Jam gruaja e veshur me frymë vjeshte-Alma Zenellari

Alma Zenellari

sa herë fryjnë erêra të trazuara

vallëzon gjethnaja e flokëve të mi,

Thellë syve përthyhen ngjyra dhe dritë..

Jam vjeshta me aromë gruaje

Çdo ngjyrë merr formë,

Merr trajtën e një fruti që deh ëmbëlsisht…

Jam vjeshtë flokënajë,

jam grua flokëvjeshtë,

jam fruti që duarve e mbledh

e shtrydh dhe dehesh pa u penduar…

Shtrydh me gishta rruaza të kuqe gjaku,

pikturon mbi buzë

shegët lënë gjurmë , hieroglife dashurie,

gjurmët bëhen fjalë

fjalë magjike ,

ato të duhurat që zemrën e përflakin…