Flet  Thoma Vaso-Si filloi ndërtimi i Bazës së rrallë Ajrore të Gajdrit me ndihmën kineze-ntervistoi: Albert Z. ZHOLI          

FLET  THOMA VASO, ishkomandantit të  Repartit Ushtarak Nr.2261    

-Si filloi ndërtimi i Bazës së rrallë Ajrore të Gajdrit me ndihmën kineze me Drejtorin e MMP, ing. ushtarak Josif Zegali

– Gjërësia e tunelit ishte 16 m, ndërsa lartësia shkonte 8 m ku strehimi përbëhej prej një tuneli rreth 600 metra të gjatë në formë ‘U’-je

-Për tunelin kryesor, vend strehimit të avionëve, ishte blerë nga Shteti, jashtë vendit në Suedi, një kompleks modern makinerish e pajisjesh moderne, si dhe trajnimin e specialistëve

-Punimet kryheshin ditë dhe natë kryesisht nga Regjimenti i xhenios, që më përpara hapi rrugën e re Balldre-Bushat 24 km.

-Ky objekt shumë kompleks përfshinte një aerodrom me pistë ngritjesh dhe pistë urgjence, strehim në tunel të avionëve, depo nëntoksore për municione, karburanti, vendkomanda e pika e drejtimit, oficinë riparimi, rrugë lidhëse, ura e të tjera, vepër e pesëvjeçarit, por që nuk publikohej…

-Si filluan të realizoheshin veprat e mëdha ushtarake  në disa objekte  si në Gjadër, Himarë, Shëngjin

“Uzina Riparimit Autoagregateve të Ushtrisë“, tip tunel Babru, Tiranë do të shërbente si model për fortifikimin masiv të vendit

– Në muajt janar dhe prill 1966,  Enver Hoxha vizitoj tunelet që punonin trupat xheniere të Brigadës Xheniere Labinot, Elbasan dhe të Regjimenti xhenios Qafë-Mollë

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI              

            Arma e xhenios që në krijimin e saj, ka pasur dy detyra kryesore: së pari sigurimin xhenier, që pasqyrohet në kryerjen e veprimeve luftarake xheniere në terrenin e luftës dhe së dyti fortifikimin e teatrit të luftimit me të gjitha pjesët e saj përbërese në funksion të mbrojtjes dhe asgjësimit të armikut.

Pjesë përbërëse dhe tepër e domosdoshme e trupave xheniere ishte pajisja e kompletimi i tyre me teknikën përkatëse, për të kryer detyrat dhe kjo sipas periudhave e koh[ve të vetë zhvillimit të shoqërisë e të ushtrisë së saj. Çdo shpikje e zhvillim për lloje të ndryshme armatimesh si pushka e deri tek arma bërthamore, shoqërohet me masa të tjera mbrojtëse, të cilat bëjnë të mundur uljen e efektivitetit të tyre dhe rrisin mbrojtjen e trupave luftarake si dhe të popullatës dhe të objekteve të tjera të rëndësishme sociale, industriale, kulturore e tjera.

-Me krijimin e shtetit shqiptar cilat ishin detyrat kryesore të trupave xheniere si pjesë e shërbimeve të tjera?

