Cikël poetik-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

ENDE MIRDITAS

  (cikël poetik)

KAHJE

Vrull lulëzofsh !

Lulëzofsh qetë…

valë e tingujve 

zemërmirë 

harlisje 

haresh…

Vrull lulëzofsh !

KAMBANË DRITE 

Një kambanë e madhe 

dukej zhdukej

në sheshin katror 

të qytetit

nga qielli zbriste 

kur i luteshin të tijtë 

të tijtë … etërit.

Kur i hakërroheshin 

kambana arratisej 

bjeshkëve 

në Orosh,

prej saj aty buisnin 

këmbanëza prej drite

tek secila kullë në gjoks.

Një kambanë e madhe

pa rreth katror 

brohoret

në mes të qytetit,

bijtë e dikurshëm 

etër u bënë

dhe ndonse kryqe

mbajnë në dorë 

s’ngjajnë me etërit …

LOTË GURI 

Para kësaj kulle

t’i bindem heshtjes

t’u bindem shkulmeve ?

Mos hyr brenda, mos,

kjo kullë e braktisur

qan gurët e saj

acar mbi gjoks.

Hyj brënda, 

tehu i asgjësë

s’më sheh, e shoh

borë në fyt, kryqi dhëmb.

Në veriun ende ngrirë

tek kjo kullë mesnate

lart poshtë kryet

pak përpjetë

Oroshi 

kreshtëthatë 

përtyp paqe 

urinë 

e dhjetorit  2025.

TJETËR GJEOGRAFI 

Afro, para gjysëm shekulli

verior jetova, jo i gjithi,

pas gjysmë shekulli

gishtat e njerës dorë

i shkund plot farëra 

vis veriu 

veri visi.

Në veri jetojnë rrënjë 

të fisit tim dibran

edhe veriorët,

këmbadorës më kanë ndjekur 

dallgët pa u tremb’ pa tremb 

rrasën e priftit

më kanë ndjekur 

pyjet e e Kuzhnenit

pa ia mpirë jugut kurorën.

Afro para gjysëm shekulli, jo i gjithi

pas gjysëm shekulli afro i tëri

prej rreziqeve dhe thëllimit

prej valës kreshtës

eci përsëgjati

vdekjes

përsëgjëri.

RRËSHEKË PYLLNAJE 

Ura drithëron mëngjesin,

tuneli pikon rrëshekë 

nga kryet,

gjithçka e kapërxyem 

mes terri

k’tij terri lind rrit rrëmuje.

Buzëhoneve

gurët e bardhë 

kilometrikë

në mes 

me shenjë të kuqe

janë sy të ndezur 

qepalla

nuk kanë

jehin timbrikë

t’afrojnë 

vemendje

pëshpërisin buzëve.

Mëngjesi freskon

këllqet e urës,

borëra dhe rreze

shkund çdo bjeshkë,

pyllnajave nuk jam

por në Durrës 

dhe çdo çast 

në një tjetër vend.

GRAFI RRUGE NË OROSH

Rruga duket e ndërliqur tek kryqet 

me marrje mendsh, e zbehtë

nga ky fat shëndetlig,

ka nevojë urgjente 

për kirurg

mund të ketë 

thyerje

s’ka nevojë 

për 

operacion 

plastik.

Rrugët zihen, heqin keq 

përkrah njëra – tjetrës 

nuk zihen rrugët 

por brengat

hapa 

mbi to, 

as hapat nuk zihen 

por frymorët 

verdhët dyll

cene sysh

shenjat

frymorët 

e mugët 

plot llohë.

Ndërkaq rrugënaja

bjeshkëve kallet

gulçe – gulçe,

zbathuri

jep shpirt

e ve, vejushe…

FESTË E VOGËL

Koka daulle

përpjetë hidhet 

s’përmbahet, nuk shkulet.

Koka def

për qejfe vërsulet

lutje rrudhet, përqesh.

Gracka mbi grackë

daullja mbi kokë…

Koka lart … bjeshka mbi korb.