Eja për flamur!Shire Dhima






Eja,
eja zemra ime,
mos trokit pas dere —
eja në sheshin e burrave,
ku përqafohen flamujt.
Në këtë shesh ku trokitën plumbat,
kjo tokë, në vend të shiut
lahej me gjak,
në vend të pemëve
mbillej me trima.

Në këtë shesh nëna vajtonte mbi birin,
këtu trimat u korrën
në lulen e jetës.

Njëqind vjet
luftë, gjak, masakra, tradhti e tmerr.
Këtu jetën e sakrifikoi
burri, nëna, gruaja,
djem që s’u panë më kurrë,
fëmijë që shpirtin ia dorëzuan qiellit,
ndërsa toka lëngonte për liri.

Pushka qante për trima,
liria ushqehehej me gjak,
njëqind vjet mizori.

Këtu, zemra ime,
ça kraharorin — festo me burrat lirinë.
Tregoja kësaj toke arbërore:
këtu takohen flamujt,
këtu emblema shkruan liri.