Me krijimin e shtetit shqiptar, trupat xheniere si pjesë e shërbimeve të tjera, sipas modelit italian, kryenin detyra për ndërtimin e gazermave për efektivat e ushtrisë, në riparimin e rrugëve, vetëkuptohet që këto punime kryheshin pa mekanizma, kryesisht me krah pune dhe vegla elementare si lopata ,kazma, vare, qysqi e të tjera. Objekte të mirëfillta fortifikuese u ndërtuan nga ushtria italiane para pushtimit, si qëndra zjarri tip tunel, pika vrojtimi, vënd komanda si në Pllanë, Lezhë, Babjen të Librazhdit, në Qafë Thanë, Qafë Shtamë dhe pozicjone artilerie e objekte të tjera ndihmëse. Ndërsa gjatë Luftës II Botërore u ndërtuan qëndra zjarri në hyrje të urave, si dhe në pika dominuese në objekte e terrene me rëndësi. Me përfundimin e Luftës, Ushtria Popullore Shqiptare trashëgoi pak fare teknikë apo makineri për të kryer ndërtime dhe objekte fortifikuese, megjithate u moren masa për shfrytëzimin e të gjitha mundësive si nga trofetë e zëna armikut si dhe nga ndihmat që filluan të vinin në vëndin tonë. Menjëherë u krijua komanda me një batalion që përfaqësonte edhe trupat xheniere, të cilat filluan pregatitjen profesionale dhe u përfshinë në detyrat më emergjente të kohës dhe në ato kushte tepër të vështira. Megjithatë, forcat e ushtrisë në Rajonin e Korçës, në kufi me Greqi kanë punuar me përgjëgjësi për fortifikimin e brezit kufitar, duke ndërtuar elementë kryesorë si transhe, hendeklidhje, pozicjone për artilerinë, objekte fushore dhe të mbuluara me dhe e me dru. Objekte këto të ndërtuara me krah, me forcën e djersën e ushtarit e të kuadrove xhenierë, që drejtuan këto punime dhe në provokacionet e gushtit 1949 të monarkofashistëve grekë, ato e treguan rezultatin dhe efektivitetin e tyre. Detyrat kryesore të reparteve xheniere ishin kryesisht në brezin kufitar, ku kryheshin punime fortifikuese në drejtimet kryesore, sidomos në jugun e Shqipërisë. Njëkohësisht synohet edhe ndërtimi i rrugëve me rëndësi strategjike për mbrojtjen e vendit. Kështu e vetmja Brigadë autonome Xheniere me urdhër MMP, filloi punimet për hapjen e rrugës Poliçan-Kakruk Çorovodë dhe më pas Malind-Frashër-Përmet në terren shumë të vështirë dhe me shumë dhera që u kryen duke u lëvizur nga traseja e rrugës, falë forcës së krahut të efektivave xhenier. Po kështu filloj edhe një rrugë tjetër me rëndësi Gramsh-Lozhan, e cila kishte shumë vështirësi, sepse kalonte në terren të thepisur e shkëmbor.  Këto rrugë filluan mars 1948-prill 1949, ku me gjithë mungesën e teknikës, u punua me kazma, lopata, baromina e varre, transporti me karroca dore, me shumë djersë e sakrifica.

Me riorganizimin e reparteve xheniere në përshtatje me nevojën për realizimin e detyrave, në Brigadat Xheniere u krijua dhe batalioni teknik, ku përqëndrohesh teknika edhe me shërbimet e ndryshme teknike, me qëllim mbajtjen e tyre në gadishmëri. Nga Bashkimi Sovjetik, si mik dhe aleat, më vonë Traktati i Varshavës, vinin ndihma të konsiderueshme me teknikë, aparaturë e pajisje xhe niere, si: teknika kalimit pengesave ujore; për kryerjen e punimeve rrugore, dhe për montim urash metalike; teknikë dhegërmuese, për punimet fortifikuese edhe nëntokësore e tjera, këto kërkonin specializim e krijimin e kompanive, batalioneve për kryerjen e detyrave si dhe për shfrytëzimin e tyre. Kjo teknikë ju shpërnda kryesisht Brigadës së Xhenios, por edhe batalioneve xheniere të krijuara pranë njësive gjithëarmëshe, kështu mbi këtë bazë, një kompani teknike xheniere filloj nga puna për ndërtimin e riparimin e aerodromit të Kuçovës dhe më vonë u shtuan forcat dhe duke vazhduar hapjen e tuneleve për avionët, depo karburanti, municioni e tjera si dhe ambiente shërbimi për funksionimin e Bazës ajrore. Teknika e përdorur ishte kryesisht motokompresor, pistoleta me ajër, transportimi bëhej me vagonë e me eskavator e mjete transporti për hapjen e tuneleve, ndërsa për betonimin përdoreshin betoniare e transportues, ndërsa për pistën përdoreshin autogrejder, buldozer e automjete transporti. Në Bazën detare Pasha-Liman u vendosën dy batalione xheniere të krijuar, për ndërtimin e objekte në rajonin e flotës detare. Ato ishin kompletuar edhe me teknikën më të domosdoshme për kryerjen e këtyre objekteve fortifikuese.

