
Sokol Demaku
Ëndrra mahnitëse
Të ëndërroj afër meje,
Sytë e tu më pushtojnë të tërin,
Më lejo të marr frymë thellë,
Fjalëve tuaja t`u jap përgjigje.
Jeta është një shkollë e përhershme,
Që krijojnë shtigje të reja,
Që ne nuk dimë asgjë për to,
Për këto ëndrra mahnitëse.
Unë jam i dhënë pas teje,
Unë dua që ta dish këtë,
Unë kam frikë mos të humbas,
Se pa ty jeta nuk ka kuptim më.
Për të sharë
Nuk shkrova për të qetësuar shpirtin,
as për të gjetur paqe në varg.
Sot shkruaj për të sharë,
se më ka ardhur në fyt çdo buzëqeshje e rreme.
Për të sharë heshtjen që bëhet mur,
kur e vërteta rri e lidhur në një qoshe.
Për të sharë ata që mbajnë krenari të rreme
me gjuhë të butë dhe zemër të kalbur.
Për të sharë lotët që s’u panë,
në gratë që u djegën në pritje,
në burrat që heshtën nga frika,
në fëmijët që s’e mësuan kurrë të qajnë.
Unë nuk dua të pajtohem sot,
dua ta nxjerr vrerin në dritë,
se ndonjëherë e vërteta nuk vjen me lutje,
por me një britmë që s’të le më të flesh.
Për të sharë, që të mos harroj, për të sharë,
që të kujtohesh edhe ti:
edhe heshtja vret,
edhe durimi ka fund.
Malli
Me fjalë e shkronja,
Shumë gjëra ngatërrova,
Me poezinë time të fundit,
Shumë gjëra tregova,
Ndjeva zemrën të rrahë,
Me puls të shpejtuar,
E hetova në vete,
Se malli më ka përvëluar.
E ndjeva vargun,
Me ritmin e tij,
I kuptova shkronjat,
Me të tyre magji.
E ndjeva melodinë,
Nga vargu magjik,
E shndërrove në këngë, Dhe me ritmin e saj, E bëra idilik.