Hasan Kurti – Na ngrohte dashuria. Përgatiti: Irma Kurti

Unë i njoha prindërit në vitet e para të jetës, por isha tepër i vogël për t’ua ruajtur portretin në mendje. Dhembja për atë vdekje të parakohshme kishte shumë fytyra: mungesa e tyre, pamundësia për të shqiptuar me zë të lartë fjalët nënë dhe baba, keqardhja që nuk kisha të paktën një fotografi të tyre. Nuk do t’i shihja kurrë më, nuk do t’i ndieja kurrë më përkëdheljet dhe dashurinë e tyre.

Ndihesha i pafat, jo se linda në një familje të varfër, por sepse mbeta pa prindër që në moshë të vogël. Është një mungesë që e ndien në çdo çast të ditës, të jetës, edhe kur rritesh nuk të braktis kurrë. Nuk do t’ia uroja askujt.

*****

Kur u rrita pak, disa vite më vonë, fillova të mbledh përshtypjet e bashkëfshatarëve që i kishin njohur prindërit e mi. Kisha nevojë të ndërtoja portretet e tyre të vërteta e t’i ruaja të tilla, edhe me kalimin e viteve.

Kur njëri nga miqtë e tyre më tha se ecja si babai, ndërsa rritesha u mundova me të gjitha mënyrat të mos e ndryshoja ecjen, sikur të ishte e vetmja fije që më lidhte me të.

*****

Nuk e dija as se ku ishte varri i tyre. Si rrjedhim, nuk kam pasur kurrë mundësinë t’u çoja lule, të derdhja një pikë lot ose t’u flisja gjatë, siç nuk kisha bërë dot edhe në jetën tonë bashkë.

Mbi kodër, nën hijen e ullinjve shekullorë të vendosur në formën e trekëndëshit, ku ndodhej varreza e vjetër, unë përfytyroja se aty mund të preheshin edhe prindërit e mi. Ndoshta, më në fund, kishin gjetur qetësinë që nuk e kishin takuar kurrë gjatë jetës së tyre të shkurtër.

*****

Do të vazhdonim të jetonim në atë shtëpi, që ishte pasuria më e madhe që na kishin lënë prindërit, kujtimi më i vërtetë dhe i prekshëm i pranisë së tyre. Por s’mund ta dinim se lumturia jonë i kishte ditët të numëruara.

*****

Ishim të varfër, por prania e njëri-tjetrit na ngushëllonte dhe e bënte më të lehtë përballimin e vështirësive e sfidave. Kishim ftohtë, por na ngrohte dashuria.

HASAN KURTI

Marrë nga libri “Prozë poetike dhe Aforizma”,  

Lena Grafik, 2022, Prishtinë

                 Përgatiti për botim: IRMA KURTI