  • A pati ndikim në Xhenio prishja e marrëdhënieve më Bashkimin Sovjetik?
  •  

Prishja e marëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe me bllokun e Traktatit të Varshavës, si në të gjithë vendin edhe në ushtri pati ndikimin e vetë, por në objektete detyrat e armës së xhenios kishte shumë mungesa. Në këtë kohë në inventarin e teknikës si në Brigadën e xhenios dhe në batalionet xheniere ishin gjëndja teknike, që përdorej prej 10 vitesh dhe që shfrytëzohej rregullisht si motokompresorë, motopompa, mjete transporti me karroceri e riportabël, eskavator të ndryshëm, autovinça,  moto dhe elektro betoniera, për kryerjen e punimeve fortifikuese. Ndërsa për kalimin e lumenjve kishin amfibet me goma e me zinxhirë dhe për punimet rrugore e aerodrome ishin autogrejderat, buldozer, eskavator e të tjera, të cilat përdoreshin e shfrytëzoheshin me kujdes, por tani ato ishin nën kapacitetine tyre dhe me një gadishmëri teknike me probleme, megjithatë kujdesi, riparimet me specialistë, po bënin të mundur realizimin e detyrave.

Trupat xheniere ishin shtuar, për shkak të nevojave të mëdha që kishin për realizimin e detyrave të fortifikimit, ku tani bënin pjesë veç Brigadës xheniere edhe disa Regjimente e batalione, të gjitha këto Rezerve e Komandës së Përgjithshshme (RKP) dhe kryenin detyra në interes dhe për zgjidhjen e nevojave më të rëndësishme si vendkomanda për Këshillin e Mbrojtjes e për Shtabin e Përgjithshëm, depo municioni e materialesh në interes të Bazave të Furnizimit dhe Rezervës Shtetit, industrisë prodhuese e ushtarake, ndërsa i gjithë efektivi xhenier në batalionet e fortifikimit kryenin punime sipas planeve operative në interes të rajonit ku ishin disllokuar.

Vetkuptohet se vështirësitë për sigurimin e bazës materiale dhe kryesisht e teknikës ishin më të mëdha dhe kërkesat gjithmon shtoheshin, kështu teknika në shfry tëzim kërkonte dhe përdorim e kursim, duke zgjatur kohën e shfrytëzimit.

-Tashmë u lidhëm me Kinën e largët si filloi ndihma e Kinës në Xhenio?

 Nga RP e Kinës për ushtrinë, por edhe për trupat xheniere filluan të vinin teknikë xheniere dhe shumë materiale të tjera të domosdoshme për kryerjen e punimeve. Kështu Brigata dhe Regjimenti i xhenjos si dhe batalionet ose detashmentet e fortifikimit, ishin të kompletuar me teknikë xheniere, të organizuara në batalione teknike ose në kompanit e përzier teknike, si: automjet për filtrimin e ujit, autokombinat druri dhe pajisje ndriçimi me grupin elektrik, karroofiçina për riparimin e teknikës; teknikë dhegërmuese buldozer S-80, S-100, eskavator të tipeve të ndryshme nga 0.25 deri 1 m3 kova, autogrejder; auto vinça nga 5 deri në 12.5 ton, automjete transporti me karroceri e vetshkarkuese nga 5 deri 8 ton; agregate të ndryshme si motokompresorë, motopompa, motogrupe elektrike, motobetoniera, motogurthyese, motosaldatriçe e tjera. Në këto kushte e rrethana, po dilte gjithmon e më në pah dhe po kristalizohej nevoja e përqendrimit të teknikës speciale xheniere, për të rritur më shumë efektivitetin e saj, mundësin e shfrytëzimit, specializimin e kuadrove drejtues dhe sidomos ata përdorues ushtar dhe civila, si dhe realizimin e kryerjes së riparimeve teknike e shërbimet e domosdoshme, në kushtet e vështira të shfrytëzimit të tyre në çdo pjesë të territorit. Për këto arsye, MMP krijon batalionin Autonom të Teknikës Rëndë Xheniere, Reparti ushtarak nr.2261, ku në urdhër përcaktohen qartë objektivi i tij: “Duke marrë parasysh se teknika e rëndë xheniere përbëhet nga mekanizma të fuqishme, të cilat gjejnë një përdorim të gjërë në punimet operative dhe me qëllim, që kjo teknikë të përqëndrohet në një dorë të vetme, për t’u përdorur në drejtimet kryesore të punimeve, për t’u ruajtur e mirëmbajtur më mirë teknikisht, si dhe për të zgjatur jetën e përdorimit të saj…” dhe më tej vihej detyra më emergjente “ vënien në shrytëzim të menjëhershëm të teknikës që ka ardhur dhe asaj që pritet të vijë’’. (Urdhëri i MMP Nr. 153 datë 1 korrik 1968)

