Intervistë e Ali Asllanit e vitit 1931, botuar në gazetën Tomori

Intervistë e Ali Asllanit e vitit 1931, botuar ne gazeten TOMORI

FLET ALI ASLLANI ​

(Intervistë e vitit 1931)​

Ali Asllani është poeti që u lidh ngushtë me tokën dhe Jetën Shqiptare. Nuk këndon vetëm se ndjen jetën e brendshme të artistit të vërtetë, por sepse ndjen thellë shpirtin e popullit t’onë me gjithë dëshirat e llaftaret e tij. Poeti i jetës, i realitetit, poeti i natyrës shqiptare. Është piktori i gjallë i jetës së kaluar, dhe jo artisti imitonjës i faktevet, por poeti që lartësoi jetën t’onë në ideal. . Nuk niset nga ëndëra, por nga realiteti, të cilin e zbukuron dhe na e paraqet në gjallërinë e tij plastike, si një ëndërë të artë, të dalurë nga thelbi i së vërtetës. Përqafoi me dashuri shpirtin e pasur shqiptar, u mundua bashkë me ‘të, u gëzua dhe qau si njeri i vërtetë. Munt të themi pa frikë përgenjështrimi se është poeti i jetës, në kutpimin e thellë të fjalës.

Hymë kollaj në themën t’onë. Nuk është nevojë për përpjekje dhe zgjuarsi gazetareske. Nuk sjell nonjë kundërshtim për intervistë. Nuk fsheh veten. Është poeti që po t’i hapësh bisedën, e vazhdon vetë me pasion të thellë. ​

———————————————-

– Arti në shërbim të popullit, në shërbim t’Atdheut. Vjersha duhet të thotë diçka, të ketë një ideal brënda sajë, e që të mundet t’a thotë mirë atë që mbyll, duhet të dalë nga shpirti i popullit, nga jeta e gjallë. Nuk e ndaj Artin në aksioma, kur them këtë; themën më përpara nga të gjitha e ndjen vetë artisti, krijonjësi, por në vënd që ta bëjë vetëm për veten e tij, këtë prekje artistike i shfaq dhe ndjenjat e tija i dorëzon në popull. Me qënë se ai i ndjen dhe preket, doemethën kënaq shpirtin e vet artistik, atëherë pse shkruan? Për veten? Le t’i mbaj në sirtar të pabotuara. Arti është art kur është i zoti të na sjellë në botën e tij, kur na prek, por nuk do të thotë se duhet të jetë i pakuptuarshëm, ose i thellë dhe i errët me zor.

Më vjen tani ndërmënd një aksiomë artistike: Kemi nevojë për një gjuhë që të flasë si numurat për të gjithë njerëzit. Kemi nevojë për një art që të prekë të egërit dhe të qytetëruarët, të kulturuarët dhe injorantët.

Dhe poeti vazhdon bisedën:

-Artistët e mëdhenj si thotë një poet, janë të emërguar nga qielli këtu në tokë, janë dhuratë për të gjithë botën. Arti i tërë botës bashkohet në qëllimin e tij të shënjtë. Dhe që të kuptojë populli artin duhet që ky të jetë i thjeshtë si është e kthjelltë një vepër klasike.

Artisti duhet të jetë njeri më përpara. Arti del nga realiteti dhe zotësia e artistit qëndron këtu: duhet të kapërcejë realitetin me frymën e tij, duhet të nxjerrë dhe të shfaqë me intuitën e tij gjithë atë lëndën e bukur që nuk e shquan dot një njeri i thjeshtë.

Është në gjendje populli të kuptojë artin, artin e thjeshtë që del nga jeta e tij?

Këtu nuk do të flasim për popullin analfabet, ose për atë që s’ka kapur kurrë një libër në jetën e tij. Kur shikon një personalitet që ka të gjitha cilësirat për të kuptuar bukurinë, ose një numër njerëzish që nuk e kuptojnë, që nuk e ndjejnë artin, atëherë do të thotë që qytetërimi i tyre është i përciptë. Dhe këtu duke folur për qytetërimin, kuptojmë të gjitha ato cilësit karakteristike të një grupi njerëzish që e shquan dhe e lartëson mbi popullin.

Kështu shtoj unë munt të dashurosh më tepër një fëmi nga një statujë dhe nëqoftëse sheh statujën të bjerë mbi fëminë, do vraposh ta shpëtosh dhe do lësh statujën të bëhet copa, qoftë edhe një kryevepër.

Në “Hanko Halla” cilin tip këndoni, cilën epokë? (Presim të shpjegohet vetë krijonjësi dhe jo se nuk e kuptojmë qëllimin e veprës së ditur të Asllanit).

– Atje është një jetë që perëndon, jeta jonë e posakaluar në pamjet e saj më karakteristike. Hanko Halla kur kritikon vajzën shqiptare, i flet me një mprehtësi dhe hollësi të madhe, kështu që i pëlqejnë dhe atyreve që e dëgjojnë. Këndon kryelartësin e gruas shqiptare. Pastaj këtu përshkruhet jeta modeste e shqiptarit që ndjen dhe flet për tokën e tij. Dhe sa mbi pjesën e Vajzës Shqiptare, vetëkuptohet se bëhet fjalë mbi vajzën t’onë, mbi atë vajzën që shumë pakë e njohim. Është një portret i cilësirave dhe i bukurisë së saj të shquar.

Ç’do të mira kemi

Unë jam një arbresh rroj këtu në rrëza

Një gjak e një gjuhë kemi me thëllëza

Pëllumb e sorkadhe jemi farë e fis

Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë

– Nuk është një bukuri që e gjëjmë në çdo popull tjetër; bukurija e vajzës s’onë shoqërohet me ndjenja të thella tradicionale dhe burrërore. Nuk është vajza që mbylle në narcizismën evropjane, është një bukuri me cilësirat e gjalla të racës sonë, shqiptare.

Dashuron, por mbi të gjitha në gjakun e saj sjell detyrimet e historisë së racës, së familjes:

A more vesh kush më ka qëndisur

Është drit’ e qiellit që më ka stolisur

Është drit’ e diellit, është drit’ e hënës

Më shumë nga të gjitha është sisa e nënës.