E jetuar
DASMA E BLEDARIT
(Nën hijen e murit të hekurt)

Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet
Ishte korriku i vitit 1985.
Vera digjte tokën dhe njerëzit njësoj.
Dielli nuk kursente as grurin, as djersën, as frikën.
Babai i foli Bledarit me zë të ulët, si të kishte frikë se fjala mund të dëgjohej edhe nga muret:
– Bir. Shko te Selaudini, dhëndri i hallë Sevdijes. Ftoje për dasëm dhe thuaji të vijë të savatojë dhomën ku do të futet dhëndri me nusen.
Dasma po afrohej. Një gëzim i madh familjar, por në atë kohë edhe gëzimi ecte me hapa të matur. Ishte kohë kur njeriu nuk gëzohej me zë të lartë dhe as qante lirshëm. Ditët digjeshin nga dielli, po aq sa edhe nga ankthi i padukshëm i kohës; ai ankth që nuk kishte zë, por ndihej kudo.
Bledari hipi në urbanin e linjës drejt një fshati kufitar, emrin e të cilit as nuk e dinte. Dinte vetëm një gjë: duhej të gjente Selaudinin, njeriun e shtëpisë, bashkëshortin e gocës së hallë Sevdisë. Zona ishte brenda lokalitetit të Maqellarës, Koperativë me emër dhe rezultate në rreth, e njohur për grurin dhe misrin, por edhe për diçka tjetër që peshonte më shumë se çdo bereqet: ishte zonë kufitare. Një fjalë që atëherë vlente sa një akt-akuzë.
Në atë kohë, askush nuk ecte serbes në zonat kufitare.
Duhej leje nga Dega e Brendshme.
Duhej emër, mbiemër, arsye dhe destinacion.
Por Bledari ishte ushtarak.
E nënvleftësoi rregullin.
Dhe pikërisht aty filloi drama
Pas rreth gjysmë ore udhëtim, zbriti.
Asnjë njeri në rrugë.
Vetëm në largësi, silueta kooperativistësh që lëviznin nën vapë dhe zhurma e rëndë e kombanjës që korrte e hante parcelat me grurë dhe që s’gopej kurrë.
Vetmia iu ul mbi shpinë si barrë. Bledari ndjeu se çdo hap dëgjohej, çdo lëvizje peshohej. Këtu, edhe kallijtë e grurit kishin vesh, edhe çatitë e shtëpive ishin lajmëtarë. Ajri ishte i trashë, si një mburojë që të zinte frymën.
U afrua me hap të matur dhe pyeti:
– Më falni, dua të shkoj tek Selaidin Tafçiu. A e njihni?
Njëri ngriti kokën, fshiu djersën me krah.
– Po, – tha. – Është nga Bllata. Ka shtatë fëmijë.
Bledari u hutua.
– Jo, jo… nuk është ky. E kemi dhëndër. Emrin e ka Selaudin… mbiemrin s’po e mbaj mend mirë.
Ra një heshtje e shkurtër.
Sytë u kthyen drejt tij, jo armiqësisht, por me atë kureshtje të ftohtë që të therte më shumë se fjalët.
– Atëherë nuk është ky, – tha dikush.
Në atë çast, toka iu duk sikur iu drodh nën këmbë. Ai nuk e dinte, por diku, dikush tashmë po kryente “detyrën”.
– Po Hetem Xholin e njihni? – pyeti sërish. – Ka vajzën e xhaxhait për grua.
– Po, e njohim, – u përgjigj njëri shkurt.
I lodhur dhe me një shtrëngim në kraharor, Bledari vendosi të shkonte në Kllubçisht, te goca e xhaxha Selimit. Atje u përqafuan me mall, si vëlla e motër. Një çast strehë. Një çast frymëmarrjeje.
Por qetësia zgjati pak.
Në dhomë hyri i biri i saj, Landi. Pa përshëndetje, pa pyetje:
– Pasaportën.
– Nuk e kam. Po jam daja yt, ore!
Landi ishte pionier, në klasë të gjashtë. Zëri i tij ishte i prerë, i mësuar të zbatojë.
– Hajde me mua, në zyrën e këshillit.
Zyra e këshillit ishte e ftohtë. Brenda ishte Arifi, tekniku i fortifikimit të batalionit të xhenios. Bledari e njihte.
– Ç’paske dalë nga këto anë, o Bledar? – i tha me një buzëqeshje që nuk qetësonte.
– Martohem në gusht. Doja të gjeja Selaudin Hysenin, të vijë të na bëjë ca punë ustallëkshe savatojë dhomën e dhëndrit…
Në atë çast, dera u hap me vrull. Një skuadër vullnetare u shfaq.
– Gati jemi, shoku kryetar!
– Ikni, – ua preu Arifi. – Është i yni.
Pastaj u kthye nga Bledari. Zëri iu ftoh.
Në sytë e tij, ai nuk ishte më njeriu që njihte dikur, por një figurë prej balte, e formuar nga urdhri dhe frika.
– Nga Kalaja e Dodës deri në Krujë, të gjitha zonat kufitare janë në gatishmëri luftarake. Dyshohet për një kalim kufiri.
Heshti.
– Dhe ai njeri… je ti.
Bledari heshti. E kuptoi se në atë kohë, një pyetje mjaftonte për t’u bërë armik.
Dasma po afrohej.
Por hija e murit të hekurt ishte aty; mes grurit, mes njerëzve, edhe mes dasmës;
një hije që ftohte edhe gëzimin.
Dasma e Bledarit nisi bukur, por çdo çast mund të mbyllej te biruci,
sepse në atë kohë, një fjalë e lirë mjaftonte për të paguar shtrenjtë.
Nexhbedin Basha
30 janar 2026