Vlen të kujtohet e të vlerësohet roli i drejtorisë xhenios dhe fortifikimit sidomos në veçanti rol vendimtarë pati xhenieri i pasionuar dhe larg pamës, gjenerali dhe Heroi i Punës Socialiste, Mendu Backa, që me këmbënguljen, argumentat dhe me punën konkrete bëri të mundur dhe realitet këtë nismë të vështirë e me perespektivë për kohën. Aty u përqëndruan teknikë xheniere e ardhur nga Kina, por edhe që merreshin nga repartet e ndryshme të ushtrisë të shpërndarë më përpara dhe u organizuan në vazhdimësi kohore sipas organikave në : kompani e teknikës së rëndë: me buldozer S-100, eskavator të tipeve të ndryshme me goma dhe me zinxhirë, transhegërmuese, autogrejder; kompania e transportit me automjete me karroceri e vetshkarkues të tonazheve të ndryshme deri 14 ton, autovinça me largësi hedhje e fuqi deri 16 ton. Ekspedita hidrogjeologjike me auto e motosonda deri në 100m thellësi çpimi për studime gjeollogjike e hidrollogjike për ujë të pijshëm dhe për çpime për kryerjen e plasjeve të ndryshme, autokombinat druri dhe pajisje ndriçuese bashkë me grupin elektrik; kompania e Promeksave, për hapjen e tuneleve me çpim me ujë dhe plasje elektrike, me gjithë pajisjet shoqeruese si vetngarkues Volvo, elektrokompresorë, automjete transporti e të tjera. Toga e frezës Alpine për hapjen e tuneleve me gërryerje elektrike; kompania e gadishmërisë e pajisur me teknikë për të përballuar situata të jashtë zakonshme si bllokim nga dëbora, nga përmbytjet, për hapje rrugësh e të tjera si dhe me autoofiçina të lëvizëshme, por edhe më ofiçinë riparimi e kompletuar me pajisje metal prerëse të ndryshme, si dhe për kryerjen e shërbime teknike të planizuara.

-A punohej me plan për ndërtimet specifike ushtarake xheniere?

Sigurisht! Në planet perspektive të fortifikimit, punohesh parapraktisht në disa objekte si në Gjadër, Himarë, Shëngjin, pritej për investime të rëndësishme të mëdha në bashkëpunim dhe ndihmën e Qeverisë kineze. Ndërkohë po punohej me shpejtësi në ndërtimin e “Uzina Riparimit Autoagregateve të Ushtrisë“, tip tunel Babru, Tiranë e cila do të shërbente si model për fortifikimin masiv të vendit. Objekti u vizitua nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, ku vlerësoi punën, sakrificat e trupave xheniere, për përfundimin e këtij objekti të rëndësishëm. (A.Mojsiu,Në gjurmë të kujtimeve,vëll.II,fq.123,viti 2012)

Vite më parë në muajt janar dhe prill 1966,  Enver Hoxha vizitoj tunelet që punonin trupat xheniere të Brigadës Xheniere Labinot, Elbasan dhe të Regjimenti xhenios Qafë-Mollë.

