Korça Bibjana

Dimër…
Sonte dimri ka zbritur si një burrë i lodhur
me pallto të zezë
e cigare të fikur mes buzëve.
ku askush s’e di rolin e vet,
veç hapat e mi trokasin kot
mbi kalldrëmin e ftohtë.
Era sjell aromën tënde të vjetër,
atë parfum,
që më gjeti dikur në një stacion autobusi
kur qyteti binte në heshtje
si një dashuri pa fat.
Sonte dritaret janë plot avull,
si mendimet e mia kur të mendojnë ty.
Një poezi rri pezull në ajër,
nuk zbret dot në letër,
ca si unë,
ca si ti,
që s’u takuam më.
Eci e strukur në pallton time,
e ftohur nga kujtimet,
në çdo cep shoh hijen tënde
që ikën para se ta thërras.
Ah, dimër i hidhur!
Ti e di mirë
se disa njerëz nuk kthehen kurrë,
por prapë na i lë emrat e tyre
si borë të pashkelur
mbi pragun e shpirtit.
Unë, përhumbur kujtimesh,
mërmëris një këngë të vjetër,
nën dritat e kësaj nate gri,
aty ku dashuria
ngjan me borën e fundit të qytetit:
e ftohtë,
e bukur,
e paprekshme.