miqtë na përcollën me dashuri e respekt, ndërsa ne ruajtëm për ta mirënjohje të thellë.
Ndaj sot sjell në kujtesën time, por edhe të kolegëve, të brezit të ri të teatrit dhe të artdashësve, shokun dhe kolegun tim, një nga aktorët më brilantë të teatrit dhe filmit shqiptar: Bujarin.
Për vlerat e tij si aktor është folur dhe shkruar shumë. Ai është një aktor me potencial të rrallë psikofizik, që interpreton me të njëjtën forcë si dramën, ashtu edhe komedinë. Zotëron një temperament të veçantë, një zë dhe një plastikë trupore që i përdor me mjeshtëri në ndërtimin e çdo karakteri, duke u përshtatur në mënyrë organike, pa asnjë sforcim.
Edhe në film, Bujari spikat me rolet e tij të shumta, duke gdhendur figura historike dhe sociale që kanë zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.
Por përtej skenës dhe ekranit, Bujari ka diçka edhe më të çmuar: shpirtin e tij njerëzor. Ai është i çiltër, i dashur, i drejtpërdrejtë, pa komplekse, pa servilizëm e pa hipokrizi. Nganjëherë edhe rebel, sidomos kur përballet me padrejtësinë.
Në profesion, ai ka ecur përpara me këmbënguljen, punën dhe talentin e tij. Gjithçka që ka arritur, e ka ndërtuar mbi këto vlera.
Kemi kaluar shumë kohë bashkë, si në teatër ashtu edhe jashtë tij. Kemi udhëtuar së bashku, për punë dhe për kënaqësi, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke krijuar kujtime që i rikthejmë shpesh me mall, sidomos kur ai kthehet në “Itakën” e tij në Vlorë dhe në teatër.
E njohim njëri-tjetrin që nga koha kur studionim në Institutin e Lartë të Arteve, kur ai nisi të spikaste që herët, që me filmin e tij të parë “Në shtëpinë tonë”. Dhe ato raporte miqësore i kemi ruajtur të pandryshuara deri më sot, pavarësisht se ai aktivitetin e tij e zhvilloi më pas në teatrin Kombëtar.
Bashkëudhëtimi ynë skenik është i mbushur me emocione që nuk harrohen. Sot u ktheva pas në kohë, aty ku hapat tona trokitën bashkë për dy dekada në teatrin “Petro Marko”.
Në ato njëzet vite, nuk ndamë thjesht role — ndamë ëndrra. Sepse teatri ishte pasioni ynë dhe u bë pjesë e shpirtit tonë.
Fola për Bujarin për një mik, për një koleg që skenën nuk e kishte thjesht profesion, por frymëmarrje.
Bujari ka një dhunti të rrallë: çdo fjalë e tij merr peshë ari, dhe çdo heshtje flet më fort se një britëm