Në korrik të vitit 1971 u organizua Plenumi i 12 i KQPPSH, ku i kushtohej posaçërisht mbrojtjes së atdheut e ushtrisë, me moton “Atdheu është i të gjithë popullit, prandaj duhet të mbrohet nga i gjithë populli “, ku midis të tjerave u theksua se armatimi i fuqive të mëdha, po vazhdon me ritme të larta dhe liria e pavarësia e atdheut tonë është në rrezik. U caktuan detyra konkrete për fortifikimin, që ishte një nga tre drejtimet kryesore të mbrojtjes së atdheut. U theksua se: “Në luftën modern, përveç maleve, ne ngremë edhe “male’’ të tjera atje ku s’ka, për t’u mbrojtur e për të sulmuar. Këto janë janë fortifikimet që kemi ndërtuar, po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë, duke u aktivizuar intesivisht në to ushtri dhe popull, deri në fortifikimin e fshatrave.”(E.Hoxha, Për Ushtrinë Popullore,vëll.I,fq.573,viti 1983)

-Kush ndërtim ushtarak mori përparësi në këtë kohë?

Në panoramën e punimeve të fortifikimit të kohës, vend të rëndësishëm, nisur edhe nga situata politike botërore, por edhe në marrëdhëniet me RP Kinës, ishte nga vlera e investimeve, larmia e e objekteve, përqëndrimi i madh i efektivave dhe i teknikës së larmishme objekti i Gjadrit, Baza e re Ajrore. Për këtë qëllim u krijua një kantier i madh e i shtrirë ndërtimi në fushën e Gjadrit dhe drejtohej nga Drejtori e përfaqësuesi i MMP, ing. ushtarak Josif Zegali dhe punimet kryheshin kryesisht nga Regjimenti i xhenios, që më përpara hapi rrugën e re Balldre-Bushat 24 km.

Ky objekt shumë kompleks përfshinte një aerodrom me pistë ngritjesh dhe pistë urgjence, strehim në tunel të avionëve, depo nëntoksore për municione, karburanti, vendkomanda e pika e drejtimit, oficinë riparimi, rrugë lidhëse, ura e të tjera, vepër e pesëvjeçarit, por që nuk publikohej. Ky objekt shumë i rëndësishëm  për mbrojtjen tonë ajrore, ndërtohej me ndihmën e RPKinës nën drejtimin e asistencën e një grupi inxhinierësh projektues e zbatues sipas objekteve e llojeve të tyre. Për tunelin kryesor, vend strehimit të avionëve, ishte blerë nga Shteti, jashtë vendit në Suedi, vënd i zhvilluar në industrinë e makinerive e pajisjeve për hapjen e objekteve nëntoksore, një kompleks modern makinerish e pajisjesh moderne, si dhe trajnimin e specialistëve, që do të shfrytëzonin e përgatisnin ekuipazhet e specialistëve për hapjen e tuneleve në një kohë relativisht të shpejtë.

       Promeksi me ekuipazhin që realizuan tunelin e Gjadrit 1972-1974

Pajisja kryesore, tip Promeksi ishte komplekse, me krahët e saj hidraulik katër cop për të bërë çpimet dhe një cop për kryerjen e mbushjes të brimave të çpuara me lëndë plasëse. Me këta krah realizohej mbulimi i gjithë sipërfaqes, çpimi kryhet me ujë, i lagur, në thellësin 4 metro dhe më pas kryhej mbushja e tyre me lëndë plasese, rreth 70 cop për seksion dhe me kapsolla elektike me kohë, realizohej plasja, duke përfituar një mal me çakull dhe një hapsirë boshe mbas pastrimit të saj. E gjithë kjo punë nga ekuipazhi kryhej brënda rreth 8-12 orësh në vartësi të shumë faktorëve. Mbas plasjes bëhej ventilimi me aspirator të kapacitetit të fuqishëm e me tuba plastik me diametër 1.5m dhe më pas fillonte e kryhej heqja e materiali me vetngarkuesen tip Volvo me 2.5 m3 kapacitet i kovës, që ngarkonte automjetet e manovrueshme tip kinez  “Lum Verdha’’ vetshkarkuese 8 ton, që boshatisënin tunelin duke e hedhur këtë material në pistën, që po ndërtohej .

