
Ditën Ndërkombëtare të Teatrit do ta kujtoj me një mënyrë të veçantë, as si aktor e as si regjisor, por dua të evidentoj ata dramaturgë dhe skenaristë që startojnë të parët për të krijuar drama, të cilat vihen në skenë e realizohen filma.
Pikërisht këta dramaturgë, që sot ose nuk njihen ose njihen fare pak, si rrjedhojë e “frymës moderne” janë krijues të rrallë që shkruajtën HISTORINË E TEATRIT DHE KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE. Pa këta dramaturgë dhe skenaristë do të ishim pa këtë histori të vyer.
Një ndër ta është Dramaturgu dhe skenaristi Rruzhdi Pulaha, i cili shquhet për frymën polemiste, në trajtimin e konflikteve të mprehta, ku nëpërmjet veprave të tij dramatike provokon debate shoqërore e sociale.
Ai është autori i veprave dramatike “Maro Mokra” “Shkallët” “Mësuesi i letërsisë” “Përballë vetes” “Doktori pacient” “Nesër është vonë” “Kohë e çmendur” “Streha e të harruarve” etj. drama që janë vënë të gjitha në skenën e Teatrit Popullor, por dhe në Teatrot e qyteteve të tjera, me një sukses të padiskutueshëm.
Rruzhdi Pulaha është skenaristi i serialit të parë televiziv shqiptar, “Njerëz dhe fate”
Gjithashtu është skenaristi i radiodramës së parë shqiptare me mbi njëqind seri “Rruga me pisha”
Rruzhdi Pulaha është skenaristi i filmave përkatës “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati” ku me stilin e veçantë letrar ka bërë që aktorët kanë ditur t’u përshtaten këtyre skenarëve, ku batutat e këtyre filmave janë të paharrueshme, duke bërë që këta filma të kenë jehonë mbarëkombëtare, por dhe më tej.
Rruzhdi Pulaha, dallohet si dramaturgu dhe skenaristi për kompozicionin e thjeshtë, veprimin e qartë e të rrjedhshëm, dialogun konkret e të drejtpërdrejtë, vizatimin e shkëlqyer të karaktereve.
Jam me fat që kam bashkëpunuar me krijuesin e rrallë, dramaturgun me të gjitha potencialet, me Njeriun e mrekullueshëm, të mirin e të thjeshtin deri në Madhështi. Rruzhdi Pulaha.