
Hasan Kurti – Letra të humbura. Përgatiti: Irma Kurti
Marrëdhënia jonë e tanishme përbëhet nga çaste, të vogla, por kuptimplote. Për shkak të kësaj situate dramatike, çdo fjalë e sime shoqeje na skalitet në mendje.
*****
Zëri im nuk është bindës, sepse dëshpërimi, zemërimi, keqardhja më kanë pushtuar të tërin, ose, ndoshta, problemi nuk është aspak te zëri.
*****
Ime shoqe është optimiste, plot entuziazëm për jetën, me një dashuri pa fund për të bijat, për familjen… e ndien se forcat po e lënë, se trupi po e tradhton, se kurat, dietat, sakrificat maksimale që ka bërë deri tani nuk kanë qenë të mjaftueshme. Kjo është e vërteta, që ne e njohim mirë, por nuk duam t’ia pohojmë as vetes. Ndërsa ajo ka aq kurajë sa nuk e kemi ne të gjithë së bashku.
*****
Shumë letra nuk mbërrinin në Itali. Çdo herë që i shkruanim vajzës sonë, nuk na ndahej ndjesia se edhe ajo letër do të humbiste rrugës. Donim të ndanim të përditshmen dhe nostalgjinë e pafund, edhe pse kjo nuk ishte e mundur.
HASAN KURTI
Marrë nga libri “Prozë poetike dhe Aforizma”,
Lena Grafik, 2022, Prishtinë
Përgatiti për botim: IRMA KURTI