Kjo punë vazhdonte sipas rendimentit të plasjes nga 8-12 orë dhe largësisë së hedhjes së tyre. Për të realizuar hapsirën e gjërësisë së tunelit sipas projektit duheshin të bëheshin dy plasje në krah të njëra tjetrës, sepse edhe gjërësia e tunelit ishte 16 m, ndërsa lartësia shkonte 8 m. Strehimi përbëhej prej një tuneli rreth 600 metra të gjatë në formë ‘U’-je që mund të strehonte rreth 50 avionë së bashku me personelin. Puna ishte organizuar e punohej në të dy anët e tunelit nën malin e Kakariqit, ku në çdo hyrje kryhej një plasje, ndërkohë që në hyrjen tjetër largohet çakulli i plasjes të kryer turnin tjetër, pra një cikël i plotë, ditën tjetër çvendoseshin makineritë në hyrjen tjetër. Për të kryer këtë punë tepër të vështirë dhe me plotë rreziqe, shërbenin një ekip mbështetës nga një qëndër stacionare prodhuese ajri me elektrokompresor tip suedez e kines, në lumin e Gjadrit merrej uji me elektropompa për kryerjen e çpimit të lagur. Këto makineri veç punimit të tunelit me cilësi, realizonin hapsira të mëdha pa kryer betonim, avancim të shpejtë, me siguri maksimale për jetën e specialistave, që thuajse jetonin nën tokë. Në objektet e tjera në kantier, batalioni teknik përdorte eskavator të ndryshëm, buldoser S-100, motorula për ngjeshjen e materialit të hedhur, mjete transporti vetshkarkuese, në pistën që ishte një objekt kryesor, ndërsa në tunelet e tjera ndihmëse me përmasa të vogla, punohej me pistoleta me ajër me kompresor dhe  me vagona hiqej materiali nga tuneli.

                              Avionët në tunel dhe para hyrjes Mig.21

Objekti i Porto-Palermos, Himarë zë vend të rëndësishëm për fortifikimin e Bazës detare dhe për mbështetjen e ruajtjen e saj

Nga përmasat objekti i Porto-Palermos, Himarë zë vend të rëndësishëm për fortifikimin e Bazës detare dhe për mbështetjen e ruajtjen e saj, për strehimin dhe kryerjen e gjithë operacioneve luftarake përgjatë mbrojtjes së bregdetit. Aty punohej nën asistencën e inxhinierve kinez edhe për këtë objekt ishin sjellë makineri e pajisje për realizimin e projekteve. Peshën më të madhe të punimeve e zinte tuneli kryesor me dy daljet që ishtei lundrueshëm nga të dy krahët, ndërsa në mes kishte ofiçinën për kryerje sherbimeve dhe për mbushjen me municione e silura. Puna për hapjen e tunelit me anë të tre galerive në pjesën e sipërme, në pjesën e harkut, ku mbas bashkimit të tyre me plasje, kryhej betonimi i tij dhe ai mbështetjet në shkëmbin ansorë.

Tuneli kryesor i Porto-Palermos hyrja jugore.

Ndërsa me Promeks realizohej heqja e zemrës deri afër ose nën nivelin e ujit të detit, me çpime e plasje elektrike, ndërsa materiali largohej me Volvo e automjete tip “Lum Verdhë”. Për vetë vështirësit e terrenit dhe largësisë së hyrjeve  nga jugu në very, Promeksi punonte vetëm me një grykë tuneli dhe herë pas here kryej lëvizja e saj e planifikuar. Në këtë objekt për specificën e punimeve çpimet për realizimin e thellësisë nga 4 në 7 metra kryheshin me autosonda dhe realizohej me plasje elektrike thellimi, ndërsa largimi me Volvo e mjete transporti, gjithmon pa prezencën e ujit të detit, që hiqej me elektropompa të fuqishme, mbas pritës ndarëse të detit me tunelin.

Duhet theksuar, sidomos në objektet e Gjadrit e në Porto-Palermo, kishte përqëndrim të madh teknike, me urdhër të MMP ishin krijuar edhe parqe me teknikë, që ruheshin në gadishmëri, në konservim dhe nuk lejohej të përdoresh. Me prishjen e marëdhënieve me RP të Kinës, kjo teknikë kryesisht autotraktore e agregate pati një ndikim pozitiv në realizimin e punimeve në vazhdimësi të objekteve fortifikuese.

