Miltiadh Davidhi

1-Fjalë të bardha
Bie kaq shumë dëborë,
Si flutura të bardha dashurie,
Sa fjalët e rrobat dimërore,
Që kemi veshur, ne dhe drurët,
Morën ngjyrë të bardhë,
Si ëndërr nuseje, plot me flutura
Të tretëshme mbi supe.
Tashmë, flasim vetëm
Me avuj të bardhë, që ngrijnë,
Si zambakë buzëqeshje,
E befas shndërrohen
Në fjalë të bardha,
Që me zor shqiptohen
Prej të ftohtit.
Buzët, eh, vetëm buzët e petalta
Mbetën në ngjyrën e kuqe,
Buzëve s’u mbeti
Asnjë flutërz e bardhë dëborë,
Asnjë kristal i ngrirë,
E shënjë dimri.
2-Ecim duke lënë një gjurmë
Përgjysëm mollën e ndamë,
Po ashtu ndamë dhe një hurmë.
Ti ëndrrën time, unë tënden kam,
Dhe ecim duke lënë një gjurmë.
Se, tashmë, ti je gjysma ime,
Dhe unë, gjysma jote, tani jam,
Prej teje më falen agimet,
Dhe mbrëmjet në shpirt i kam.
Në dy pjesë zemrën e ndamë,
Si një mollë, a si një hurmë.
Ti pjesën time, unë tënden kam,
Për të mos u ndarë më kurrë.