Alma Begaj


PAK FILOZOFI
Sizifi modern: Ese mbi absurditetin dhe dinjitetin e qenies
Në një botë ku çdo mëngjes ngjason me një përsëritje të pashmangshme, ku gurët që ngjisim rrëshqasin sërish poshtë, lind pyetja: a ka kuptim kjo përpjekje e përditshme? Miti i Sizifit, i rrëfyer nga lashtësia greke, nuk është thjesht një tregim i një dënimi hyjnor, por një pasqyrë e thellë e gjendjes njerëzore. Jo për të imituar A. Camus, por për të ecur paralel me të, mendoj se Sizifi nuk është vetëm simbol i absurdit, por edhe i dinjitetit të qëndrimit përballë tij.
Nëse jeta nuk ofron përgjigje të qarta, ndoshta s’duhet të mendoj që nuk ka kuptim, por sepse kuptimi nuk është një dhuratë që na jepet gati, por është një akt që ne vetë e krijojmë. Në këtë kuptim, absurdi nuk është armiku, por sfida. Ai na fton të zgjohemi jo për të gjetur një përgjigje, por për ta jetuar pyetjen me guxim.
Sizifi modern nuk jeton brenda në mit, por në zyrë, në klasë, në rrugët e qytetit, në netët pa gjumë ku mendimet nuk heshtin. Ai është unë që përgatitem me përkushtim për një plan mësimor, edhe pse e di që do të përballem me sfida të reja si çdo vit në këto tridhjetë e tre vjet. Sifizi modern është prindi që përpiqet të japë dashuri, udhëzim apo drejtim, edhe kur bota jashtë është e paqartë. Sifizi modern është artisti që krijon bukurinë vargjeve apo tablove, në një kohë kur shpesh harrohet vlera dhe kuptimi i tyre.
Por çfarë e bën këtë përpjekje të vlefshme? Jo rezultati, por vetë akti i përpjekjes. Nëse nuk mund ta ndryshojmë gurin, mund të ndryshojmë mënyrën si e shikojmë atë. Në vend që ta shohim si barrë, mund ta shohim si dëshmi e forcës sonë. Në vend që të presim shpërblimin, mund të gjejmë tek vetvetja dinjitetin në vetë veprimin.
Kështu, absurdi nuk na thyen, por na sfidon të jemi krijues. Të ndërtojmë kuptim aty ku nuk ka, të gjejmë ritmin tonë në përsëritje, të japim dritë edhe kur qielli është gri, si sot. Dhe ndoshta, në fund të ditës, nuk ka rëndësi nëse guri rrëshqet sërish poshtë. Rëndësi ka që ne ishim aty, të gjallë, të vetëdijshëm, të guximshëm. Ekzistuam në një përvojë, por me dinjitet.
Alma Begaj