Jam shqiptar -jam UÇK!Nga Nexhbedin Basha, gazetar & poet

JAM SHQIPTAR — JAM UÇK!

Reportazh historik-artistik nga Sheshi “Skënderbej” – 17 tetor 2025

Nga Nexhbedin Basha, gazetar & poet

Era që fryn mbi sheshin “Skënderbej” atë mëngjes tetori kishte aromë dheu të larë me gjak, me gjakun e djemve që s’u përkulën kurrë. Flamujt kuq e zi valëviteshin si kraharorë të hapur, si krahë shqiponje që mbronin një amanet të shenjtë. Tiranës, në zemrën e saj, i ishte kthyer një frymë e vjetër — fryma e Besëlidhjes.

Në qendër të sheshit, nën hijen e Skënderbeut mbi kalë, mijëra burra e gra, të rinj e të reja, luftëtarë dhe qytetarë, kishin ardhur nga çdo anë e kombit: nga Prishtina e Vushtria, nga Kumanova e Ulqini, nga Çamëria e Preveza, nga Europa, Anglia, Turqia e deri në brigjet e largëta të Amerikës. Të gjithë me një thirrje në buzë dhe në zemër:

“LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!” — “UNË JAM UÇK!”

Në tribunë, zëri kumbues i Azgan Haklajt nga Tropoja u përhap mbi turmë si kushtrim lirie:

“Liri për çlirimtarët! Një komb, një histori! Drejtësi për ata që na dhanë lirinë!”

Këto fjalë u bënë uragan në shesh. Parrullat shndërroheshin në flamuj, flamujt në krahë, krahët në besë, dhe besa në një amanet të përbashkët: të mos harrohet kurrë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të kujtesës

Nga turma u dëgjuan njëri pas tjetrit zërat e folësve:

Komandantët, luftëtarët, veprimtarët, intelektualët. Ish-Presidenti Alfred Moisiu foli për dinjitetin e luftës dhe padrejtësinë që po ndodh në Hagë. Komandant Ali Ahmeti kujtoi përleshjet në malet e Sharrit dhe betejat për liri. Hysni Gucapi, me 30 operacione në trup dhe plagë që ende nuk shërohen, dëshmoi para botës se UÇK-ja nuk është krim, por histori e drejtë e një kombi të plagosur. Ish prefekti i Tiranës dhe kryetari i shoqatës “Tirana”, foli për kontributin e dhënë nga populli shqiptar për strehimin e vëllezërve kosovar dhe për kontributin e luftëtarëve nga Shqipëria burra e gra që ju bashkuan UÇK-së, disa prej të cilëve ranë dëshmor për lirinë e Kosovës.

Katër udhëheqësit politikë të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — mbahen në paraburgim prej 5 vitesh në Gjykatën e Hagës. Turma nuk i shihte ata si të burgosur, por si rojtarë të një amaneti kombëtar. “Në Hagë s’janë kriminelë — janë bij të Kosovës me plagë në shpirt e flamur në ballë,” thirri një zë nga turma.

Poezi:

JAM SHQIPTAR: JAM UÇK!

Në zemër të Tiranës, në shesh të Skënderbeut,

zërat u ngritën si flamur në erë,

me zemra që s’harrojnë gjakun e derdhur,

me emra që s’vdesin në dhe të lirë —

për ty, Mëmëdhe!

Një vëlla nga Vushtria, me lot e me flakë,

mbante në duar një fjalë të madhe:

“Drejtësi për luftëtarët, drejtësi për gjakun!” —

e toka u drodh si kushtrim beteje në male.

Shahin Krasniqi, bir i lirisë,

nuk ra për heshtje, por për një këngë,

për atë këngë që lind në male,

kur flamuri kuq e zi valon si zemër e gjallë.

Në Hagë s’ka pranga që lidhin dritën,

as gjykatës që burgosin një amanet.

Sepse gjaku i dëshmorëve flet ndritur,

më fort se çdo letër, çdo fjalë në gjyq e çdo akt.

Në Hagë s’janë kriminelë — por bij të Kosovës,

me plagë në shpirt e me zemër gur,

Hashimi, Kadriu, Jakupi e Rexhepi,

mbajnë nderin e luftës si kurorë në ballë — një flamur.

Ata s’rrëzohen, si lisat në stuhi,

se pas tyre qëndron një komb i tërë:

me gjakun e dëshmorëve që ranë për pavarësi,

me amanetin e lirisë që s’vdes kurrë!

