Ibrahim Didani – krijuesi që ndriçon botën e fëmijëve

Nga Timo Mërkuri
Ibrahim Didani është anëtar i Klubit të Krijuesve Jonianë të qytetit të Sarandës, por e veçanta e tij qëndron në mënyrën si i qaset artit: me shpirt të pastër dhe dashuri njerëzore. Ai njihet për pasionin ndaj fotografisë, për aftësinë për të ndalur çastin dhe për t’i dhënë atij jetë të re përmes dritës, por në thelb mbetet një shkrimtar që i flet zemrës së fëmijëve me vargje e tregime plot ndjesi dhe mirësinë e kujtesës.
Qysh në vitin 1999, me botimet “Legjenda e syrit kaltërosh” dhe më pas me “Dhia balë, keci larë”, ai tregoi përkushtimin e tij ndaj letërsisë për fëmijë, duke sjellë tek lexuesit e vegjël ngjyrat dhe ëndrrat e fëmijërisë shqiptare. “Legjenda e syrit të kaltër” u ribotua në vitin 2020 në dy gjuhë; shqip dhe anglisht dhe për këtë libër autori ka marrë vlerësime që nga Kina, një rast i rrallë ndër krijuesit jonianë.
Në vitin 2025, Didani i shtoi krijimtarisë së tij edhe dy libra poetikë për fëmijë: “Fluturimi i dallandysheve” dhe “Dritë dielli, rreze hëne”, të cilët mbartin dritën e shpirtit fëmijëror dhe gëzimin e natyrës. Si aneks i krijimtarisë së tij, gjatë këtij viti nga shtëpia botuese “2.M.” doli në qarkullim edhe libri me poezi për të rritur, “Stinë dashurie”, që e plotëson portretin e një krijuesi të formuar, që di të flasë me çdo moshë dhe në çdo gjuhë të ndjenjës.
1. Ibrahim Didani është poet që ndriçon me dashuri, është nga ata autorë që nuk e ndan artin nga dashuria për jetën. Për të, të shkruarit është mënyrë për të ndriçuar shpirtin e njeriut dhe për të ruajtur brenda vetes pastërtinë e fëmijërisë. Ai është një poet që di të shohë botën me syrin e fëmijës dhe ta tregojë atë me përvojën e njeriut që ka njohur shumë dritë e shumë hije, por që nuk ka humbur kurrë besimin tek e bukura.
Në poezinë e tij, drita nuk është vetëm ndriçim fizik, por një gjendje e shpirtit, një mënyrë për të parë botën përmes mirëdashjes. Ai e sheh fëmijërinë si kohën e pastërtisë së njeriut, si një tempull ku njeriu ndien për herë të parë habinë, mirësinë dhe misterin e jetës. Në këtë kuptim, shkrimtari nuk është vetëm tregimtar, por ruajtës i një flake të shenjtë, që mos të shuhet kurrë në shpirtin e fëmijës e të rriturit.
Të shkruash “Legjendën e Syrit të Kaltër”, të lumit të Bistricës, nuk është një akt i thjeshtë rrëfimi. Është një proces delikat që kërkon aftësinë për ta zbritur legjendën nga qielli i miteve në tokën e ëndrrave fëminore. Vetëm një krijues që i njeh thellë ndjenjat e fëmijëve dhe e do botën e tyre mund ta bëjë këtë me dashuri dhe përmasë artistike.
Fëmijët kanë një aftësi të veçantë për ta përthithur magjinë e legjendës në tërësi, për të kapur edhe ato hollësi që shpesh u shpëtojnë të rriturve. Kjo është arsyeja pse legjendat, kur u rrëfehen me dashuri, bëhen për ta më të gjalla se vetë realiteti. Për t’i sjellë këto legjenda në gjuhën e tyre, duhet një përvojë e gjerë jetësore, një zemër e ndjeshme dhe një shpirt që di të “kthehet në fëmijë”.Ashtu siç gjyshërit rrëfejnë përrallat me butësi e përkushtim, ashtu edhe Didani i qaset mitit me dashuri. Ai e njeh botën e fëmijëve, sepse e do atë botë. Ai di të zbresë nga bota e ambicieve e përditshmërisë në botën e pastër të ëndrrave, aty ku fjala nuk është thjesht rrëfim, por magji që mbillet në kujtesë, dhe ku çdo varg shndërrohet në urë midis realitetit dhe mrekullisë.
Por ekziston edhe një vështirësi tjetër: shndërrimi i legjendës së Syrit të Kaltër në poemë për fëmijë kërkon një transformim të madh. Duhet rikrijuar legjenda me butësinë e artit, ashtu siç balta shndërrohet në bust, në basoreliev apo në statujë për t’u derdhur më pas në bronz. Nuk lejohen gabime në përpunimin e baltës, sepse ato mbeten përgjithmonë në metal, njësoj si gabimet në përpunimin e legjendës për fëmijë, të cilat mund të shndërrohen në mungesa ndjeshmërie në moshë të rritur. Në këtë proces, poeti ngjan me një dritëmbajtës që i përcjell brezave zjarrin e shpirtit njerëzor, duke ruajtur ekuilibrin midis ëndrrës dhe jetës, midis së kaluarës mitike dhe së ardhmes që fëmijët do ta ndërtojnë. Prandaj kjo kërkon një vizion artistik për të ardhmen: nuk është thjesht një kënaqësi momentale, një përrallë për t’i vënë në gjumë fëmijët, por një përvojë trimërie historike që edukon një brez atdhetarësh me dashuri, mençuri dhe guxim.