Objekti i Shëngjinit kishte disa veçori dhe vështirësi në organizimin e detyrave sipas projekteve, veç tuneleve që shkojnë në thellsi 3 metra nën nivelin e detit, u krijuan edhe dy dallgëthyese tepër të fuqishme dhe me gurë të prodhuar nga gurorja që krijonin një aukorium para tunelit nga ana e detit për daljen, hyrjen e qëndrimin e katërave silurues. Autosondat kryesisht u kthyen në prodhuese gurit mbi 1 ton në gurore, që më pas vendosej me eskavator vinç në fund të detit me ndihmën e polumbarëve të flotës, sipas projektit në gjërësin e thellësinë e duhur,afro 5-6 m si mur i madh guri. Në këtë objekt u përdorën në tunele Promeksi si dhe ekskavator si vinça e gërmues në gurore, mjete transporti dhe për ngarkim edhe Volvo, ndërsa motokompresor në tunelet e vogla.

Një punë e madhe masive e efektivave të ushtrisë u krye në të gjithë territorin në montimin e qëndrave të zjarrit parafabrikat dhe me element përbërës, që prodhoheshin në kantieret e specializuar dhe transportoheshin me mjete transporti të tonazhit të lartë, duke u montuar me autovinça dhe me buldozier të modifikuar në vinça, në terrene të vështira, ndërsa një pjesë e konsiderueshme transportoheshin me krah në vendet e përcaktuara. Në punimet fortifikuese të kryera, sidomos gjatë këtyre viteve 1970-1990, roli i teknikës ka qënë vendimtar, sepse sipas projekteve të këtyre objekteve kishte vëllime të mëdhaja gërmimesh, lëvizje materialesh sidomos në objektet nën toksore, që duhet të realizohen më shpejtë, me cilësi dhe objekti të vihej më shpejtë në funksionin e tyre për mbrojtjen, megjithatë puna fizike me krah ka pasur një rol kyç e të pazëvendësueshëm nga efektivat ushtar e punonjës civil nëpër këto objekte e detyra. Para gjithë kësaj pune të mëdhe të kryer nga teknika për detyrat e ngarkuara ndër vite, në krye qëndronin kuadron e nderuar dhe oficerët e shërbimit autotraktor, të cilët kudo organizonin e drejtonin me përkushtim, vendosmëri, profesionalizëm dhe sakrifica këtë teknikë të domosdoshme në çdo aspekt të jetës e Ushtrisë. Këta kuadro ushtarakë dhe civilë, bënin të mundur përdorimin e drejtë të saj sipas planifikimin për punime dhe shërbimet teknike të nevojshme, në vazhdimësin e punës. Po detyra për çdo ushtar e punonjës civil ishte kujdesi ruajtja dhe përdorimi me kriter i teknikës për realizimin e detyrave .Veç Drejtorisë Xhenios e Fortifikimit, një kujdes të përhershëm tregonte edhe Drejtoria e Autotraktorave dhe Agregateve që planizonte pjesët e këmbimit, shërbimet teknike të mesme dhe kapitale dhe kontrollin e shfrytëzimit të tyre, sipas kritereve.

Me këtë rast kujtojmë dhe respektojmë punën vetmohuse të kuadrove, sakrificat e trupave xheniere, por në nderojmë e respektojmë edhe mundin e djersën, kuadrove, personelit inxhiniero-teknik, ushtarve e punonjësve civil, të reparteve në sherbimin e teknikës si në : Brigadat e xhenios Nr.3202, Elbasan- Vasil Bulku, Haredin Corra, Qazim Ajazi, Bajram Hasa; -Nr. 4930, Tiranë, Sali Koxhuku, Hysen Pasho, Llazi Tona, Pëllumb Goxhaj, Fejzo Alikaj, Flori Shehu, Ylli Saliu, Ahmet Bici; Brigada Urave Nr.9208,Kavajë -Qamil Jaupi, Hasan Dedolli, Petrit Karkanqe, Iliaz Iljazi, Llazi Prifti, Mihal Kuço, Fejzi Kulla, Neim Kollçaku, Piro Vita, Safet Mero, Belul Korça; Regjimentet e Fortifikimit Nr .2203, Tiranë: Suat Ylli, Fejzo Alikaj, Llazi Tona; – Nr.3205, Himarë: Pëllumb Lamçe, ing. Dhimitër Kerri, Shefqet Musabelliu, Spiro Thanasi, Nevzat Abazi, Dhame Nake; – Nr.5100, Berat. Josif Andoni; – Nr.3225, Elbasan: Sadik Shkëmbi; -Parku Teknikës Rëndë Xheniere Nr.2261, Myrdar Rexhepi, Ing.Astrit Korbeci, Ing.Andon Bitri, Roland Madhi, Thoma Vaso, Pëllumb Lamçe, Spiro Çavo, Besnik Qylafku, Siri Cane, Flamur Hajno, Eqerem Hyka; -Divizioni Xhenios Nr.6188, Tiranë: Ing. Luan Nepravishta, Thoma Vaso, Ing, Shyqyri Gurabardhi, Ing. Fatos Mustafaraj, Flori Shehu e Kujtim Arbana.