E në mes të sheshit një thirrje u ngrit:

“Ne s’jemi fajtorë pse deshëm liri!”

“JAM SHQIPTAR – JAM UÇK!”

nga Molla e Kuqe, Prevez e Çamëri.

Në çdo gur të Kosovës dëshmorët ecin sot,

në çdo fëmijë që rritet me këngë.

Liria ka fytyrën e tyre — që s’u përkul dot,

dhe do kujtohen në mot e mote,

me zemër në rrënjë!

Portrete që flasin

Në hyrje të sheshit, bëra një foto me dy burra që e kishin prekur lirinë me dorë: Mehdi dhe Nuredin Suka, nga fshati Bllacë i Suharekës. Luftëtarë të Brigadës 121 “Kumanovë”, nën komandën e Zenel Zekollit. Sytë e tyre mbartnin një histori që s’shkruhet në letër, por në plagë, në varre, në kujtesën e popullit.

“Kishim përjetuar internime, burgime, masakra, përdhunime… por një ditë u ngritëm për t’u bërë zë i lirisë,” më tha Nuredini, me një zë që të mbërthen si këngë e lashtë. “E fituam pavarësinë, e tani nuk lejojmë të na e përdhosë askush gjakun e dëshmorëve. Ky është bashkim kombëtar!”, tha

Mediu, kudhuri e shok lufte, i cili tregoi se në ditët e zeza të luftës, 14 veta të familjes së tij u strehuan në Vlorë.

“Falë Shqipërisë jemi gjallë. Rroftë Shqipëria, nëna jonë!”

Fjalët që ngrihen si flamur

Në mes të turmës takova Islam Krasniqin, vëlla i dëshmorit Shahin Krasniqi nga Vushtria, profesor i gjermanishtes. Me një zë të butë e sy që flisnin më shumë se fjalët, tha:

“Ne nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë drejtësi. Lufta jonë ishte në truallin tonë arbëror. Jemi këtu për të mbrojtur nderin e UÇK-së, sepse ajo luftë ishte e shenjtë.”

Në sfond, këngët e Arif Vladit për UÇK-në, të Shkurte Fejzës për Adem Jasharin, kumbonin drejt Dajtit si jehonë orësh lufte. “Se këtu jam dem baba dem / për Kosovë jap shpirtin tem…” — kjo këngë nuk ishte vetëm muzikë; ishte betim.

Dukej sikur vetë Skënderbeu, nga kalë mbi shesh, i shihte bijtë e tij dhe u thoshte: “Jeni një komb! Mos harroni kush jeni!”

Kujtesa që nuk shuhet

“Tre germat UÇK — janë tre epope,” tha në një kanal televiziv, Rustem Mustafa, i njohur si komandant Rema:

• Lufta e parë ballkanike dhe ajo botërore,

• Lufta e dytë botërore kundër nazifashizmit,

• Lufta çlirimtare e Kosovës.

“Adem Jashari — legjenda e Drenicës — dhe Zija Bajaziti, strateg i njësive ushtarake, janë themeli i kësaj epopeje. Ata e ngritën popullin në këmbë, si dikur Kastrioti mbi Krujë.”

“Si jurist,” vazhdoi ai, “besoj në drejtësi. E vërteta është më e fortë se çdo fabrikim. Akuzat për trafikim organesh janë rrëzuar. Ata do të dalin të lirë. Sepse UÇK-ja nuk është krim — është histori lirie.”

Një komb, një amanet

Nga Molla e Kuqe, Prevezë, Çamëri, Tetovë, Shkodër e Prizren — nga çdo skutë ku rreh një zemër shqiptare — erdhi një zë i vetëm, si rrufe e kthjellët mbi qiellin e Tiranës:

“JAM SHQIPTAR — JAM UÇK!”

Ky nuk ishte thjesht një tubim proteste. Ishte një besëlidhje kombëtare, një rikthim tek rrënjët.

Ishte rrëfimi i një populli që ka kaluar shekuj nën zgjedhë, por që s’u përkul kurrë.

Sepse Kosova është Dardani. Sepse Shqipëria është një komb.

Sepse gjaku i dëshmorëve nuk falet, as nuk harrohet.

Në shesh, mbi pllakat që kanë parë marshime e kryengritje, valonte një e vërtetë e thjeshtë si buka:

Liria është e shenjtë. Dhe kush e mbron, është i përjetshëm.

“Nga do të shkoj e nga do të vij, Shqipërinë e marr me vete. I them botës: Jam shqiptar.”

Nexhbedin Basha

Tiranë, 17 tetor 2025