Lumo Kolleshi

Cikëlth poetik: Një sy vesh një ëndërr
ORË STEREOMETRIE
Në këtë qiell të pastër si një sy fëmije,
Avionët janë ngritur për të ikur diku larg.
Për një çast vetja më duket në një orë stereometrie
Ku shpjegon drejtëzat në hapësirë një mësues plak.
E më thotë:Mbaj vesh,këto nuk priten,
Flaki tej imazhet në një plan,
Në një plan njerëzit dhe me vetveten vriten,
Pa le të kenë në shpirt dhe pak katran.
Milano,më 15.03.2023
NDAJFOLJE
Dje: e shumëpritura,dita e verës,
Sot: e neveritura,dita e Gërdecit,
Nesër: ndoshta SPAKU do t’i çajë shakujt e verës
Pasnesër:ndoshta dita e harrimit të stinëve në hanin e dreqit.
Milano,më 15.03.2026
PRANVERË NË BAHÇEN TIME
Erdhi pranvera në bahçen përqark shtëpisë,
Mushmolla dhe ulliri po m’i zgjojnë dy shegët gjumashe,
Kumbullën e vetme,hollake,
Pjeshkën që po u shkon një rimel qerpikëve të luleve,
Ndërkaq dy gjyshet pjergulla
Përralla të bukura po u tregojnë fëmijëve lastarë.
Në këtë sofër të lulëzuar,
Si në konakun e Mujit në Jutbinë,
Po darkojnë agajt zogj dhe e kanë një merak,
Pse nuk po e martoj ullirin.
“Bash si motra po më duken kumbulla,pjeshka,mushmolla”.
Kaq më thotë dhe pret hënën të dalë,
Të zgjatë krahët në kopshtin e gjitonit,
Ta mbushë me lule kajsinë.
15.03.2015
Mik me Gregor Zamzën
(Për qejfin tim më kohë karantine)
Gjysmëngritur,gjysmështrirë,
Karantinë në shtëpi,
Metamorfozë e vështirë,
Gregor Zamzë pa rini.
S’di kush është këtu i huaji,
Një Merso a prokuror?
Kërcet mbi sobë një pikël vaji,
Do duroj,duroj me zor.
Kam përpara një pranverë,
Dua që ta fus dhe brenda;
Përndarë bletët nëpër ërë,
Adalat nën gjuhë kërkon zemra.
Ngrysen ditët e një marsi
Dhe nuk dinë a do ketë prill,
Miu malin a mali miun mbarsi?
Kumbulla më thotë:është trill.
Une vazhdoj sërish me fjalën,
Tek-tuk zbraz gota rakie;
Jam mik veç me Gregor Zamzën
Që nuk del dot prej shtëpie.
15.03.2020
Një sy vesh një ëndërr
Në kulmin e diellit e dritë të mos kesh,
Në pusin e natës e terr të mos gjesh,
Në shtratin e butë e gjumi yt sipër resh,
Një sy vesh një ëndërr e tjetri e zhvesh.
15.03.2016