Në mbyllje :

            Arti Ushtarak studion e zbaton elementët kryesorë bazë të luftimit që janë : njeriu, arma , terreni, të cilët bashkëveprojnë  në mënyrë universal për të arritur qëllimin, qoftë në mbrojtje apo në sulmin e përcaktuar. Në këtë aspekt terreni merr rol kryesor, prandaj ai duhet përshtatur për të mbrojtur njerëzit, teknikën e bazën materiale, pra ta fortifikojmë mbi bazën e një plani e projekti mbi nevojat e tij, kushtet dhe rolin e tij në një situatë të caktuar luftarake, njëkohësisht llogaritet edhe kundërshtari me potencialin e fuqin e tij ushtarake.

            Fortifikimi si pjesë e rëndësishme e organizimit të mbrojtjes të vendit tonë e  bënte edhe më të domosdoshme mbi realitetin ushtarak të kufinjve dhe të marrëdhënieve shoviniste historikisht me ta dhe kjo ishte e vërtetë, e mbarsur me rreziqe reale për pavarësinë e vendit dhe jo imagjinare, siç shkruajnë e pretendojnë disa.

            Fortifikimi është vepër e madhe, vërtet kushtoi shumë vlera ekonomike dhe fuqi  njerëzore, por i shërbeu në atë kohë  mbrojtjes dhe mendimet a duheshin, a ishte e tepëruar ose duheshin më pak, ngelën pa u përdorur, sot nuk kanë vlerë, këto llafe janë si kofini mbas të vjelave.

            Në luftrat e mëdha botërore shumë shtete ndërtuan vija të fortifikuara të fuqishme, që kanë ngelur në histori dhe studiohen edhe sot, ato u ndërtuan për mbrojtjen e sigurt të vendit dhe ndërkohë nuk dihej, kur do të kishte sulme apo luftë ose mund të mos përdoreshin asnjëherë.

            Zhvillimi i luftrave sidomos vitet e fundit në Ukrainë e në Gaza, nxjerrë në pah  rolin e pazëvëndsueshëm të fortifikimit për ruajtjen njerëzve e ushtarakëve, të mjeteve  e armatimit luftarak, për mbrojtjen e ekonomisë e  të prodhimin .

            Historia e një vendi, lufta e tij për mbijetesë pasqyrohet edhe në kalatë, që mbushin territorin, thuajse çdo qytet e krahinë ka simbolin e tij, kalanë, që ne sot i ruajmë, i restuarojmë, presim dhe turistë dhe krenohemi e mburremi me to, këto në vetëvete janë objekte fortifikuese, por nuk ndodh kështu me objektet e ndërtuara nga vitet 1950-1990, ato veç vlerave turistike, kanë vlera të rëndësishme për vetë mbrojtjen e vendit, ato janë pasuri kombëtare dhe duhet të përgjigjemi për to, kryesisht Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.

*Ka kryer detyrën e komandantit të  Repartit Ushtarak Nr.2261, 1979-1990

  si dhe shef  teknike i Divizionit të Xhenios 1990-1992, Tiranë.

Të gjitha fotot botohen për herë të parë ruajtur për vite nga autori

FOTO TË NDRYSHME :

Teknika xheniere kryen punime në hekurudhën Milot-Klos,në Rëshen,1986.

Autori kryen detyrën e komandantit të repartit.