Hijet-Bashkim Saliasi

SKICË

HIJET

ËNDRRA…

I shtrirë në nimin e ballkonit, Llazin e kish kapitur gjumi.
-Sa budalla paske qenë more Llazi! Tani që je kryeplak dhe vulën e ke vetë, përse nuk përçapesh dhe të marrësh pronën e gjyshit, apo të shkollohesh?
-Mirë e ke ti, po si nuk m’u kujtua më parë moj Naunkë, për ato të shkreta letra kemi Sandrin!
-Cilin Sandër, mor ditëbardhë?
-Sandrin moj xhane, që punonte me mua në brigadë para se të na fusnin në burg.
-Po përse more Llazi, ku punon ky Sandri tani!?
-Ky Sandri që t’a marrësh vesh ti Naunkë, pasi bëri një kurs tremujor te “Plepat në Durrës” na është bërë avokat në rreth.
-Ç’farë thua,- bre Llazi, Sandri që dhe tetëvjeçaren nuk e kish mbaruar dhe është bërë avokat në rrethin tonë!
-E moj Naunkë, moj Naunkë si janë këto punë! Nuk i kupton dot tinë dhe una marifetet që bëhen.
-Po ti more ditëzi, përse nuk e vazhdon shkollën e lartë?
-Ehe, moi Naunkë, harrove tinë që unë vetëm klasën e katërt kam bërë dhe nuk kam marrë as dëftesën e shkollës tetëvjeçare.
-Mos u mërzit Llazi se shkollën e mesme do ta rregulloj unë!
-Kush je ti mor xhan i Llazit që do më rregullosh dëftesën e shkollës së mesme pa marrë tetëvjeçaren!?
-Afrohu, afrohu, se është cazë si natë dhe nuk më dallon mirë fytyrën tina mua, po unë jam Miçua,  bre që më thërrisnit “Ujor”, kur punonim në brigadën e SMT-së.
-Ee, po ku je bre Miço, se na thave sytë?! Sa qenke rritur bre Miço!?
-Po si mor Miço, do ma rregullosh tina dëftesën e shkollës së mesme, kur unë në amzë jam i regjistruar se kam mbaruar arsimin fillor?
-Në atë krah fli tina o Llazi se amza e shkollës është atje ku e mbante drejtor Koli.
-Hajde Llazi, hajde nuk paske marrë vesh gjë hiç tina nga jeta.
-Po pse bre Llazi nuk e ke marrë vesh tina që unë e mbarova të lartën dhe jam emëruar drejtor i shkollës së mesme.
-Po t’i o Miço nuk di të shkruash as emrin tënd!
-Mirë o Lazi, mirë, rri e fli gjumë tina, po unë mora diplomën dhe pas ca kohësh do bëjë dhe masterin.
-Bravo Miço! Po sa leka do tina mor miku i Llazit, që të ma mbarosh këtë punë?!
-Ti o Llazi më jep një vërtetim për të privatizuar stallat e fermës dhe unë nesër në darkë të sjell dëftesën e shkollës së mesme.
-Qoftë e bërë!-foli Llazi me gjysmë zëri, por me vete po mendonte se pazari ishte në favor të Miços.
-Mja-uuu, mjaku! –e trembi macja që flinte e qetë te këmbët e Llazit pasi ky lëvizi për t’u mbrojtur nga pickimi i mushkonjës. -Ik e bin dreqi se më prishe ëndrrën e bukur që po shihja, -foli Llazi gjithë mllef.
Naunka që rrinte e vështronte pasi kishte dëgjuar gjithë ëndrrën e Lazit që fliste në gjumë, e ngacmoi atë.
-E Llazi me cilën bisedoje në ëndërr tina mor burrë! Hajde muhabet që bëje mor Llazi, hajde.
-E moj Naunk, e di ti që, Zoti, kur nuk ta thotë dot kismetin me sy hapur, ta thotë në gjumë!? -Dhe Llazi i tregoi fill e për pe ëndrrën Naunkës, e cila e dëgjoi me shumë vëmendje.
Pasi Llazi mbaroi së treguari ëndrrën, Naunka mori frymë thellë dhe i dha urdhër Llazit që atë ta bënte realitet sa më parë.
Tiranë, më 0.07.2026