Engjëlli im, eja pak të flasim…Migel Flor

Migel Flor

Engjëlli im, eja pak të flasim…
(Nga një bisedë me bijën time)


Dua ta dish një gjë shumë të rëndësishme që në fillim:
ti nuk ke bërë asgjë gabim.
As duke folur, as duke postuar një foto, as duke qenë vetvetja jote.
 
Në këtë botë ka njerëz që ngatërrojnë dashurinë me xhelozinë dhe kujdesin me kontrollin.
Kur dikush mërzitet, nervozohet ose të bën të ndihesh në faj vetëm sepse dikush tjetër ka vendosur një zemër në një foto, kjo nuk është dashuri. Kjo është pasiguri e tij, jo faji yt.
 
Ti ke të drejtë:
-të buzëqeshësh
– të kesh miq
– të ndihesh e lirë
– dhe të mos kesh frikë nga reagimet e askujt
 
Askush nuk ka të drejtë të të bëjë të ndihesh e vogël, e trembur apo fajtore për gjëra normale.
 
Nëse dikush të flet me tone që të lëndojnë, të shtrëngon emocionalisht, apo përpiqet të të kontrollojë, ti nuk ke detyrim të vazhdosh.
Të largohesh nga diçka që të dhemb është forcë, jo dobësi.
 
Dua ta mbash mend këtë:
ndjeshmëria jote është dhuratë. Është ajo që të bën të bukur nga brenda.
Por dhuratat mbrohen, nuk dorëzohen tek kush nuk di t’i mbajë me kujdes.
 
Unë jam këtu.
Gjithmonë.
Çdo fjalë, çdo mesazh, çdo ndjesi që të rëndon, ma thuaj.
Ti nuk je vetëm dhe nuk ke pse të përballesh me asgjë e vetme.
 
Të dua dhe do të të mbroj gjithmonë.
 
Kur dikush të lëndon, bija ime, nuk të prek vetëm ty.
Më prek edhe mua, në një vend ku s’ka fjalë, por ka rrënjë.
Sepse ti je vazhdimi im më i butë, fryma ime që ecën jashtë trupit tim.
 
Mos mendo kurrë se dhimbja që të shkaktojnë është provë e dobësisë sate.
Njerëzit lëndojnë atë që s’mund ta mbajnë dot brenda vetes.
Ata që plagosin fëmijët, janë të rritur që s’e kanë shëruar kurrë vogëlushin e tyre të brendshëm.
Kur të dhemb, mos u bëj e fortë duke u mbyllur.
Ji e fortë duke mos u shndërruar në atë që të lëndoi.
Butësia jote nuk është faj, është dritë, dhe drita gjithmonë i shqetëson ata që jetojnë në errësirë.
 
Unë do të jem muri yt i heshtur,
ajo që s’flet gjithmonë, por sheh gjithçka.
Do të jem zëri yt kur zëri yt dridhet
dhe kraharori yt i dytë kur fryma të bëhet e rëndë.
 
Mos e mbaj turpin për diçka që s’është e jotja.
Turpi i përket atij që dëmton, jo atij që ndjen.
Ti ke të drejtë të qash, të zemërohesh, të ngrihesh, të largohesh.
 
Dhe mbaje mend këtë, bija ime:
bota mund të jetë e ashpër,
por ti nuk ke ardhur në këtë botë për t’u thyer,
ke ardhur për ta bërë atë më njerëzore.
 
Nëse dikush të lëndon, unë jam këtu.
Jo për të të mësuar hakmarrjen,
por dinjitetin.
Jo frikën,
por kufijtë.
 
Sepse një nënë nuk e mbron fëmijën duke e fshehur nga dhimbja,
por duke e mësuar të mos humbasë veten brenda saj.
Migel Flor