Sepse përrallat e fëmijërisë janë karakteri i moshës madhore, aty fillon morali, ndjenja e drejtësisë dhe dashuria për jetën.
2.Didani nuk mjaftohet me rrëfimin e thjeshtë të një legjende; ai e ringjall atë me dritën e fjalës, me ngrohtësinë e kujtimeve dhe me poezinë që buron natyrshëm nga përjetimi i tij. Ai e di se çdo legjendë mban brenda një urtësi, një kod shpirtëror që fëmijët e ndiejnë më mirë se të rriturit. Në “Dhia balë, keci larë”, poeti ngre një botë ku gjallëria e jetës fshatare dhe ngrohtësia e përditshmërisë ndriçohen nga humori i lehtë dhe mirësia që përçon rrëfimi. Këtu nuk ka ndarje midis njeriut dhe natyrës; çdo qenie është pjesë e së njëjtës frymëmarrje, njësoj si në përrallat e moçme ku edhe kafshët kanë shpirt e fjalë.
Në “Fluturimin e dallandysheve”, Didani flet për shpresën, kthimin dhe gëzimin e jetës. Dallëndyshet e tij janë si fëmijët që nisen drejt horizontit me ëndrra të mëdha, por që gjithmonë dinë të kthehen tek drita, tek shtëpia, tek dashuria. Poezia e tij është si një frymëmarrje pranverore, e ngrohtë, e kthjellët dhe plot dritë.
Në “Dritë dielli, rreze hëne”, ai i mëson fëmijët të kërkojnë dritën jo vetëm në diell, por edhe në hënë; jo vetëm në gëzim, por edhe në ëndërr. Në çdo varg të tij ndihet butësia prindërore dhe dashuria për fjalën.
Në gjithë këto krijime, Ibrahim Didani ruan një përbashkësi shpirtërore: dëshirën për ta mbajtur të gjallë fëmijërinë si hapësirë të shenjtë, për ta ruajtur përrallën dhe legjendën si pasuri shpirtërore. Ai di të zbresë nga bota e ambicieve në botën e ëndrrave, di të bëhet fëmijë për të kuptuar fëmijët. Kështu, legjenda, kafsha, shpendi, dielli e hëna gjejnë vend në të njëjtin univers poetik, ku gjithçka jeton përmes dashurisë. Dhe kjo është arritja më e madhe e tij: ta kthejë botën në një përrallë të bukur, ku çdo fëmijë mund të gjejë veten, një pikë drite, një rreze shprese dhe një arsye për të buzëqeshur.
3. Një numër i madh shkrimtarësh e poetësh që kanë shkruar për fëmijë janë vlerësuar në letërsinë shqiptare, europiane dhe botërore si ndërtues të një bote të dritës e ëndrrës, mbartës të asaj magjie që e ruan njeriun të pastër në shpirt. Letërsia për fëmijë nuk është vetëm një degë e letërsisë, por një formë arti që bashkon ndjenjën, imagjinatën dhe urtësinë jetësore në një gjuhë të qartë e të ngrohtë. Në hapësirën shqiptare, emra si Mitrush Kuteli, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka e shumë të tjerë kanë krijuar vepra që mbeten të gjalla në kujtesën e brezave. Ata e kanë parë fëmijën jo si lexues të vogël, por si shpirt të madh që kërkon botën përmes mrekullisë së fjalës.
Në traditën europiane dhe botërore, letërsia për fëmijë ka dhënë figura të pavdekshme si Hans Christian Andersen, Astrid Lindgren, Leëis Carroll apo Antoine de Saint-Exupéry, të cilët kanë dëshmuar se arti për fëmijë është po aq i lartë e i ndërlikuar sa çdo formë tjetër letrare.
Në këtë vazhdë të artit që flet me zemrën e fëmijërisë qëndron edhe Ibrahim Didani, i cili me veprat e tij poetike dhe përrallat e buta e plot dritë sjell frymën e dashurisë për jetën, për natyrën dhe për mirësinë njerëzore. Ai është pjesë e atij universi krijuesish që e shohin fëmijën si shpresën e botës dhe që e ndriçojnë atë me fjalën poetike, duke i dhënë letërsisë për fëmijë një vend të merituar në kulturën shqiptare dhe më gjerë.
4.Në fund të çdo poezie të Ibrahim Didanit ndihet një dritë që nuk shuhet, dritë që nuk vjen vetëm nga dielli, por nga brenda shpirtit të njeriut. Ai na kujton se fëmijëria nuk është një moshë që kalon, por një gjendje që duhet mbajtur gjallë në çdo hap të jetës.
Në këtë kuptim, poezia e tij është si një pasqyrë e pastër ku njeriu sheh veten ashtu siç është dashur të mbetet: i thjeshtë, i mirë dhe i aftë për t’u mahnitur nga bota. Në një kohë kur gjithçka nxit shpejtësi dhe harresë, krijimtaria e Didanit ngjan me një dritare të hapur drejt pastërtisë, që na mëson të ndalemi, të dëgjojmë zërin e natyrës dhe të ruajmë në vete fëmijën që nuk plaket kurrë.
Kështu, përmes artit të tij, Ibrahim Didani nuk u flet vetëm fëmijëve, por të gjithë atyre që ende besojnë se drita e shpirtit është forma më e lartë e poezisë.
Sarandë, tetor 2025