E drejta e autorit… Shefqet Meko

Shefqet Meko

E DREJTA E AUTORIT…

-Një përvojë nga Amerika për “tapinë” e librit “Viza Amerikane”-

Pak kohë më parë, shkrimtari Liridon Mulaj përcillte një shqetësim në lidhje me mbrojtjen e të drejtës së mendimit dhe pronësinë e autorëve. Natyrisht nuk është ndonjë gjë e re, as debat i parrahur në rrjetet sociale. Në rastin që përmend, autori Mulaj, një mbrojtës dhe lëvrues plot fantazi i artit dhe letërsisë së sotme, mundi të merrte një reagim ndaj atyre që “grabitën” idetë e tij, dhe kjo ishte një shenjë emancipimi.

Mendoj se mbrojta e autorëve shqiptarë është, sipas meje, një “çështje e harruar”. Nuk jam shumë i informuar mbi sistemin ligjor që ekziston në Shqipëri për këtë temë, por më duket e udhës të sjell një rast konkret nga Amerika. Sipas ligjit të këtushëm, e drejta e autorit lind sapo një mendim hidhet në letër dhe ka “vulën” e vet: autorin. Por, në këtë shoqëri të lirisë dhe llojshmërisë së pafundme të kulturave dhe etnive, ka një institucion të posaçëm që i jep “tapinë” çdo mendimi dhe krijimi profesional. Në Librarinë e Kongresit Amerikan, ka një zyrë të posaçme që merret vetëm me këtë problem: dokumentimin e pronësisë intelektuale të çdo autori.(The United States Copyright Office-Zyra e të Drejtës së Autorit në Shtetet e Bashkuara).

Sapo kam mundur të regjistroj pranë këtij institucioni prestigjioz, të drejtën e autorit për novelën e përkthyer dhe botuar në Anglisht “The America Visa” (Viza Amerikane), duke marrë zyrtarisht edhe certifikatën në fjalë. Duke qenë se ishte libri im i parë botuar në Amerikë, unë punësova botuesin për të ndjekur këtë procedurë, që në fakt pagova “si frëngu pulën” siç themi nga anët tona. Por kjo nuk është ajo që dua të flas, sepse jetojmë kohën që çdo gjë ka çmimin e vet, “merre ose lere”. Pra është zgjidhje e individit. Edhe pse procedura kaloi gati në “Kalendrat greke”, vura re një lloj këmbëngulje të pazakontë nga Zyra e Autorit, për të verifikuar çdo gjë. Edhe pse konfirmova se isha unë autori i novelës në fjalë, duke provuar me gjithshka, sipas ligjit, ata shënuan në certifikatë edhe tim bir, Jon Meko, i cili bëri përkthimin, duke kërkuar edhe një deklaratë prej tij që “nuk ishte autor” por përkthyes dhe i paguar për punën e kryer. Sikurse shihet në këtë dokument, përkthyesi ka marrë autorësinë e përkthimit, ndërsa pronësia mbi novelën si krijimtari është e imja.

Kjo është një “tapi” e librit në fjalë, e cila gjendet në këtë institucion qendror amerikan, por që ka përjashtuar çdo gjë tjetër në përkatësitë e mia si autor shqiptar. Pra Zyra e Autorit në SHBA, ishte tmerrësisht këmbëngulëse që siç themi ne “haka tek i zoti”, duke ndjekur një proçedurë strikte. A ka një përpikmëri të tillë në Shqipëri? Kush realisht ndjek dhe inventarizon këto botime që, siç shohim, janë të panumërta dhe shtohen përditë. Pra a kemi edhe ne një institucion zyrtar që bën kujdes të jetë mburojë ligjore për autorët duke ruajtur pronësinë përkatëse nga plagjiaturat dhe grabitjet e mundshme? Po në Kosovë si funksionon e drejta e autorit? Me sa di në Tiranë çdo botues depoziton 5 kopje të autorit në Bilbiotekën Kombetarë, por a është kjo e mjaftueshme dhe ligjërisht një mbrojtje e vërtetë?

Mbase postimi në fjalë është një shkëputje nga realiteti shqiptar, dhe nëse kështu, kërkoj ndjesë, por sidoqoftë, është mirë që gjithë këto libra dhe botime, të kenë një mbrojtje zyrtare dhe një procedure, sikurse dëshmon shembulli Amerikan, sepse jetojmë “shekullin e hajdutërisë” në çdo drejtim. Zot na ruaj!

Hodha një mendim duke sjellë një përvojë, i nxitur edhe nga shënimi më i hershëm i shkrimtarit Liridon Mulaj. Me siguri që Shqipëria ka një sistem ligjor që mbron botimet në shqip, por fati jonë shpesh varet nga ata që zbatojnë ligjet, sepse dihet batuta e shqiptare “Ligji dhe Maliqi…” Uroj të jem i gabuar në hamendjet e mia, por një debat i tillë ja vlen sipas meje.

Shefqet Meko

Minneapolis, 10 Shtator 2025